• youuinsttaaffccbb
TEST
Breaking News, Intervista, Lajme, Në Kopertinë, Vetëm në WHO

TOP TALENT / Olti Curri: Më mirë një djall interesant, sesa një engjëll i mërzitshëm

Nga Jonida Aliçkolli / Veshjet: Valdrin Sahiti, Gucci, Dolce & Gabbana / Fotot: Çlirim Rusi

Dashuria me Olti Currin ka qenë dashuri me dëgjim të parë… Ishte një emision që vetëm Olti mund ta titullonte: “Klithma e lepurit” dhe transmetohej në “Radio+2”, derisa më pas ai filloi i pari në radio formatin “C’è posta per te” duke lidhur çifte nëpërmjet telefonit tek “Posta e zemrës”.

Ne 2005 u bëmë kolegë aty dhe më pas punuam bashkë në “Live from Tirana” në “Top Albania Radio”. Në fakt sot do të kem përballë një “djall” që prej disa javësh është në jurinë e “Top Talent”, të cilin do e intervistoj për herë të parë zyrtarisht… E kemi lënë për një moment tjetër intervistën për formulën si arriti suksesin në “Big Brother”, tekstet e shumë këngëve triumfuese me çmime te para ne “Këngën Magjike” dhe “Top Fest”,  blogger-it të parë që e kuptoi se bota po shtyhej drejt rrjeteve sociale, e shumë temave të tjera… Sot unë kam përballë një “djall” lehtësisht të dallueshëm nga turma. Një “djall” që ka zemrën më të bardhë se krahët e “engjëjve”, që i thotë gjërat hapur dhe ka humor të hollë. Të mësuar pa kritika njerëzit e showbiz-it duhet ta dinë që në botë personazhe si Olti janë më të kërkuarit dhe ai e edukoi tregun e medias që ta pranojnë dhe çmojnë nje profil si ai.

Po të isha ne skenë ky do ishte momenti që me zë të lartë do ta prezantoja: Zonja dhe Zotërinj përpara jush: Olti Curri në rolin “djalli i domosdoshëm i showbiz-it”…

Po hyj direkt në temë: Pse zgjodhe “djallin” në një kohë ku edhe djajtë përpiqen të shfaqen si engjëj?

Jam rritur duke lexuar Mark Twain dhe jam dakord me të në një novele ku Parajsën e paraqiste si të mërzitshme. Madje e tija është shprehja: “Parajsën e dua për klimën, Ferrin për shoqerinë që gjej aty”.

Një “djall” si Olti, që nuk flet kot, a flet ndonjëherë me vetëdije kot në opinionet që jep në “Top Talent” për të shkaktuar zhurmë në rrjet?

Kjo është e keqja që nuk flas dot kot. Flas ndonjëherë gjatëëëëë, por kot ende jo. Pastaj publiku nuk do më shohë dot duke folur kot se nëse filloj “rrjedh” nuk do dal më në ekran apo blog.

Sa e vështirë është për një “djall” të zbulojë një “Top Talent”?

Unë e kam të thjeshtë. Fillimi i mbarë, gjysma e punës. Kur talenti ka yllin në ballë ai vezullon menjëherë. Skena, kamerat, ekrani, kanë një magji që kur je lindur për atë punë, shkëlqen më shume se të tjerët.

“Djalli” kur ka përballë konkurrentë të vegjël, bëhet “engjëll” dhe shtyp jeshilen, pse?

Kjo ndodh kur vogëlushët kanë talent dhe energji spektakolare. Të jesh i vogël nuk është amnisti aq më pak kur hyn në një garë. Fëmijët që brenda vetes janë fëmijë dhe jo prindërit e futur në trupin dhe mendjen e tyre, e pranojnë Jo-në me shumë natyrshmëri.

A ka në jurinë e “Top Talent” “djaj” të maskuar si “engjëj”?

Po sigurisht, edhe pse duket një engjëll, po shoh me kalimin e kohës dhe rritjen e garës që Anita Haradinaj po shndërrohet në një “djall”. Ka filluar ta shtypë shumë të kuqen.

Çfarë kushtesh artistike duhet të plotësojë një “Top Talent” që të marrë votën tënde?

Duhet të jetë amator në fushën që konkurron, të punojë dhe të jetojë për ëndrrën e tij, të japë shpirtin teksa interpreton…dhe të jetë modest në prapaskenë dhe YLL në skenë.

Gjatë “Top Talent 3” ke pasur raste ndërhyrjesh nga prindërit apo të afërmit e konkurrentëve?

Po. Inbox në IG dhe FCB është plot. Është normale per një vend si ky i yni ku jemi rritur me shprehje “kam mik” , “kam hyrë me mik”, “do i gjej një mik”. Ndërkohë që duhet të dëgjojmë: “kam punuar fort”, “për këtë ëndërr do jap shpirtin”, etj. Por në momentin që kujtoj se çdo gjë e kam arritur vetë, nuk kam arsye përse të pranoj ndërhyrje që të favorizoj dikë.

Mjedisi më i rehatshëm i “djallit” për të rrëfyer të vërtetat me spec: tastiera apo mikrofoni?

Tastiera të jep më shumë kohë ta përpunosh dhe ta redaktosh mendimin ndërsa mikrofoni “live” është mendim i bluajtur plus instikt momental.

Rituali më i çuditshëm i “djallit” përpara një dalje publike?

Bëj katër frymëmarrje të thella…

Një “djall” si Olti Curri i përmbahet skenarëve në përgjithësi?

Jo! Kam në kokë një ide si duhet të shkojë spektakli dhe ndjek atë (për pjesën time ose të kolegëve që më dëgjojnë mendimin dhe nuk ju ka dalë keq). Unë nuk e jetoj spektaklin si njeri ekrani, por si shikues. Punoj vetëm për ata! Besoj se tani publiku e ka kuptuar se më mirë të ndjekë një “djall” interesant sesa një “engjëll” të mërzitshëm dhe monoton.

E njeh shumë televizionin, pse nuk ke bërë një emision tëndin psh: “Në djall të shkosh”?

Do ishte një ide e bukur, ne TV ose Youtube. Kur t’i pyesnin VIP-at ku po shkoni? Do thonin: “Po shkoj në djall”.

Për çfarë arsyeje “djalli” do të kthehej në “engjëll”?

Sa herë që do miratimin e shpejtë të publikut, sa herë që ka përballë njerëz që të lëpijnë para dhe të pështyjnë pas krahëve, sa herë që ka nerva dhe kohë për t’u bërë “Simbol i paqes dhe mirësisë”, një djall shndërrohet lehtësisht në engjëll.

Ata që përzgjedhin “djallin” të jetë pjesë e formateve të rëndësishme televizive janë “engjëj” apo “djaj”?

Ata janë engjëj se kështu jua kërkon detyra apo statusi, por thellë thellë adhurojnë djallin (një si Olti). Madje e kanë pak zili që nuk flasin dot hapur si ai, sepse pozita nuk ua lejon.

A ka gjuha e “djallit” një faturë? Cila është ajo?

Shumë e shtrenjtë… Ose nuk kushton asgjë kur “djalli” sheh tek bashkëpunëtorët energji për të shkuar përpara, për të bërë gjëra moderne dhe spektakolare. Siç thonë: “Dreqi e njeh Shejtonin”…

Publiku pëlqen më shumë “djallin” apo “engjëjt”?

Publiku pëlqen ëngjëjt, sepse ka tendencën të identifikohet me personazhe apo situata televizive. Por këtë e bën një pjesë e njerëzve që nuk kanë arritur asgjë në jetë, sepse kush ka luftuar, e di që lufta nuk fitohet duke u mbrojtur me pambuk. Ato komente që lexoni ndaj figurave që bëjnë pjesë në “kënetën” televizive, ku vetem qeshin, vishen dhe lëshojnë mesazhe qiellore, bëhen nga njerëz që kanë frikë nga kritika, janë fobikë nga përgjigjja: JO!

Cili është një mëkat televiziv që “djalli” nuk ia fal vetes që e ka bërë?

Nuk kam pengje në këtë drejtim. I kam mbi vete faturat e sukseseve dhe dështimit.

Nëse s’do ishe Olti Curri, si cili “engjëll” do ishe maskuar për 24 orë?

Si këta motivuesit idiotë që pa larë surratin dhe dhëmbët se s’ka qyteti ujë apo rrugë e parkim për makinën,  publikojnë video sa të lumtur janë zgjuar dhe se jeta u buzëqesh. Në fakt jeta e tyre shkrihet gazit me ta.

A ka “djalli” miq në televizion apo vetëm kolegë?

Shumë pak miq, po aq pak kolegë.

Tre kushtet e “djallit” për të pranuar një ofertë televizive që po të ishe “engjëll” s’do kishe mundur t’i kishe?

E përshtatshme ose e personalizuar për mua, staf i motivuar dhe liri nga media ku do punoj.

 “Djalli” në televizion, është edhe “djall” në jetë?

Jo gjithmonë! Engjëll me pupla të bardha jo, po tip engjëlli me brirë, gati për sulm.

Sharja e preferuar e “djallit”?

I paaftë!

Çfarë do t’i thoje dikujt që do të donte shumë të ishte TI po nuk e ka ndarë mendjen akoma se çfarë do të bëjë në jetë?

Nuk jap formula dhe aq më pak mesazhe, sepse të jesh personazh i njohur nuk të jep të drejtën të ndjehesh filozof apo shenjtor. Në google dalin më shumë citate nga kurvat e intagramit (burra & gra) sesa nga Nënë Tereza apo Frojdi. Une vetë kam ndjekur instiktin. Ju them vetëm: Paçi fat!

Të gjithë djajtë me “Prada” vishen?

Në “Top Talent” jam veshur nga Valdrin Sahiti.

Për çfarë arsye “djalli” do të refuzonte një ofertë të majme?

Nga secili që mendon se duke të paguar për punën që unë bëj, ka të drejta pronësie mbi shpirtin, dinjitetin dhe intimitetin tim.

A është politikisht korrekt “djalli” edhe kur kritikon?

Djalli kur kritikon, është i përgatitur t’i përgjigjet edhe prokurorit edhe avokatit, nderkohë që sytë i mban ngulur tek gjykatësi.

Po kur kritikon politikën?

Aty djalli ka shumë konkurrencë, se politika ferrin e ka tempull. / revistawho.com