Ditët e para të muajit prill kanë qenë me diell dhe me temperatura mjaft të larta, aq sa i kanë tunduar njerëzit t’i drejtohen plazhin edhe pse jemi në një situatë delikate për shkak të Koronavirusit. Por si do të jetë moti në vazhdim? Sinoptikania Adiola Bani në një lidhje për News24, u shpreh se muaji prill do të jetë me temperatura mbi normalen dhe pa reshje shiu.
“Sot temperaturat kanë pësuar një rënie të lehtë, pasi ishin më të larta. Ditën e nesërme do të kemi reshje shiu, më të dukshme do të jenë në zonë qendrore dhe veriore. Ndërkohë, gjatë të mërkurës në zonat malore presim që të ketë pak reshje të lehta bore. Më pas, gjatë mesditës së të mërkurës do të kemi rritje graduale të temperaturave në zonën perëndimore. Duke bërë që fundjava të jetë e ngritje ku pritet vlera 26-27 gradë. Parashikohet që ky prill të jetë me temperatura më të larta gjatë mesditës, se sa vlerat normale të këtij muaji. Pasi parashikohet që të kemi më shumë ditë me diell dhe më pak me reshje me episode të shkurtra”, u shpreh ajo.