Pas lajmit për arrestimin e Noizyt, dalin edhe detajet që zbulojnë se bëhej fjalë për një ndalim. Kjo për arsye se reperi nuk ka pranuar t’i bindet policisë. Sipas raportimeve të agjencisë së lajmeve “Panorama”, ai ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij, kur është ndaluar nga efektivët e rrugores. Policët i kanë kërkuar dokumentet dhe lejen e drejtimit, por Noizy i ka thënë se nuk e kishte me vete, pasi e kishte lënë në banesë. Policia ka bërë verifikimin e targës dhe ka rezultuar se ai kishte shumë gjoba të pashlyera. Për këtë policia i ka komunikuar shoqërimin në komisariat. Këngëtari ka kundërshtuar dhe në një moment i ka dhënë gaz makinës dhe ia ka mbathur me shpejtësi. Policia i është vënë në ndjekje dhe ka mundur ta ndalojë. E ka shoqëruar në polici dhe e ka mbajtur aty derisa këngëtarit i kanë sjellë patentën dhe ka paguar gjithë detyrimet e gjobave. Më pas e kanë lënë të lirë dhe po hetohet në gjendje të lirë.
Policia: Ja pse e ndaluam
këngëtarin Policia e Durrësit ka zbardhur detaje nga ndalimi i këngëtarit. Komisariati i Policisë Durrës filloi procedimin penal në ngarkim të shtetasit Rigers Rajku 30 vjeç, banues në Durrës. Më datë 16.12.2016, në segmentin rrugor Ura e Dajlanit-Plepa, duke drejtuar mjetin tip Benz me targa AA 517 MT, është ndaluar nga Efektivet e Qarkullimit Rrugor. Uniformat blu i kanë kërkuar dokumentacionin e mjetit dhe nga kontrolli u evidentua se nuk kishte leje drejtimi me vete dhe gjoba të papaguara. Në vijim i është dhënë urdhër që të shoqërohet në ambientet e Komisariatit, (deri në momentin që ndonjë person të sillte lejen e tij të drejtimit dhe të paguante gjobat), por ai nuk i është bindur punonjësve të policisë dhe është larguar së bashku me mjetin. Menjëherë Efektivet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e tij së bashku me mjetin në Komisariat. Mjeti është sekuestruar. Pas kryerjes së veprimeve procedurale materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale”Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”parashikuar në nenin 242 të Kodit Penal.