• youuinsttaaffccbb
TEST
4, Instant Articles, Lajme

Sa ka ndryshuar moda në një vit? Gjithçka nisi nga një virus…

Nga Borana Baçi

Besoj se, si për shumë të tjerë, edhe për mua dikur fjala pandemi ishte një term të cilit i dihej vetëm kuptimi. Si e tillë, nuk kisha menduar asnjëherë që në vitin 2020 do të përjetonim një pandemi globale si kjo e Covid-19. Me gjithë impaktin që pati Covid-19 në ekonominë botërore, sigurisht që efekti do të ndihej në çdo industri, dhe këtu veçoj efektin që do të kishte në industrinë e modës, e cila nuk mund të përjashtohet apo të mos preket. Ndikimi kryesor besoj se do të vijë nga ndryshimi i paradigmës dhe perceptimit të konsumatorëve lidhur me produktet fashion.

Synimi kryesor te materialet – More Sustainable

Si për veshjet e femrave, ashtu edhe për të meshkujve, emëruesi i përbashkët tashmë ka filluar të jetë materiali. Gjatë dekadës së fundit, me një ndryshim më radikal nga më parë, konsumatorët priren të shkojnë drejt materialeve organike, miqësore ndaj mjedisit, si pambuk, lino e ndoshta edhe drejt atyre më ekonomike. Kërkesat kanë filluar dhe duket se gjithnjë e më tepër i përgjigjen realitetit të ri. Si rrjedhojë, synojnë të jenë drejt veshjeve më praktike, por jo domosdoshmërisht më pak cilësore.

Shprehja “nuk jam i pasur për të blerë lirë”, ndoshta nuk është aq e njohur për një pjesë të konsiderueshme të konsumatorëve ose mbase ka qenë më parë, por jo kaq e prekshme sa në këtë kohë.

Çfarë mund të kuptojmë me këtë? Individi do të jetë më i orientuar që t’i kanalizojë shpenzimet në produkte jetëgjata, të cilat fillimisht mund të mos duken të lira, por në një kohë afatgjatë, ky shpenzim apo investim do të rezultojë më i mirë. Shprehja nënkupton pikërisht këtë: nëse produkte me çmim të ulët mund të zgjidhin një nevojë momentale, për shkak të cilësisë, nuk zgjasin në kohë dhe konsumatori “detyrohet” të shpenzojë sërish apo më shpesh për produkte të tilla, ndërkohë që sasia mund të zëvendësohet me cilësi.

Gjithashtu, pjesa më e madhe e investimeve për shtresa mbi mesataren do të shkojë drejt artikujve dhe aksesoreve si çanta me vlerë, bizhu apo këpucë. Quhen me vlerë edhe për vetë faktin që trashëgohen në breza dhe në disa raste investimi në çanta krahasohet me atë të pasurive të paluajtshme.

Duke iu kthyer sërish shprehjes dhe kanalizimit të investimeve, kjo lloj zgjedhjeje nga konsumatori ndihmon në ekuilibrimin e gjithë zinxhirit, duke ulur sadopak kërkesat/konsumin dhe rrjedhimisht prodhimin, gjë që do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në mjedis.

Firma ndërkombëtare si “Zara” apo “Cos” kanë krijuar një kapsulë të veçantë rrobash të prodhuara vetëm nga materiale të riciklueshme.

 

The home-wear wardrobe – Komforti si kërkesë më e rëndësishme

Gjatë përshtatjes në kohën e pandemisë, por edhe më parë se të fillonte pandemia, ajo që konsumatori ka kuptuar apo e ka parë si të nevojshme, është se komforti qëndron përmbi gjithçka.

Të punuarit nga shtëpia ka bërë që veshjet të përshtaten edhe më tepër, si për mjedise të brendshme, ashtu edhe për të jashtme, duke synuar gjithmonë materialet më të rehatshme, siç mund të jenë pizhame më të sofistikuara, komplete me material si leshi apo mëndafshi etj. Sigurisht, këtu nuk dua të nënkuptoj që do të ulet pasioni për modën apo për të bukurën. Ajo që po perceptohet e bukur, ka brenda edhe elemente të tjera përveç paraqitjes.

Disa nga kompletet sportive mund të kenë mjaft klas, me material si kashmir, lesh etj., dhe një detaj tjetër: pa tegela. Elementi që vihet re të përdoret gjithnjë e më tepër është throw on robe – një formë robdëshambri, i cili mbulon veshjen e shtëpisë dhe bën të duket më e “denjë”. Kjo, për arsye se shtëpia së fundmi është kthyer në një mjedis shumëfunksional.

Kanë filluar dhe do të vazhdojnë të zhvendosen shpenzimet e konsumatorëve, duke kaluar nga këpucët me taka në atlete, këpucë loafers në këpucë pantofla për shtëpi dhe ndoshta për pak kohë do të vazhdojnë investimet në shalle, që do të shërbejnë si cover mask.

 

Kindness Economy – Ekonomia e lidhur me çështjet sociale

Një sjellje e re nga ana e shoqërisë ka filluar të lidhet me zhvillimet ndërkombëtare që kanë ndodhur në vitin 2020, si Black Lives Matter. Shoqëria do të vazhdojë të mbështetë marka të reja të themeluara nga njerëz me ngjyrë apo anëtarë të komunitetit LGBT. Me zhvendosjen e tyre në mentalitet, do të ketë dhe një zhvendosje në ekonomi, duke mundësuar kështu orientimin e shpenzimeve në mbështetje të këtyre bizneseve të reja, të lidhura me modën dhe kozmetiken.

Si shembull sjellim dyqanin “& Other Stories”, i cili ka nxjerrë një koleksion për joga për gratë me ngjyrë, dhe shumë firma të tjera kanë aplikuar këtë lloj stili lidhur me komfortin, duke përdorur materiale të riciklueshme.

Rilindja e modës, materialeve, interierit dhe estetikës së shtëpisë -Rikthimi në vitet `70

Pas Revolucionit Francez, me ndryshimet politike erdhën edhe ndryshimet në modë. Çdo gjë e lidhur me aristokracinë u zhduk, përfshirë edhe pudrat për flokët, kapëset e ndryshme apo aksesorë të tjerë me vlerë. Pas Luftës së Dytë Botërore, ku mbizotëronte varfëria dhe vështirësia për të siguruar rroba dhe ushqime, Dior ishte i pari që prezantoi fundet e gjata dhe korsetë, veshje që quheshin të pavend për kohën e luftës. Pra, kuptojmë se sjellja e shoqërisë dhe konsumatorit pas çdo çasti të vështirë në histori, sjell një revolucion.

 

Vitet `70 kanë shënuar një zhvendosje në shoqëri dhe kulturë, duke përdorur teknologji të reja dhe si rrjedhojë edhe materiale të reja. Një konstatim/parashikim i bazuar në intuitën personale, duke qenë se mendoj që shoqëria do të ketë një sjellje dhe reagim nostalgjik post-pandemik, do të lidhet me atë që ndodhi në vitet `70, jo vetëm si kthesë, por edhe si stil.

Ndikimi i modës do të shihet dhe në mënyrën e interierit të shtëpisë. Shtëpia ka kryer disa funksione duke filluar nga një vend i sigurt, në zyrë, restorant… Për këtë arsye është dashur ndërthurja e një vendi të rehatshëm, por edhe të paraqitshëm, me të gjitha telefonatat dhe komunikimet zyrtare. Nga ngjyrat që shohim gjatë viteve të fundit në estetikën e arredimit të shtëpisë, njerëzit drejtohen nga minimalizmi, megjithatë po shohim që në këtë kohë të ketë edhe një prirje për t’u larguar disi nga stili i ftohtë, duke ruajtur ngjyrat e tokës, por edhe duke i dhënë më shumë dritë hapësirave të banimit, që tashmë janë kthyer në shumëfunksionale.

Ndoshta do të lindë nevoja për të krijuar dhe një hapësirë ekstra, të pamenduar më parë, një formë “zyre e vogël”. Do të shihen më tepër format Back to Nature në interierin e shtëpive dhe një element tjetër Open Space, që ngjason me stilin e interierit të viteve `70: një dhomën ndenjjeje e gjerë, e zhytur, dhe një hapësirë e madhe për të mos ndier përjetimin e egër të lockdown-it. Gjithashtu, edhe përdorimi i aksesorëve si Room Separator apo pasqyra me moto Less is More, të Ettore Sottsass-it dhe ndoshta më shumë gjelbërim.

Me atë që po ndodh në botë aktualisht, industria e modës do të priret të shkojë drejt Inclusion, pra, drejt përfshirjes së nevojave të shoqërisë dhe t’i vlerësojnë ato aq sa për t’u ofruar zgjidhjen më të mirë. Produktet e së ardhmes do të jenë gjithnjë e më josintetike, pa kimikate, sustainable dhe miqësore për mjedisin.