Shtëpia italiane e modës “Valentino” është frymëzuar nga William Shakespeare për koleksionin vjeshtë-dimër 2016-2017. Në 400-vjetorin e vdekjes së dramaturgut me famë botërore, veshjet në sfilatën e “Paris Haute Couture” të kthenin pas në vitet 1500-1600. Në dizajnet e stilistëve Maria Grazia Chiuri dhe Pierpaolo Piccioli dominonin ngjyra e zezë, e bardhë dhe ajo e kuqe, por nuk mungonin as ngjyra të tjera të errëta, xhaketa dhe pantallona me prerje mashkullore, apo edhe fustane klasike të qëndisura me dorë. Ndërthurja e stilit mashkullor me atë femëror u përgëzua nga pjesëmarrësit në sfilatë. “Ishte e pabesueshme. Ishte ndërthurja e stilit ‘sexy’ me mesjetarin dhe atë modern. Unë e dashurova”-tha aktorja Mila Jokovich. Ndërkohë, tani pritet që të tjera shtëpi mode të prezantojnë koleksionet e tyre “Couture” këtë javë, ndër të cilët janë emra të njohur si Giorgio Armani Prive, Dior dhe Versace.