• youuinsttaaffccbb
TEST
Intervista

Të gjitha ato që nuk dini për Eranda Libohovën: “Puthjen e parë e kam dhënë 18 vjeçe”

Rinia tek ajo nuk ka të ndalur. Në formë dhe e qeshur gjithmonë. Sportive apo klas, gjithmonë tërheq vëmendjen. E kush tjetër veç: Eranda Libohova. Këngëtarja që duket se po sfidon kohën. Për të shprehja se, “shëndeti i ka dhënë nur” shkon më shumë se kurrë. Në këtë intervistë ekskluzive për “Bluetooth”, Eranda tregon gjithë detajet e formës së mirë fizike. E ndërkaq, pjesë e këtij rrëfimi janë edhe disa intimitete të saj, puthja e parë me një instrumentist kur ishte 18 vjeç, e pse jo edhe anëtari i ri i familjes, Tekila.
Eranda, jeni gjithmonë në formë. A keni një recetë për të qenë e tillë?
U bë legjendë në fakt kjo gjë. Nuk di ndonjë recetë, e nëse do të dija do t’ia kisha dhënë çdo femre. Nuk kam ndonjë gjë speciale që përdor, por mendoj se gjithçka vjen nga gjendja shpirtërore, vjen së brendshmi. Kur njeriu ka një ekuilibër të brendshëm, është i qetë, në të shumtën e gjërave që bën ka një siguri, ka një mirësi, kjo gjë padyshim reflektohet edhe në pamjen e jashtme. Pastaj është edhe pjesa gjenetike, padyshim.
Sa herë shkoni tek parukieria?
Rrallë, verës nuk shkoj fare pothuajse. Vetëm kur kam ndonjë eveniment, e madje edhe në këto raste kam filluar t’i kreh vetë flokët, sepse që kur i preva vitin e kaluar nuk kam më atë gjatësi dhe i rregulloj vetë shumë mirë. Vetëm kur i lyej shkoj.


Me cilët flokë e keni ndjerë veten më mirë ?
Me flokët e gjata, padyshim. U bëra pishman që i preva, po tani jam e lumtur se po më rriten.
Ju pëlqejnë të gjatët se keni më shumë komplimente nga meshkujt apo…?
Jo, jo. Mua së pari duhet të më pëlqej vetja, pastaj të tjerët.
Nëse nuk ju pëlqen vetja, nuk dilni nga shtëpia?
Jo, nuk jam aq fanatike. Sigurisht, ka ndonjë ditë që nuk jam mirë, pasi humori s’është gjithmonë në maksimum dhe rri në shtëpi, bëj kura me veten. Bëj maska me vezë apo me vaj ulliri. Kam disa maska që i blej, por edhe më pëlqen të eksperimentoj vetë, me mjaltë, me kripë për fytyrën, maska me vezë për flokët, të ndryshme.
Dilni ndonjëherë nga shtëpia pa tualet?
Dal kur blej bukën. Dal, por vë syzet.
Dhe, arrini të mos njiheni?
Po, vë syzet, vë kapelen dhe jam rehat. pasi nuk më pëlqen të tërheq vëmendjen. Ka momente kur njeriu do të jetë në qendër të vëmendjes, sidomos kur je në momentet e tua të mira që kanë të bëjnë me punën, por në përgjithësi dua të kaloj pa u vënë re.
Cili është komplimenti më i bukur që ju kanë bërë?
Nuk e di nëse mund të quhet kompliment, pasi nuk më pëlqen kur njerëzit thonë “kjo nuk po plaket” (qesh), apo “kjo nuk po ndryshon”. Ky nuk është kompliment, përse duhet të ndryshoj unë? Jam e re.
Garderoba e Erandës, çfarë ka më shumë fustane apo xhinse?
Këtë vit kam blerë më shumë fustane. Kam filluar të vesh më shumë sandale të sheshta. Që kur kam marrë makinë, i kam eliminuar takat, ndoshta vetëm nëpër mbrëmje të veçanta i vesh, gjatë ditës rri me fustane dhe me shapka e sandale të sheshta, ndihem kaq rehat sa them ku kam qenë. Ndoshta dhe makina më ndikon.


Keni një firmë veshjesh të preferuar?
Nuk kam një të preferuar, mjafton të më pëlqejë dhe shkoj e blej. Mund të jetë sportive, ‘Nike’, ‘Levis’, ‘Puma’, mund të jetë ‘Max & Co’, ‘Denny Ross’, por kam edhe veshje të qepura tek rrobaqepësja.
Konsultoheni me njeri për veshjen, për look-un?
Kur kam raste, konsultohem me stilisten Rezi Skifteri, e cila është stilistja ime prej kohësh dhe mikja ime e  vjetër. Rezi më ka bërë veshjet e para që nëpër festivale dhe nuk e ndaj asnjëherë. Por, kur fustani ka një firmë nuk është nevoja, se e ka vetë bukurinë.
Në momentin që keni një takim me një mashkull, prisni komentin e tij për veshjen?
Jo, ndoshta në një moment që duhet të dalim të dy bashkë mund të konsultohemi që të na shkojnë veshjet të dy, por në përgjithësi jo.
Aktualisht, konsultoheni me ndonjë mashkull për veshjen?
Stilist e keni fjalën? (qesh). Jo nuk kam në këto momente një mashkull me të cilin konsultohem.
Është e dashuruar Eranda?
Unë jam e dashuruar gjithmonë. Ju më pyetët pse dukeni mirë, jam mirë sepse ndihem mirë.
Si e kujton puthjen e parë Eranda?
Puthja e parë ka qenë me një djalë më të madh se unë në moshë, kam qenë 18 vjeç. Mund të duket shumë për këtë kohë ndoshta. Dhe, ka qenë vetëm një puthje, me një djalë që ka qenë artist, muzikant, një instrumentist, por që nuk është në Shqipëri aktualisht. Nuk ishte një lidhje, ishte thjesht një flirt rinor.
Dhe, ç’emocione kishte ajo?
Është shumë larg për ta kujtuar dhe për ta pasqyruar në faqet e ‘Bluetooth’.
Ç’të reja do të sjellë Eranda në muzikë?
Jam duke punuar për një këngë të re, që e ka shkruar grupi “Burn”, orkestruar nga Gent Myftarai. Është rock, që mua më pëlqen, se është një rrymë ku e gjej veten mirë.
Përveç klipit të ri, do të ketë një album në plan Eranda?
Ne kemi pasur një plan me Irmën për të bërë një album të dyja. Por, e kemi lënë për momentin, sepse kemi pasur mjaft koncerte dhe sidomos Irma ka qenë shumë më e ngarkuar. Mbase albumi është një sipërmarrje shumë e madhe dhe në këtë treg të madh që piratohet çdo gjë, më duket se është një kohë e humbur. Megjithatë, më duhen vërtet materiale, sepse ne kemi shumë pak këngë të përbashkëta, të bëra duet, nuk kemi shumë këngë në repertor për karrierën e gjatë. Kështu që do ta bëjmë shumë shpejt.
Mes këtij tregu të dendur këngëtarësh, si ndihet Eranda?
Secili gjen korsinë e vet në rrugë dhe populli është aq i mençur sa gjithmonë të diferencojë ose t’i çmojë për atë që janë. Jam shumë e lumtur dhe e kënaqur që njerëzit më komplimentojnë për këngët, për kënaqësinë që u fal.
Cilët janë miqtë më të mirë në fushën e muzikës?
Unë nuk i harroj miqtë e parë, ata që më kanë nxjerrë që janë edhe miq të familjes, çiftin Ishmaku, Gazmend Mullahi. Miq mund të kesh shumë, por duhet të kesh njerëz përreth që të orientojnë, që kanë vlera.
Ju tremb vetmia?
Vetmia? Jo. Pse, unë kam marrë dhe një qen tani. Tekila. Teo nuk jeton më dhe prej gati një viti kam marrë një qen Chihuahua.
Përse e keni quajtur Tekila. Është pija juaj e preferuar?
Më pëlqen, por s’ka lidhje me pijen. Tekila është adrenalinë, është një pije që të sjell në qejf, një pije latine, por edhe Chihuahua është një racë meksikane dhe i shkon shumë.
A keni pushuar gjatë kësaj vere?
Kam pushuar. Puna jonë është e lidhur edhe me kënaqësinë. Në të gjitha koncertet që kam bërë edhe kam pushuar, kam qenë në Ksamil, në Sarandë, në Dhërmi, etj.
Po pushime intime?
Po, sigurisht, pushimet me shoqërinë gjithmonë intime quhen.

Ky shkrim u botua më 5 shtator 2009 në “Gazeta Shqiptare”