Receta e mishit të pulës me qull është një recetë e veçantë shqiptare, e cila përgatitet në cdo kohë dhe shumë shpejt. Përgatitja kërkon përbërës shumë të thjeshtë dhe krijon një vakt të bollshëm. Provoni ta gatuani sipas hapave dhe shijoni aromën dhe kombinimin e mishit me qull dhe erëza.
Përbërësit
500 gr mish pule
50 gr gjalpë
3 lugë gjelle miell
5 thelpinj hudhre
2 lugë çaji limon
Kripë
Piper
Pak majdanoz
Udhëzimet
Hapi 1Lajmë dhe pastrojmë mishin e pulës. Në një tenxhere vendosim pak gjalpë dhe e vendosim në zjarr. Shtojmë mishin e pulës dhe e përziejmë.
Hapi 2Shtojmë ujë në tenxhere, aq sa mishi i pulës të mbulohet.
Hapi 3Në një tenxhere të dytë vendosim miellin dhe pak gjalpë. I përziejmë deri në momentin që mielli merr ngjyrë të verdhë. Shtojmë në tenxhere pak nga lëngu i mishit të pulës, që u përgatit në tenxheren e parë.
Hapi 4Përziejmë me kujdes miellin me lëngun e mishit dhe gjalpin, derisa masa të mos mbetet e kokrrizuar, por të marrë formën e një salce të plotë.
Hapi 5Pasi qulli të jetë formuar në masë të njëtrajtshme, e vendosim në tenxheren e parë ku po ziejmë mishin.
Hapi 6Shtojmë kripë, piper dhe hudhra, dhe e lëmë në zjarr të ulët.
Hapi 7Kur shohim që mishi është zbutur dhe është gatuar, e heqim nga zjarri. Shtojmë pak limon dhe shumë pak majdanoz të grirë imët.