Jo do të thotë JO! Po do të thotë PO! Ky debat është realizuar shpesh në studio televizive ashtu si në biseda tavolinash mes miqsh. Përdhunimet janë përherë aty, vajzat dhe gratë janë gjithmonë të rrezikuara, por akoma diskutohet për raste të ndërmjetme mes aprovimit dhe mohimit të seksit. Danimarka ama i ka bërë të qarta gjërat në këtë pikë me anë të ligjit. I ashtuquajturi ‘ligji i pëlqimit’ u aprovua në 17 dhjetor nga parlamenti Danez me 96 vota pro dhe asnjë kundër. Ky ligj tregon hapur se sa ka evoluar mënyra se si duhet parë abuzimi seksual. Si ta kuptojmë këtë?
Nëse deri më sot në Danimarkë ishte e nevojshme të kishte dhunë psikologjike apo fizike mbi një viktimë për ta quajtur abuzim seksual, tashmë nuk do të jetë kështu. Mjafton të mos ketë dakortësi nga njëra palë për të kryer aktin seksual dhe kushdo nuk e zbaton do të vihet para ligjit.
Shumë nga ju mbase mendojnë se kjo është diçka që dihet dhe nuk ka nevojë të vendoset një ligj specifik për ta mbështetur, por e vërteta është që akoma ka njerëz që vendosin të ndërmjetme mes një Po-je dhe Jo-je të thjeshtë.
Urojmë që shembullin e Danimarkës për ashpërsimin e ligjeve dhe evolimin e tyre në këtë aspekt ta ndjekin edhe shtete të tjera./ revistawho.com