E shohim çdo javë në emisionin e humorit “Portokalli” teksa argëton publikun në sallë dhe jo vetëm, me rolet dhe batutat e tij. Bëhet fjalë për aktorin e ri Alex Seitaj i cili nuk e ka pasur aspak të lehtë të luftojë kundër sfidave që ka hasur në jetë.
Në një intervistë për “Panorama Plus” aktori ka treguar se në shkollë ka vuajtur nga bulizmi, më pas ka pasur probleme me ankthin dhe depresionin të cilat e çuan deri në mendimin për vetëvrasje, të cilat tashmë janë thjesht kujtime të së shkuarës.
“Gjëja që falënderoj veten më shumë është që, edhe pse ka qenë shumë e vështirë, asnjëherë nuk kam hequr dorë. Edhe pse mund t’i kisha të gjithë kundër, jam përpjekur të bëj çdo gjë që kam pasur në mendje. Gjykimi dhe sulmi i të tjerëve mund të të pengojë të veprosh, e megjithatë çdokush e di atë që ka në zemër dhe të tjerët nuk vlejnë asgjë përpara asaj ndjesie. Është mëkat të mos guxosh vetëm sepse të tjerët mund të të tallin apo të reagojnë keq. Dhe në fund, sigurisht, që do të triumfosh. Kam folur për këtë gjë, edhe për t’u dhënë zemër atyre të rinjve që janë tani në situatën që isha unë kohë më pare”-ka thënë Alexi.
Nga ana tjetër aktori tregon dëshirën që historia e tij të shërbejë si sensibilizim për të gjithë ata që janë duke vuajtur me ankthin dhe depresionin.
“Tani ajo periudhë është shndërruar për mua si një burim frymëzimi. Unë kam vazhduar të flas kundrejt sensibilizimit të njerëzve ndaj problemeve psikologjike dhe mendore, si depresioni apo ankthi. Më vjen mirë që shumë më kanë shkruar, duke u identifikuar me historinë time dhe duke kuptuar që me guxim dhe ndihmën e duhur gjithçka do të shkojë mirë. Në fund të fundit, historia ime nuk është një histori dorëzimi, por mbijetese. Dhe këtë duhet ta dinë të gjithë ata që po kalojnë kohë të vështira në jetën e tyre”-ka treguar aktori.\revistawho.com