Sheryl Sandberg, lindur më 1969-ën njihet si ‘gruaja e fortë’ dhe jo më kot. Ajo është drejtoresha operative e ‘Facebook’ dhe drejton në një botë meshkujsh, siç është ‘Silicon Valley’. Në një intervistë për ‘Tamron Hall Show’, Sandberg ka folur gjerë e gjatë për rëndësinë që ka ëndrra e çdo gruaje për t’u bërë nënë, pa qenë nevojë të heqin dorë nga karriera e tyre. Sipas saj suporti ndaj nënave është i papërfillshëm.
“Kur edhe ti edhe bashkëshori yt punon me kohë të plotë, kthehesh nga puna dhe çdo punë që lidhet me shtëpinë sërish të përket ty, por asnjëra nga ju nuk ka asistencën më të vogël nga shoqëria. Si mund ta mendoni që nuk do shpërtheni? Leja e lindjes duhet të kthehet në prioritet për çdo grua që punon”, u shpreh Sheryl.
Nga ana tjetër kjo deklaratë e drejtoreshës së ‘Facebook’ mbështetet fort nga psikologët, sipas të cilëve ekziston një risk i madh psikologjik për gratë që nuk kanë leje lindje dhe punojnë njëkohësisht që kujdesen për foshnjën. Skenari më i mundshëm për një nënë të re në këto kushte është të mposhtet psikologjikisht nga pesha e përgjegjësive, por edhe pamundësia fizike për të bërë kaq shumë gjëra. Nuk duhet harruar që periudha pas ardhjes në jetë të një fëmije është shumë delikate për nënën, në çdo aspekt, si emocional ashtu edhe fizik.
Një periudhë postpartum pa asnjë ndihmë dhe me nevojën për të punuar përkthehet në mungesë dedikimi dhe kujdesi për të sapolindurin. Këto të fundit janë nevojë e padiskutueshme për zhvillimin e tij. Nga ana tjetër nxit tek nëna ndjenjën e fajit dhe rrit mundësinë për depresion. Çdo grua duhet të heqë dorë nga imazhi që ka krijuar se mund t’i bëjë të gjitha, por duhet me ngulm të kërkojë një periudhë pushimi pasi bëhet nënë që të marrë kohën e nevojshme për të shmangur problematika jetike që lënë pasoja të rënda. Mbi të gjitha: Mos nguroni të kërkoni ndihmë tek kushdo që është pranë jush. Ka rëndësi shumë të madhe që të keni një rrjet ndihme dhe njerëz tek të cilët mund të mbështeteni.
Vetë Sandberg është nënë e dy fëmijëve dhe ja ka dalë shumë mirë t’i rrisë ata me ndihmën e nevojshme. Ama siç edhe ajo ka thënë në intervistën në fjalë, leja e lindjes është një nga problematikat më të mëdha që po hasin sot zonjat, pasi shumë kompani refuzojnë ta japin, ose e shkurtojnë kohën e realizimit të saj./revistawho.com