• youuinsttaaffccbb
TEST
Vetëm në WHO

Pas karantinës, këto janë emisionet e reja që do nisin në televizionin shqiptar

Për shkak të situatës së Covid-19, shumë emisione kanë njoftuar ndërprerjen e tyre deri në një rikthim të dytë. Po ashtu edhe disa emisione të reja që publiku mezi priste të fillonin, ende nuk kanë nisur transmetimin. Por me siguri me të mbaruar kjo situatë, këto emisione do t’i shohim shumë shpejt në ekran.

“Take me out Albania” është një nga emisionet që do të niste gjatë këtyre muajve. Audicionet e këtij emisioni nga Luana Vjollca kanë mbaruar dhe pritet që transmetimi të nisë sapo të mbarojë karantina. Ky emision është një ‘dating show’, ku të rinj e të reja do të njihen me njëri-tjetrin për të gjetur një partner.

Alketa Vejsiu do të rikthehet në shtator me një emision të ri. Moderatorja e ka bërë të ditur këtë prej disa kohësh, por jo vetëm kaq. Alketën do ta shohim edhe në një projekt italian. “Do shihemi shpejt jo vetem me Piter Pan por me disa projekte te reja qe pres me padurim t’i ndaj me ju! Brenda dhe Jashte Shqiperie! Korona nuk do zgjase pergjithmone dhe jeta do kthehet aty ku e kishim lene!”-ka shkruar Alketa në rrjete sociale.

Albana Osmani, moderatorja e cila për një kohë të gjatë i ka munguar publikut, ka njoftuar rikthimin në ekran. Në një intervistë për “Vizioni i pasdites”, Albana la të kuptohej se së shpejti do e shohim në Vizion plus. Albana nuk e ka bërë ende të ditur në cilin format do ta shohim.

Kiara Tito gjithashtu do të rikthehet në ekran me emisionin “Style star show”. Ky do të jetë një emision mode, fushë të cilën Kiara e njeh shumë mirë. Prej disa muajsh moderatorja ka punuar për këtë projekt i cili pritet të fillojë sapo të mbarojë kjo situatë.

Po ashtu edhe mikesha e Kiarës, Liesa Haxhiasllani do të rikthehet në ekran me një emision showbizi. Këtë e bëri të ditur vetë Liesa e ftuar në emisionin “Ditë e re”, ku zbuloi se shumë shpejt do të rikthehet me një emision që do të transmetohet çdo ditë dhe do të ketë intervista, personazhe e dinamikë./revistawho.com