• youuinsttaaffccbb
TEST
Në Kopertinë, Në shtëpinë e..., Who VIP

Rrëfimi/ Viti i Manjolës! Një vizitë për festa në shtëpinë e artistes së dashur shqiptare

Nga Eraldo Rexho / Fotot: Geljant Kaleci / Hair & Make Up: Gresa Kotri

Ditët e festave, kanë aftësinë të na bëjnë nostalgjikë… e në një prej tyre, teksa kërkoja një videokasetë të fëmijërisë zbulova një regjistrim, diku në moshën 5-vjeçare, ku në një darkë familjare gjatë festave të fundvitit, si më i vogli i familjes, pas një interviste të gjatë mbi lodrat dhe pjesëtarët më të dashur të shtëpisë, më pyetën edhe për këngëtaren e preferuar. Unë nuk iu përgjigja me një emër, por nisa të këndoja. “Dashurinë e parë dhurova, për të njohur një njeri dhe mësova unë të mos gaboj, kur e humba një dashuri”, – ishin vargjet që këndova në atë video… Ia dërgova menjëherë videokasetën Manjola Nallbanit, mikeshës sime të mirë, të  cilën kur isha fëmijë e kam pasur të pranishme në çdo ditë të gëzuar.

WHOONLINE207

Ftesën për të qenë në kopertinën e revistawho.com ia kisha bërë fill pas publikimit të albumit të katërt, por videoja që gjeta në shtëpi shërbeu si kujtesë për këtë bashkëpunim. Manjola tashmë ish kthyer nga Amerika, ku iu desh të shkonte për disa data koncertesh të pacaktuara. Në këto kushte ne ishim gati tashmë për të shkrepur fotot e kopertinës, që vjen në këtë ditë të fundit të vitit si një kartolinë urimi nga “WHO”. Për të qenë sa më konfidentë me lexuesit, i kërkova që kopertinën këtë herë ta realizojmë në shtëpinë e saj, ndryshe nga planet paraprake që kishim bërë dhe Manjola me gjithë rigorozitetin e saj për të mbajtur private jetën personale, këtë herë nuk ma prishi, tha “PO”.

WHOONLINE205

Është e premte, ora shënon 17:00 dhe ne jemi pak me vonesë. Gresa e ka përfunduar grimin e flokët dhe Manjola ka nxjerrë në dhomën e ndenjjes rrobat që do të veshë në set, për të zgjedhur më të mirat. Si gjithmonë, këshilluesja e saj më e mirë edhe në këtë rast është Sindi, vajza e vogël e këngëtares. Për ata që nuk e dinë, çdo punë e pedagoges së kantos në universitetin e arteve nuk e sheh dritën e publikimit pa marrë miratimin e vajzave, Megit dhe Sindit, si dhe të bashkëshortit të saj, Sokolit.

WHOONLINE208
Shtëpia e saj, i ngjan një shtëpie kukullash, ku në krah të bardhësisë së ëmbël, ndërthuren pana e lehtë, muret e një roze të zbehtë mbi të cilat si kujtime kohësh të shkuara vijnë kuadro të mëdha me korniza të arta, që i japin një shije fisnikërie panoramës mbretërore që të rrethon. Parketet e drunjta e bëjnë edhe më të ngrohtë shtëpizën, ndërsa ngjyrat e shumta të telajove i japin më tepër gjallëri. Dritëhijet e këndeve familjare krijojnë një atmosferë të këndshme, për t’u zhytur në rrëfime e mbamendje. Arredimi i shtëpisë ka qenë gjithnjë domeini i saj. Është kujdesur për çdo detaj e madje vazhdon ta bëjë. Në çdo udhëtim të sajin jashtë vendit, sa herë koncertet e çojnë nëpër skaje të ndryshme të botës, ajo sjell ndonjë gjë të re. Në mos kuadro, janë abazhurë, shandanë, statuja figurash historike, por edhe sende që përtej imazhit janë edhe të nevojshme. Këtë herë në ardhjen nga Amerika, ka sjellë me vete zbukurimet e pemës së Vitit të Ri. Lule, globe e balerina, i japin hijeshi një peme të gjelbër që qëndron në sallon, duke u bërë mbretëreshë e festës dhe simbol i saj. Kur na tregon pemën dhe na flet për zbukurimet, qesh dhe i kujtohet se në kthim kishte humbur valixhen dhe kur e kishin pyetur “si ta dallojmë”, pasi ishte menduar një hop, kishte thënë: “Do të gjeni një set filxhanësh në të”. Ne qeshim me këtë histori pasi ajo pemë s’do të ishte kaq e bukur pa këto detaje, megjithëse Manjola ka një dashuri të pamatë për atmosferën e festave.

WHOONLINE203

I pëlqen të shtrojë tryeza për miqtë, familjarët dhe mbi të gjitha i pëlqen të bëjë dhurata; blen shumë të tilla dhe e shijon çdo moment të përzgjedhjes së tyre, të paketimit dhe në fund, të dhurimit, sidomos kur këto dhurata janë për vajzat e saj, me të cilat ka një marrëdhënie shumë të afërt, ndaj të dhënët për to, është më shumë se kënaqësi.

WHOONLINE209
Por biseda kalon me dashjen tonë edhe në aspektin profesional. Ky ka qenë viti i Manjolës, pasi sukseset e panumërta nuk e kanë kursyer. Nëse merr parasysh të bëjë bilancin, ka shumë gjëra që i dimë edhe ne: ajo këtë vit prezantoi albumin e katërt, duke festuar kështu tri dekada plot sukses në muzikë, ka lançuar një videoklip të ri, atë të këngës “Ti linde për mua” dhe ka hapur stinën koncertore të orkestrës simfonike…

WHOONLINE206WHOONLINE204

Me një vit kaq të mbarë, festat e gjejnë gjithsesi në shtëpi. Në ndryshim nga vitet e shkuara, Manjola ka vendosur ta lërë të lirë mbrëmjen e ndërrimit të viteve për të shijuar gatimet e bëra vetë: gjelin e detit, ngrohtësinë që ta sjell vetëm shtëpia, megjithëse familjen e ka pasur  me vete kudo ku ka shkuar. Kështu, teksa të gjithë tani do të kenë shtruar tryezën festive, me të gjitha gatimet tradicionale të saj, ne dhe Manjola ju urojmë gëzuar 2016 nga shtëpia e artistes!

WHOONLINE202