Doreada Mio renditet mes pak gazetareve që i kanë qëndruar besnike vetëm një formati, ose një linje prezantimi. Ajo ka prej 10 vitesh nën autorësi dhe drejtim programin ‘Klinika 24’, një emision që drejtohet publikut të gjerë me temat aktuale shëndetësore, risitë në shëndet dhe diskutimet në studio me specialistë të fushave përkatëse. Në një kohë kur vlerën e mirëqenies dhe shëndetit e kemi kuptuar në mënyrën më të ashpër, nuk duhet të lëmë jashtë vëmendjes problematika të tjera që shkojnë përtej pandemisë dhe Doreada zgjedh përherë më interesantet për të prekur në programin e saj. Mes karrierës dhe jetës si nënë, e bashkëshorte, Mio ka rrëfyer për ‘RevistaWho.Com’ si është të jesh gazetare e një programi dedikuar shëndetit nga këndvështrimi i saj dhe sigurisht na zbulon pak detaje për jetën e saj jashtë ekranit.
Doreada, ti ke 10 vite që drejton një emision shëndeti në ‘News 24’ dhe aty ka marrë përgjigje çdo temë, ndihmuar nga opioni i specialistëve të secilës fushë. Cilën do veçoje si një nga temat që të ka mbajtur më shumë të angazhuar se të tjera?
Përgjatë gjithë viteve të emisionit të shëndetit që kam organizuar, jo vetëm në ‘News 24’ me ‘Klinika 24’, por edhe më herët në ‘Vizion Plus’ me ‘Stetoskop’ dhe në ‘Telenorba’ me ‘Shëndet për të gjithë’, unë jam munduar të jap informacione të thjeshta dhe këshilla për të orientuar apo ndihmuar ata persona që kanë probleme me shëndetin. Unë vazhdoj të mendoj që kemi nevojë për edukim shëndetësor, jo vetëm për sëmundje të caktuara, por për mënyrën si duhet të ushqehemi, aktivitetin fizik, apo kontrollet e rregullta tek mjeku.
Disa nga temat më kanë dhënë ngarkesë të madhe emocionale. Sidomos kur bëhet fjalë për ndërhyrje të vështira tek fëmijët, apo sëmundje që marrin jetë, të cilat janë konkretizuar me raste në studio. Këto vërtetë më kanë lënë gjurmë. Një emision do të veçoja ku u trajtua një sëmundje kronike nga, e cila vuante një familjar i imi, më ka ngarkuar shumë. Apo kur kam intervistuar një person që jetonte me HIV/AIDS.
Cila është ajo temë që i rikthehesh dhe do vazhdosh ta bësh, sepse lë hapsira për të folur dhe interesi i publikut është i madh?
Unë i rikthehem temave gjithmonë, por të trajtuara ndryshe. Ka gjithmonë vend për të folur për sëmundjet e zemrës apo ato kardiovaskulare, që mbajnë vendin e parë në botë përsa i përket vdekshmërisë. Gjithmonë një nënë e re do të dijë për beben e sapolindur apo fëmijën dhe sëmundje të caktuara të periudhës pediatrike, apo dhe obstetik–gjinekologjia me periudha të lumtura dhe të vështira si shtatzënia, pamundësia për të patur fëmijë, apo dhe sëmundjet që shoqërojnë jetën e një gruaje.
Këto po cilësoj, por çdo teme mund t’i rikthehesh për specifika ku me informacion të përditësuar mund të japësh sadopak ndihmë tek ata që të ndjekin.
A ke menduar ndonjëherë të heqësh dorë nga ky program?
Në më shumë se 16 vite emision herë pas here jam ndierë e lodhur edhe unë. Çdo javë trajtohen sëmundje, shpeshherë edhe të rënda, gjithmonë persona që të shkruajnë për halle, apo probleme. E vërteta është që kam menduar edhe të heq dorë, por vit pas viti e kam parë emisionin si një krijesë timen që duke kaluar vitet më rriti dhe mua, më identifikoi, prandaj unë gjej gjithmonë pasionin dhe forcën ta vazhdoj sepse siç e përsëris shpesh: ‘Klinika 24’ është emisioni që më identifikon.
Si ke arritur ta mbash në të njëjtën linjë, interesin e publikut për programin tënd pavarësisht viteve që kalojnë?
Nuk e di sa kam arritur ta mbaj intersin e publikut ndër vite, por unë jam përpjekur shumë. Çdo vit jam munduar të gjej elemente të rinj, përshembull një vit kisha një rubrikë mit apo fakt, ku mjeku shpjegonte a ishin të vërteta apo jo pika kyçe të sëmundjeve të caktuara. Një vit tjetër kam sjellë pacientin në studio. Gjithmonë krahas mjekut ishte i ftuar edhe dikush që vuante nga sëmundja që trajtohej dhe konkretizonte me shenja të caktuara që ai i vuante. Dhe Ç’është e vërteta më shumë jam lodhur të gjej pacientë sesa mjekë sepse ne si mentalitet akoma e kemi problem të flasim për problemet tona shëndetësore.
Këtë vitin e fundit kam sjellë si element të ri, raste konkrete të cilat mjeku i sqaron sigurisht duke ruajtur anonimatin. Duhet të mendoj gjithmonë për një prurje të re sepse edhe vetë natyra e emisionit duke qenë se nuk është as spektakël e as emision argëtues kërkon diçka që të tërheqë vëmendjen.
E ndjen se ke përgjigje për çdo gjë që lidhet me shëndetin pas kaq shumë vitesh në një program të tillë?
Viti që lamë pas, pandemia që na ndryshoi jetët të gjithëve dhe që akoma nuk po na lejon të jetojmë si më parë, na mësoi se asnjëherë nuk mund t’i kemi të gjitha përgjigjet kur bëhet fjalë për shëndetin, por duke zgjedhur gjithmonë zërin e ekspertit dhe specialistit të duhur ne tentojmë të japim informacionin e saktë dhe këshillat e duhura.
Na fol pak për familjen… ti je nënë e një djali dhe bashkë keni drejtuar një program gatimi. Si ka qenë ajo eksperiencë për ty?
Emisioni “Të gatuajmë për fëmijë” me Enean mbetet për mua një nga eksperiencat më të bukura dhe emocionuese. Në fakt unë e them gjithmonë që jeta ime ndryshoi kur u bëra nënë dhe jam munduar gjithmonë që Enea të ushqehej siç duhej, të rritej i qetë dhe e përfshija gjithmonë edhe në bërjen e pazarit apo në gatime të ndryshme. Në emision kemi qenë vetvetja dhe jemi argëtuar shumë të dy. Tani Enea është rritur, po hyn në adoleshencë dhe ka interesa të tjera (siç thotë), por prapë e gjejmë kohën të bëjmë pazar bashkë dhe të gatuajmë pjatat tona të preferuara.
A të kërkojnë familjarët e tu ose miq këshilla për shëndetin me idenë që ti duhet ta dish përgjigjen?
Gjatë gjithë kohës më pyesin familjarë, rrethi shoqëror apo dhe të njohur. Madje me shaka më quajnë: doktoresha. Sigurisht që perpiqem t’i ndihmoj, por gjithmonë duke i orientuar tek mjeku apo specialisti i duhur, sepse unë jam doktoresha vetëm në emision.
Në këtë kohë pandemie, a mendon se ke bërë një punë të mirë me informimin nëpërmjet paneleve të shëndetit që ke pasur në studion tënde?
Gjatë kohës së pandemisë jo vetëm panelet e emisioneve të shëndetit, por edhe ato të mëngjesit, pasdites madje edhe emisionet politike apo ato informative u fokusuan tek shëndeti sepse situata ishte e tillë, kishim të bënim me një virus të panjohur dhe dilemat ishin të mëdha, ndërsa studime nuk kishte. Duke folur mjekët në çdo emision mendoj që kemi qenë pranë publikut jo vetëm me informacione për Covid-19, por edhe lidhjen e tij me sëmundje të tjera dhe duke theksuar e rikujtuar që të mos lihen pas dore kontrollet tek mjeku për të kapur në kohë sëmundje që të marrin jetën apo ndjekja e rregullt e pacienteve që vuajnë nga sëmundje kronike.
Pse mendon se një emision shëndeti si ky që ti drejton i duhet televizionit?
Në vitet e fundit emisionet e shëndetit i janë shtuar shumë televizioneve dhe unë mendoj që kjo është një gjë e mirë, sepse gjithmonë ka vend për informacion dhe këshilla. Por ka rëndësi që të tregohet kujdes e të zgjidhen specialistët e duhur. Sëmundja bashkëshoqëron njerëzimin dhe është gjithmonë dikush që ka nevojë për ndihmë qoftë edhe me një këshillë.
Çfarë mesazhi do i jepje të gjithë lexuesve tanë, për shëndetin, kujdesin për veten ose mirëqenien?
Unë e përsëris edhe gjatë emisionit, është e lehtë të japim këshilla dhe e vështirë t’i ndjekim, por kur vjen puna te shëndeti apo më mirë tek ajo që quhet mirëqenie, unë them: kujdesuni që shëndeti të vijë i pari në jetën tuaj, i shoqëruar me një ushqyerje të mirë dhe me aktivitet fizik. Ka rëndësi edhe gjumi i qetë dhe kontrollet tek mjeku që të arrijmë atë që quhet “të jetosh me stil jetese të shëndetshme”.
Ne nuk i zgjedhim dot genet tona dhe mund ta kemi predispoziten për sëmundje të caktuara por ne mund të jetojmë mirë, t’i kapim ato sa më herët dhe t’i trajtojmë siç duhet./revistawho.com