Anxhela Peristeri ishte e ftuar në “E Diell” ku tregoi të gjithë rrugëtimin e saj për në ‘Eurovizion’, promovimin e këngës dhe emocionet. Ndër të tjera ajo sqaroi edhe disa keqkuptime që kanë lindur këtë periudhë.
I pari ishte një lapsus gjatë intervistës që Anxhela po realizonte me portalin ndërkombëtar ‘Wiwibloggs’. Teksa intervistohej, këngëtarja nuk po e gjente fjalën në anglisht për mbylljen nga pandemia dhe bëri një gjest si sharrë, i cili u komentua shumë.
“Ne nuk kemi shkuar në Eurovision për të treguar sa mirë dimë të flasim, por sa mirë dimë të këndojmë edhe pse në fakt flas 5 gjuhë të huaja”,- tha ajo.
Anxhela sqaroi në vazhdim edhe deklaratën e dhënë për televizion publik grek ERT1 gjatë edicionit të lajmeve për origjinën e saj: “Po e sqaroj. Unë jam shqiptare, jam lindur në Shqipëri. Prindërit e mi janë lindur dhe rritur në Shqipëri, por siç e kam thënë gjithnjë, kam një prejardhje nga stërgjyshi nga Greqia, por kjo nuk do të thotë që jam greke.”
Më tej Anxhela rrëfeu se kur ka kënduar për herë të parë ‘Karma’ në Greqi në gjuhën shqipe, ka marrë shumë mesazhe sepse pati jehonë dhe emigrantët shqiptarë ishin përmalluar.
Anxhela Peristeri këndon në Eurovizion në datën 20 Maj 2021, e 11-ta në rradhë./revistawho.com