Florjan Binaj ka qenë i ftuar për herë të parë në një studio televizive bashkë me babain e tij në ‘Ftesë në pesë’. Ata kanë treguar detaje për marrëdhënien e tyre si bab e bir dhe për familjen. Ndër të tjera ata folën edhe për fillesat e Florit në ‘Portokalli’.
Petrit Binaj rrëfeu se në atë kohë, Florjani kishte fituar audicionin për në ‘Portokalli’, por ai nuk dinte gjë. Më vonë e mori vesh që Agron Llakaj e kishte spikatur. “Unë nuk e lejova që të shkonte se në atë kohë e kapa duke pirë cigare dhe më pas u qeth qeros. Ai ishte qethur për rolin e tij, por unë mendoja se kishte marrë rrugë të keqe”, shpjegoi ai.
U realizuan disa telefonata të tjera dhe aktori iku në ‘Portokalli’ pa i lajmëruar. Ditën që spektakli do të shfaqej, ai i tha familjes ta shikonte me kujdes se do shfaqej një personazh i mirë. “Ishin ulur para televizorit dhe dola unë në skenë si Edi Rama. Prita për reagim, por asnjëri nuk po fliste. Fillova t’i pyes si ju dukej, por nuk po më njihnin. Vetëm gjyshja e dalloi zërin dhe më tha: Po si zëri yt ky mor bir. Babai nga ana tjetër na tha të pushonim se donte të dëgjonte skeçin dhe akoma nuk e kishte kuptuar që isha unë aty”, rrëfeu Flori.
“Që nga ai moment nuk ju nda më aktrimit”, shtoi i ati./revistawho.com