• youuinsttaaffccbb
TEST
Intervista, Në Kopertinë

Nora dhe Roberti, intervista e parë si burrë e grua

Nora Istrefi dhe Robert Berisha, në intervistën e parë si burrë e grua. Një bisedë me Eraldo Rexhon, për dasmën, dashurinë 8-vjeçare dhe të ardhmen që i pret…

Ajo zgjodhi të mos dalë nuse nga shtëpia. Ai zgjodhi ta organizojë vetë dasmën. Ata të dy, çifti më i ri i showbiz-it, vijnë në të parin rrëfim si bashkëshortë. Ekskluzivisht për “Who”, Nora dhe Roberti kanë zgjedhur të ndajnë me ne, emocionet e para, përgatitjet që i paraprinë dasmës me 350 të ftuar, ndarjen e detyrave dhe projekteve për të ardhmen. Pak ditë më parë, e kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë me një ceremoni mbresëlënëse, të kuruar deri në detaje. Sot, ata tregojnë dëshirën për fëmijë, muajin e mjaltit mes Amerikës dhe bregdetit, marrëdhënien me vjehrrat dhe shtëpinë e re ku do të vendosen shtatorin që vjen.

Unazat? Kanë vendosur të mbajnë ato të fejesës, të blera me shumë dashuri në New York vite më parë, mbi të gjitha sepse, për Norën dhe Robertin, ato kanë një vlerë të madhe sentimentale. Pas tri vitesh bashkëjetesë, ndër të paktat gjëra që ndryshon është mbiemri i Norës, që tashmë do të jetë: Nora Istrefi Berisha.

Nora dhe Robert, më në fund të martuar, si ndiheni?

TË DY: Si gjithmonë, shumë të lumtur dhe të dashuruar.

Sa kohë keni që e mendoni këtë vendim?

TË DY: Jo shumë, me thënë të drejtën, e kemi vendosur gjithçka shumë shpejt.

Është folur disa herë për martesën tuaj, pse pikërisht tani? Tani u bindët?

ROBERTI: Nuk ka shumë lidhje me bindjen. Ne kemi qenë që vitin e parë të bindur për dashurinë ndaj njëri-tjetrit, por për disa arsye vendosëm që në këtë tetëvjetor të celebrojmë dashurinë në martesë. Kanë qenë mediat ato që e kanë trashur shumë këtë muhabet, duke na pyetur në çdo intervistë “kur do martoheni?”. Ja, më në fund u martuam, ua bëmë qejfin (qeshin).

Sa kohë ju është dashur për ta përgatitur dasmën?

ROBERTI: Ka qenë fundi i qershorit koha kur vendosëm për ta bërë dasmën këtë shtator. Ishte një kohë shumë e shkurtër për t’u përgatitur. Nëse s’besoni, e kemi bërë gjithçka për dhjetë ditë! Edhe ftesat, rezervimin e hotelit, gjithçka.

Kush është marrë me përgatitjet?

NORA: Jemi kujdesur të dy për pjesët që na takonin. Megjithatë Roberti ka qenë më shumë i përfshirë në organizimin e gjithë gjësë. Unë kam qenë pak më e tërhequr, jam marrë më shumë me veten dhe dekorimin. Fundja për këtë është burri, që t’u japë drejtim gjërave! Të kishte qenë për mua, dasma do të vonohej edhe ca (qesh).

Po për dukjen tuaj, kush është kujdesur?

NORA: Sa i takon dukjes sime, make-up artist ka qenë Vjosa Ahmetaj, flokët janë kuruar nga Kaci Lleshi, ndërsa fustanet janë stiluar të gjitha nga Valdrin Sahiti.

ROBERTI: Unë jam marrë vetë me të gjitha. Edhe kostumin e kam zgjedhur po vetë.

Sa të ftuar kishit?

NORA: Gjithsej kanë qenë 350 të ftuar. Donim të kishim miqtë më të afërt, por, duke qenë se të dy kemi një rreth të gjerë shoqëror, u përhapëm në shokët e përbashkët.

Nuk u panë shumë figura të skenës; nuk i kishit ftuar apo nuk erdhën?

ROBERTI: Për shkak të numrit të kufizuar të të ftuarve, disa kolegë të mirë nuk mundëm t’i ftonim dhe për këtë u kërkojmë ndjesë, por të tilla ishin pozitat tona. Kosova, Shqipëria, Maqedonia kanë shumë figura publike; po t’i kishim ftuar të gjithë, me siguri do të duhej një sallë shumë e madhe që t’i nxinte brenda. Disa prej të ftuarve kanë qëlluar me pushime dhe për pasojë nuk kanë mundur të jenë prezentë në dasmë.

Do të ketë muaj mjalti?

TË DY: Do të ketë një javë mjalti, se një muaj ende nuk kemi luksin ta shijojmë (qeshin).

Ku do të shkoni?

ROBERTI: Do të shkojmë disa ditë në Amerikë dhe pastaj do të shfrytëzojmë një vend bregdetar, – të cilin nuk e kemi vendosur akoma, – për të pushuar disa ditë, pasi e meritojmë. Jo vetëm prej dasmës, por edhe për shkak të angazhimeve të shumta që kemi pasur gjatë verës me koncerte, si unë, ashtu edhe Nora.

Ju zgjodhët të mos shkëmbenit unaza në dasmë, pse kështu?

ROBERTI: Unazat i kemi shkëmbyer një herë gjatë fejesës, përpara gjashtë viteve. Kemi rënë në ‘dashuri’ me to, sapo i pamë në një argjendari në New York dhe, për pasojë, duke qenë se ato kanë një vlerë të madhe sentimentale për ne, vendosëm të mos i ndërrojmë.

Çfarë ndryshon kjo martesë në marrëdhënien tuaj?

TË DY: Asgjë. E cekëm edhe më lart, ne dashurinë e kemi pasur gjithmonë për njëri-tjetrin. Kjo natë thjesht na shtoi emocionet.

E ka marrë Nora mbiemrin Berisha?

NORA: Po, në pasaportën time të re tani shënohet: Nora Istrefi Berisha.

Nora, si e përjetove largimin e përhershëm nga shtëpia?

NORA: Duke qenë se prej tri vitesh tashmë unë bashkëjetoj me Robertin, vendosëm që ta shmangnim këtë ritin e daljes së nuses nga shtëpia. Gjithsesi nuk e kam përjetuar keq. Unë takohem çdo ditë me familjarët e mi; herë vijnë ata te ne, e herë shkoj unë te ata.

Keni hyrë në shtëpinë e re?

ROBERTI: Jemi ende në pritje të përfundimit të punimeve. Kompleksi i shtëpive ku ne do të zhvendosemi do edhe disa kohë që të përfundojë, kështu që besojmë se deri shtatorin tjetër do të jetojmë këtu ku jemi prej tri vitesh.

Është Nora zonjë shtëpie?

ROBERTI: Nora është një zonjë e vërtetë shtëpie! Kujdeset vetë për shumë gjëra. Sigurisht kemi edhe një zonjë, që ndihmon në punët që Nora nuk mundet t’i kryejë për shkak të angazhimeve të shumta.

Kush qeveris në shtëpinë tuaj?

NORA: Kemi bërë koalicion parazgjedhor, jemi 50 me 50. Të gjitha vendimet i diskutojmë me njëri-tjetrin.

Keni në plan të shtoheni me një fëmijë?

TË DY: Dëshira është e madhe, por gjithçka është në dorë të Zotit. Ne do të bekohemi kur Ai të vendosë për ne.

Sa fëmijë dëshironi të keni?

ROBERTI: Unë i dua fëmijët shumë. Nuk do të më pengonin nëse do të kisha 5 apo 6. Ka lezet shtëpia me shumë fëmijë, por di që Nora ka dëshirë të ketë 2.

Si i keni marrëdhëniet me vjehrrat respektive?

NORA: Kam një marrëdhënie të shkëlqyer me mamin e Robertit. Ne jemi prej vitesh tashmë një familje.

ROBERTI: Vjehrra ime Suzana, është një shoqe e imja. E kam shumë problem ta quaj vjehrrë. Gjithashtu edhe Nora shkon shumë mirë me nënën time, Teutën; mua më duket sikur e ka teze ose motër, aq të afërta janë.

Cili ishte momenti më i bukur në dasmë për secilin prej jush?

TË DY: Momenti më i bukur ka qenë kur kemi mbërritur në sallë dhe kemi parë të gjithë të afërmit e miqtë tanë që ishin mbledhur aty për të gëzuar bashkë me ne.

Robert, zgjodhe t’i bësh një dedikim me këngë Norës, pse kështu?

ROBERTI: Unë merrem me muzikë prej 20 vitesh. Prej dy dekadash bëj back vocal-et e Sinan Vllasaliut, mikut tim, kudo që performojmë së bashku. Duke qenë se jam i kësaj fushe, mendova që t’i kushtoj një këngë dashurisë së jetës sime.

Tani që e provove veten edhe në këngë, keni në plan ndonjë duet?

Unë në muajin tetor do hap studion time dhe aty do kemi mundësi të eksperimentojmë mjaftueshëm, si unë, ashtu edhe Nora. Ndoshta, ku i dihet, na mbushet mendja të bëjmë një këngë bashkë.

Leave a Reply