• youuinsttaaffccbb
TEST
Shëndet

Përse nuk po reagon “kura ime” për aknet…

Nga Migena Gega – Dermatologe / SkinTechDermaCenter.

Ndoshta shumë prej jush janë duke përdorur mjekimin për aknet (puçrat), çdo ditë rresht dhe prapë shikoni që ju dalin puçra të reja gati përditë.”Çfarë po ndodh” është pyetja më e shpeshtë që bëni. Përse nuk po bëjnë punë mjekimet për puçrat?

Mjekimet për aknet duan 12 jave që të fillojnë të veprojnë

Ne të gjithë duam ta shohim lëkurën tonë të pastruar sa me shpejtë, dhe po ashtu duam që mjekimi të fillojë të veprojë brenda natës. Është shumë dëshpërues fakti që nuk po shohim veprim të mjekimit. Por nëqoftëse ju keni filluar një mjekim për aknet prej disa javësh, apo muajsh është shumë normale të mos ndjeni ndonjë përmirësim të dukshëm.

A do të thotë kjo që mjekimi juaj nuk po funksionon? Absolutisht jo

Që një mjekim i tillë të fillojë të funksionojë duhet të paktën 8 jave, në mënyrë që ju të shikoni një ndryshim në lëkurën tuaj dhe përmirësimi përgjithësisht fillon të ndihet javen e 12-të të mjekimit (vlen të përmendet fakti që mjekimi të përdoret rregullisht sipas udhëzimit të mjekut). Edhe diçka që mund të duket e parëndësishme si psh të harroni mjekimin për një apo dy ditë, mund të pengojë që ata të veprojne maksimalisht.

Vazhdojnë t`u dalin puçra edhe gjatë mjekimit

Shumë njerëz presin që puçrat të zhduken menjëherë sapo fillon mjekimin. Në të vërtetë ju do të vazhdoni të keni shpërthim të puçrave edhe pas fillimit të mjekimit për një periudhe kohe. Kjo nuk do të thotë që nuk po bën efekt mjekimi. Këto puçra kanë ekzistuar, nën sipërfaqen e lëkurës tuaj edhe përpara se të merrnit mjekimin. Me kalimin e kohës ju do të vini re që shpërthimet e akneve po pakësohen dhe po shërohen më me lehtesi. Kjo është një shenjë që mjekimi po fillon të veprojë. Në shumë raste mund të duket që lëkura po bëhet më keq përpara se të bëhet mirë. Prapë këto janë puçra që kanë qenë më përpara të formuara në poret tuaja të bllokuara. Edhe pse kjo mund të duket shumë e bezdishme dhe shqetësuese duhet të kuptoni që është vetëm pjesë e procesit të pastrimit të lëkurës.

Ju mund të keni nevojë për të ndryshuar mjekimin

Sigurisht jo të gjithë mjekimet për akne funksionojnë njësoj për të gjithë njerëzit. Në qoftë se ju i keni dhënë kohë mjekimit të pakten 10-12 javë për të vepruar dhe nuk keni parë asnjë ndryshim ju mund të keni nevojë për një ndryshim në mjekimin tuaj. Në qoftë se po përdorni produkte pa recetë, mund të jetë e nevojshme të përdorni mjekime të rekomanduara nga mjeku dematolog. Nuk është e pazakontë që ju të përdorni mjekime të ndryshme derisa të arrini të gjeni të duhurin që bën punë për lëkurën tuaj. Ky është një proces shumë i mërzitshëm, por kujtoni që nëse bëni durim trajtimi i duhur do ju drejtojë drejt rezultatit të dëshiruar.

Është një situate shumë tunduese për ju që të ndërprisni mjekimin kur shikoni që po shfaqen efektet e padëshiruara të preparatit, si tharje, skuqje apo rrjepje e lëkurës. Lajmi i mirë është që efektet anësore fillojnë të zbehen pas javëve të para të mjekimit.

Vazhdoni të ndiqni me përpikmëri mjekimin e përshkruar nga mjeku juaj, ndiqni vizitat e rregullta, veçanerisht nëse nuk po shihni përmirësim të puçrave. Në qoftëse trajtimi fillestar nuk po funksionon dermatologu juaj mund të rekomandojë një mjekim tjetër. Mund të duhet pak kohë ndonjëherë për të gjetur kombinimin e përshtatshëm për lëkurën tuaj.

Gjithnjë përpiquni të flisni hapur me mjekun tuaj dhe nëse të gjitha provat kanë dështuar është normale të kërkoni të ndryshoni dermatolog, por vetëm nëse keni provuar protokolle të ndryshme mjekimi dhe i keni lëne mjaft kohë mjekimit të rekomanduar për të vepruar në mënyrën që të mos endeni nga mjeku në mjek. Përpiquni të jeni të duruar dhe prisni për rezultatet që doni shërimi nuk ndodh brenda një nate.