Reshjet e dy ditëve të fundit kanë sjellë probleme të shumta në vend. Duket se edhe rrjeti i ujësjellësve nuk po funksionon më si duhet. UKT ka bërë lajmërimin se në disa zona do të ketë ndërprerje të ujit. Bëhet fjalë për zonat e mëposhme:
Kinostudio, Xhamlliku, Allias, Pazari i Ri, Rr. “5 Maji”, Laprakë, Rr. E “Kavajës”, Rr. E “Durrësit”, zona e “Vasil Shanto” dhe Yzberisht.
Njoftimi i UKT:
“Stafi i Ujësjellësit që nga mbrëmja e djeshme, është duke monitoruar çdo 15 minuta nivelin e turbullirës në liqenin e Bovillës, gjithashtu kemi marrë masat duke furnizuar në mënyrë të pandërprerë të gjitha institucionet e rëndësisë së veçantë sidomos spitalet, në mënyrë që ky problem të mos ndikojë në ecurinë normale të punës së tyre. Kemi në dispozicion 20 bote që furnizohen në stacionet tona me ujë të pijshëm dhe shpërndahen në mënyrë të organizuar.
Deri tani kemi kryer mbi 50 furnizime me ujë në QSUT, Spital Ushtarak dhe Maternitete, duke bërë të mundur që të gjitha këto institucione të mos e ndjejnë në mënyrë absolute reduktimin e furnizimit me ujë.
Ujësjellës Kanalizime Tiranë i bën thirrje të gjithë qytetarëve të përdorin me kujdes dhe të kursejnë ujin deri në kapërcimin e situatës emergjente të shkaktuar nga kushtet atmosferike.
UKT falenderon banorët e kryeqytetit për mirëkuptimin dhe durimin!”