Mbrëmjen e sotme, Soni Malaj dhe Majk organizuan një koncert recital në amfiteatrin e Tiranës. Ky koncert u përfol gjatë në media dhe nga vetë këngëtarët, madje disa ditë më parë, Soni Malaj foli për të në një intervistë në emisionin ‘Rudina’. Përveç detajeve rreth koncertit, këngëtarja u shpreh se së shpejti do të kishte dhe një surprizë nga grupi i njohur ‘Spirit Voice’. Më në fund, gjatë koncertit, Soni zbuloi se surpriza ishte ribashkimi i këtij grupi, i cili përbëhej nga vetë ajo, Elia Zaharia, Larisa Haxhi, Angjelina Gilardi dhe Dorina Tiko. Duke qenë se nuk ishte e pranishme në koncert, Dorina bëri një përshëndetje speciale për Sonin dhe publikun dhe tha se së shpejti do kthehej, ndërsa në skenë u ngjit dhe Elia Zaharia. Vajzat kujtuan kohët e vjetra kur performonin në vende të ndryshme gjatë vitit 1997 dhe thanë se ishin shumë të lumtura që këngët e tyre dëgjohen ende. Gjatë koncertit, Soni dhe pjesëtaret e grupit performuan një pjesë të këngës së famshme ‘Fuoristrada’./revistawho.com