• youuinsttaaffccbb
TEST
Breaking News, Instant Articles, Lajme

South Outdoor Festival, edicioni i tretë ka katër ditë surpriza për ju

Festivali ‘South Outdoor’ premton edhe këtë vit shumë surpriza ashtu si çdo edicion i kaluar i tij. ‘South Outdoor’ është një nismë e GIZ, përmes programit ‘Zhvillimi i Qëndrueshëm i Zonave Rurale’, financuar nga Qeveria Gjermane. I kthyer tashmë në traditë, festivali do të zhvendoset këtë vit në një nga fshatrat më piktoreskë të rivierës shqiptare, në Borsh. Ai do të mbahet nga datat 26-29 prill dhe ka rezervuar 4 ditë të mbushura me aktivitete sportive e kulturore, muzikë, traditë, natyrë dhe kuzhinë tipike shqiptare.
Fshati mikpritës i këtij viti shquhet për potencialin agro-turistik, historinë, kështjellën mbi kodër, ulishtet etj. Vendodhja kryesore e festivalit do të jetë mes këtyre ullishteve, rreth 400 m nga bregu i detit.

Përveç aktiviteteve që janë zhvilluar edhe në edicionet e tjera, ky vit rezervon më shumë adrenalinë për pjesëmarrësit me disa aktivitete të reja si: ‘Hot Air Ballon’, ‘Trike Flying’, ‘Gara Stand Up Paddling’, ‘Sailing’, ‘Paddleboard Yoga’ si dhe ‘Individual Stand Up Paddling’.
Një tjetër veçanti e këtij viti është festa e Pashkëve, e cila daton me kohën kur festivali do të zhvillohet. Me këtë rast organizuesit kanë menduar që të gjithë pjesëmarrësit të përfshihen në festë duke ngjyrosur vezët e kuqe të Pashkëve.
Po ashtu nuk do të mungojë panairi i produkteve lokale dhe artizanatit, ndërsa një tjetër ekspozitë me ushqime të zonës do të zhvillohet ditën e dielë, me rastin e festimeve të Pashkës.
Mbrëmjet vijojnë me një maratonë me performanca muzikore live ku artistët pjesëmarrës do të jenë Venera Lumani, Lind Islami, Alban Nimani, Urban Band, All in Band dhe grupi legjendar ‘Elita 5’.
“Qëllimi i këtij festivali është krijimi i një modeli të qëndrueshëm, i cili do të bëjë të mundur zgjatjen e sezonit turistik, duke nxjerrë në pah atraksionet e shumta të rajonit, të cilat mund të shijohen më së miri edhe jashtë sezonit veror. Ky qëllim do të përmbushet duke sjellë bashkë individë të niveleve të ndryshme, që nga bizneset private e deri tek institucionet qeveritare. Festivali është një produkt i integruar, ku të gjithë punojnë për të ndërthurur dhe nxjerrë në pah vlerat kulturore, historike e natyrore që ofron kjo zonë, duke lidhur detin me malin dhe duke promovuar asetet e fshatrave të ndodhura në brendësi të territorit. Synimi kryesor nuk është vetëm promovimi i një fshati të vetëm, siç në këtë rast është Borshi, por edhe i fshatrave të tjerë, ku gjithashtu do të zhvillohen aktivitete të lidhura me festivalin”, u shpre drejtuesja e programit, Znj. Akne Petersen.
Kujtojmë se edicioni i parë i ‘South Outdoor’ u zhvillua në Pilur, ku ishin të pranishëm rreth 3000 pjesëmarrës, 600 prej të cilëve ishin vetëm për aktivitete sportive. Në edicionin e dytë, të organizuar në fshatin bregdetar të Vuno-it, numri i vizitorëve u dyfishua në 6000 vetë. Edhe këtë vit pritet të ketë një numër të madh pjesëmarrësish dhe shumë surpriza të organizuara posaçërisht për ta.
Ky aktivitet mbështetet nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe Bashkia Himarë./revistawho.com