Pasi u bë publik lajmi se ‘Sex and The City’ do të rikthehet, por pa katërshen e plotë siç jemi mësuar ta shohim, bota është ndarë në dy pjesë. Gjysma e parë janë entuziastë dhe mezi e presin, ndërsa gjysma tjetër as nuk e imagjinojnë dot këtë ribashkim pa Samanthën.
Këta të fundit janë kapur me të gjitha detajet, duke nisur nga titulli: “And just like that…”. Si mund të quhet rikthimi i ‘Sex and The City’ kur nuk do të ketë as sex as qytet? Kjo është pyetja që po ngrejnë shumë fansa. Por pse ka kaq shumë rëndësi personazhi i Samanthës për të sjellë frymën e duhur të serive?
Samantha ishte personazhi më argëtues i katërshes (të paktën kështu thonë pjesa më e madhe e ndjekësve të rregullt), pasi ajo karakterizohej nga një lirshmëri dhe sinqeritet që i jepte grupit shumë alegri. Nëse vajzat e tjera janë më korrekte, serioze dhe të qeta, Samantha fliste për çdo gjë që i vinte në mendje dhe ka disa nga batutat që e identifikojnë ‘Sex and The City’.
Megjithë zhurmën e krijuar për mungesën e Kim, me siguri rikthimi i serive do të jetë shumë i ndjekur. Edhe pse Samantha mungon me siguri audienca do të jetë e lartë, qoftë edhe për të pasur baza kritisizmi për mungesën e saj. /revistawho.com