• youuinsttaaffccbb
TEST
Intervista, Në Kopertinë

Premtimi i Valbona Memës dhe një rrëfim për familjen në fundvit

Fotot: Endrit Mërtiri / Hair & Make Up: Frida Beja

Valbona Mema nuk është vetëm këngëtarja e suksesshme, të cilën e duartrokasim prej vitesh në skenat shqiptare dhe jo vetëm. Ajo është gjithashtu një grua shumë e fortë. E vetme, këngëtarja jo vetëm ka bërë përpara në karrierë, por edhe ka rritur dy fëmijët e saj. Këto ishin amanetet që i la dashuria e jetës së saj, ai i cili iku më herët se sa duhej nga kjo botë. Teksa flet me Valbonën, të duket sikur Sokoli është aty. Ai ndodhet në çdo fjalë të saj, në çdo shikim të mirëmenduar, në çdo buzëqeshje e pa dyshim, në çdo notë. Plot 15 vjet më parë, ata u ndanë fizikisht, por vazhdojnë të jetojnë bashkë edhe sot përmes artit që i mësuan njëri-tjetrit. Valbona i bëri Sokolit një premtim, të cilin arriti ta mbante përtej çdo vështirësie. Në një rrëfim të sinqertë e shumë të ndier, ajo ndan gjithçka me lexuesin tonë.

WHOONLINE162

Si po i pret festat? Ku do të të gjejnë datat festive?

Do të gënjeja sikur të të thosha që po i pres e lumtur. Gjithsesi, në datën 24 dhjetor do të jem në Boston, ndërsa natën e ndërrimit të viteve do të jem në Toronto e mandej në Nju Xhersi. Pra, ditët e festave i kam të zëna me punë dhe më vjen keq që prej 15 vjetësh nuk i kaloj ato pranë familjes sime.

Festat përkojnë edhe me një përvjetor të rëndësishëm në familjen tuaj, përvjetorin e Sokolit. Çfarë ndjen sot?

Po, është e vërtetë. Data 24 përkon me 15 vjetorin e humbjes së bashkëshortit tim. Është një dhimbje shumë e madhe. Ajo që do të doja më shumë në këtë botë, është që ta shihja edhe një herë. Të më mbushte përsëri me forcë, të më këshillonte e të më jepte mësime ashtu siç më ka dhënë gjithmonë, sepse ai ka qenë mësuesi im i parë. U bënë 15 vjet pa të, e ndiej shumë mungesën e tij, ndihem sikur nuk kam gjysmën time. Ai ka qenë, është dhe do të mbetet dashuria e jetës sime!

5

Rrite e vetme dy fëmijë. Sa e vështirë ka qenë kjo për ty?

Nuk është e lehtë të rrisësh dy fëmijë e vetme. Asokohe ata ishin shumë të vegjël. Veç kësaj, m’u desh edhe të përballesha me jetën midis pasionit dhe dhimbjes. Dhimbja ime ishte shumë e madhe, por edhe pasioni për këngën ishte gjithaq  i madh. Megjithatë vendosa t’i përkushtohesha amanetit të tij, karrierës sime, këngës, dhe ja ku jam sot falë mësimeve që ai më ka dhënë gjithë jetën. Nga ana tjetër, ndihem krenare si nënë. Fëmijët e mi sot janë të zotët e vetes, të edukuar dhe të  shkolluar. Më kuptojnë kur jam e lodhur, e kuptojnë sakrificën që bëj dhe mendoj se ata do të bëhen dikush në jetë.

Ndihesh e realizuar sot?

Për sa i takon karrierës, duhet ta pranoj se kam ende shumë për të bërë. Por edhe nga ana shpirtërore, nuk ndihem plotësisht e realizuar.

Si është t’i kalosh festat në punë, larg fëmijëve?

Kështu e ka profesioni ynë. Unë jam gjithmonë larg tyre për  festa. Asnjëherë nuk festoj, puna ime është t’u jap të tjerëve lumturi e gëzim përmes zërit tim, kudo që të jem. Sidomos kur ndodhem përtej oqeanit. Por është e vështirë sepse kur të gjithë janë të lumtur pranë të dashurve të zemrës, familjeve të tyre, unë ndihem bosh. E di që dhe ata ndihen keq, pavarësisht se mua nuk ma thonë asnjëherë dhe më urojnë gjithmonë. Në atë moment edhe unë fsheh lotët që të mos m’i shohin e u them: “Gëzuar, shpirtërisht jam me ju”, nga larg.

3

Bën shumë dhurata gjatë kësaj periudhe?

Të them të drejtën unë nuk bëj shumë dhurata, më tepër marr. Më bëjnë dhurata fëmijët dhe më bëjnë shumë të lumtur. Megjithëse prej tyre mjafton një fjalë goje që të më mbushet shpirti plot. Dikur më bënte dhurata edhe im shoq. Qëkur ai nuk është më, nuk marr dhurata të asnjë lloji tjetër.

Për çfarë i lutesh Zotit?

Nëse do të më pyesnit 15 vjet më parë se për çfarë i lutem Zotit, do t’i kërkoja që Sokoli të ishte pranë meje, fëmijëve, prindërve, familjes, të dashurve, kolegëve, shumë njerëzve që e donin, sepse ai ka qenë një artist i madh. Ndërsa sot, Zotit i lutem të kemi shëndet unë e fëmijët, dhe të gjithë njerëzit tanë. Pa shëndetin nuk mund të bësh asgjë.

Kur do të sjellësh diçka të re për publikun?

Në fakt, shumë prej fansave të mi më pyesin shpesh përse nuk po nxjerr ndonjë material të ri. E vërteta është se po mendohem mirë, sepse jam duke përfunduar librin tim që do të përkojë edhe me daljen e albumit. Libri me titull “Mes pasionit dhe dhimbjes” është edhe shkaku i vonesës sime. Uroj që t’i publikoj sa më shpejt, si librin edhe albumin. Nëse do të shihja dikë të mërzitur, do t’i thosha të mos jetë, sepse jeta është shumë e gjatë e na përball me sprova e sfida. Nëse do të shihja dikë që nuk ka për të ngrënë, do t’i thosha merr bukë nga buka ime e shëndet nga shëndeti im. Nëse do të shihja dikë që qan, do t’i thosha të qeshë. E nëse dikush do të më urojë, do t’i jepja urimin tim. Gëzuar, të gjithë shqiptarëve!

WHOONLINE16