Hummus libanez i përgatitur në shtëpi është shumë i lehtë për t’u bërë, i shijshëm, i shëndetshëm dhe kërkon vetëm disa përbërës të thjeshtë. Shija e tij unike vjen nga tahini, një pastë e trashë e përbërë nga fara susami. Ai mund të gjendet në supermarket dhe është shumë i ushqyeshëm. Hummus është i pasur në proteina dhe vitaminë C, dhe është një burim i shkëlqyer i vitaminës B6.
Përbërësit
500 gr qiqra
1 ½ litër ujë
100 gr tahini
100 ml vaj ulliri
70 ml lëng limoni
3 thelpinj hudhre
2 lëkura limoni
1 lugë çaji kumin
Pak piper pikant
- Hummus Libanez është një pastë shumë e shijshme për të lyer sandwich-in. Ai kombinohet shumë mirë me feta mish gjeldeti dhe me perime si kastraveci dhe karrota.
- Shërbejeni si një salcë kremoze për të shoqëruar sallatën, duke e holluar me pak vaj ulliri dhe ujë. Shkon shumë me sallatat me gjethe të errëta.
- Shoqërues shumë i mirë për mishin e pjekur të pulës.
Udhëzimet
Hapi 1Marrim një enë dhe e mbushim me ujë. Në të vendosim qiqrat, të cilat duhet të qëndrojnë në ujë për 12 orë.
Hapi 2Enën e vendosim në zjarr për t’u zier, deri sa qiqrat të jenë zbutur mirë. Për të kontrolluar nëse janë zier, shtypni një prej kokrrave me gisht. Nëse shtypen lehtë dhe ndihen të buta, atëherë janë bërë dhe mund t’i heqim.
Hapi 3Thajmë qiqrat në një enë dhe një pjesë të lëngut e ruajmë, sepse mund të na nevojitet më vonë. I vendosim në multi–mikser, shtojmë kuminin, lëngun dhe lëkurën e limonit, vaj ulliri, hudhër, piper, tahini dhe pak ujë nga qiqrat (nëse e shohim të nevojshme).
Hapi 4E përziejmë shumë mirë, deri sa të formohet një masë kremoze.
Hapi 5E provojmë që të ketë shijen që na pëlqen. Nëse është ashtu siç duhet, e vendosim në një kupë dhe i hedhim sipër pak spec djegës, përsëri vaj ulliri, limon, kumin dhe qepë (sipas dëshirës dhe shijes).
Hapi 6E shërbejmë menjëherë ose e mbulojmë dhe e ruajmë në frigorifer.