• youuinsttaaffccbb
TEST
2, Breaking News, Instant Articles, Lajme, Një koktejl me...

Për një koktejl me Bieta Sulon: Raporti im me Albanin, njësoj si ‘vodka sour & fruit passion’ – pasion dhe pak e thartë që…

Nga Xhuljana Lakuta

Vera e këtij viti, na i ka kushtëzuar mundësitë për të takuar miqtë që duam shumë; na e ka bërë më të vështirë të festojmë, t’i gëzohemi orëve të vona, pijes, muzikës… Por “Who” ka menduar që të sjellë në muajin më të nxehtë të vitit, një ftesë për personazhe të njohur të jetës publike. Njësoj si në banakun e një lounge bar, me pijen e preferuar përpara, do të bisedojmë me ta për të mësuar të thëna e të pathëna, njësoj si përpara një, dy… e më shumë koktejlesh. E para që e pranoi ftesën tonë, është ajo që dërgon çdo pasdite një ftesë në shtëpitë e shqiptarëve. Bieta Sulo, e ka ndryshuar sot orarin e takimit me ju, njësoj si edhe rolin. Sot pyetjet i bëjmë ne dhe përgjigjet i jep ajo!

Një vit i suksesshëm për ‘Ftesë në 5’, programi që prej dy vitesh mban autorësinë dhe moderimin tuaj, çfarë do të ndryshojë pas 2 sezonesh televizive?

Përsa kohë një program është i suksesshëm nuk mendoj që ka nevojë për ndryshime, pasi teleshikuesit janë familjarizuar me atë format dhe organizim të emisionit dhe presin të shohin dhe të gjejnë po atë kënaqësi edhe në sezonin e ri. Ndonjëherë fjala “ndryshim” përdoret thjesht si truk për të ngritur kurreshtjen e njerëzve, por ja që edhe nga mospërdorimi i kësaj fjale nuk ke pse të kesh frikë.
Madje madje të ndihesh mirë që nuk ka ndryshime, pasi emisioni i pasdites në “Top Channel” ka vuajtur pikësisht nga ndryshimet e shpeshta të moderatorëve dhe autorëve, duke i lënë kështu fushën bosh televizioneve të tjera. Ndërkohë që me “Ftesë në 5” po thyhet një rekord (qesh), për të cilin jam shumë e lumtur. Normalisht në shtator nis sezoni i tretë i një emisioni pasditeje në “Top” me të njëjtën autore dhe moderatore. Më herët, maksimumi dy sezone ka vijuar emisioni me të njëjtin staf. Ky është fakt i padiskutueshëm i mbarëvajtjes dhe suksesit të “Ftesë në 5” dhe për këtë arritje i jam shumë mirënjohëse të gjithë mbështetësve dhe teleshikuesve jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni e Diasporë.

A ishte periudha e pandemisë – ndonëse e vështirë për të gjithë – një moment suksesi për ty?

Në ato ditët e para të mbylljes së madhe për shkak të pandemisë, të flisje për sukses të emisionit ishte luks i madh, pasi televizionet si shumë aktivitete të tjera ishin në kushte mbijetese. A do të mund të vazhdohej dot transmetimi pa të ftuar në studio? A do të mundej nga pikëpamja shëndetësore edhe vetë stafi brenda televizionit të qëndronte në gatishmëri? Si këto edhe shumë pyetje të tjera munduese ishin të pranishme, por koha tregoi që së bashku ia dolëm, së paku të mbanim gjallë frymën televizive dhe kuptuam se për çfarë është krijuar teknologjia dhe që nuk qenka aq e keqe (qesh). Falë teknologjisë mundëm të ishim çdo pasdite në orën 5 të pranishëm në familjet shqiptare, madje me një orar transmetimi të drejtëpërdrejtë më të zgjatur si minutazh duke u munduar të përçonim buzëqeshje dhe optimizëm në familjet shqiptare dhe aty kuptuam se sytë e të gjithëve ishin nga televizioni, shikueshmëri maksimale duke qenë se njerëzit ishin në shtëpi. Në këtë kuptim, po, periudha e pandemisë ishte e vështirë, transmetimi televiziv tejet i dobishëm, vëmendja ndaj televizionit maksimale, eksperiencë profesionale që jo gjithmonë të rastis ta përjetosh gjatë karrierës dhe privilegj të isha e pranishme në çdo familje shqiptare.

Pjesë e familjes mediatike “Top Channel” prej me shumë se 15 vitesh, a e ke menduar ndonjëherë drejtimin e një misioni së bashku me Albanin?

(Qesh) Ne kemi qenë bashkë në një emision, sigurisht të drejtuar nga Albani, por që studio e “Top Show Magazine” na ka mbajtur të dyve. Një super eksperiencë, aty ku në fakt edhe u shfaqa për herë të parë përpara kamerave. Nga shtatori 2005 kur edhe fillova punë në “Top Channel” e deri më 2015 kur dola si opinioniste në “Top Show Mag”, kam qenë pas tyre si gazetare, kryeredaktore. Nga sa kuptohet trampolina “Top Show” ka qenë një hop shumë i mirë për mua dhe sigurisht është dashuria ime në të gjitha kuptimet. A do të më ftonte Alban Dudushi si opinioniste nëqoftëse do të kthehej “Top Show Mag”? Mbetet të pyesni atë (qesh). Përtej shakasë, sigurisht që ka formate televizive shumë interesante ku ne të dy mund të jemi së bashku, ku loja jonë jo vetëm si çift moderatorësh, do të ishte tërheqëse për teleshikuesit.

Si do t’i kalosh këto javë të mbetura të verës 2020?

Edhe pak ditë pushimesh për t’u shijuar dhe kur flas për shijim pushimesh është si “të ngrënët pa mundur të nuhasësh kur je e prekur nga Covid”… Pra edhe këto pushime, si për të gjithë këto kohë, po bëhen me shumë kujdes e ruajtje, larg atmosferës verore të viteve të shkuara, por tek e fundit jam falenderuese që disa ditë me Kroin, Joelle e Albanin mundëm t’i kalonim buzë detit.

Si i ka shfrytëzuar Kroi ditët e plota me mamin, babin dhe motrën Joelle? Çfarë ka shijuar më shumë?

Ka vetëm një formë: mama është e imja (thotë Kroi). Më do me gjithë vëmendjen kushtuar atij. Kur flas me të tjerë ma merr fytyrën me duart e tij dhe ma drejton që të shoh atë (qesh). Për të kjo është një verë e kaluar me Bieta Sulon, kështu ka filluar më thërret tani (qesh). Në mësimet që po i jepja një ditë që ti mama quhesh Kroi Art dhe mbiemrin e ke Dudushi, motra jote Joelle Dudushi, baba Alban Dudushi dhe ai më tha: mama Dudushi (qesh). Jo i thashë, mama e ka Bieta Sulo dhe që prej asaj dite, edhe kur më thërret nga bregu i detit, mua që jam në shezlong, ashtu, emër e mbiemër.

A ndodh të dehet shpesh Bieta?

Hëëëëëmmm…e dehur. E njoh si fjalë, nuk e kam të huaj, por gjithnjë e më të largët ama. Përgjegjësia e përkujdesjes ndaj Kroit, e ka ulur ndjeshëm numrin e darkave gjatë fundjavave, vendin e të cilave e kanë zënë udhëtimet familjare apo edhe shoqërore, por që gjithmonë me fëmijët me vete.

Për çfarë bën më shpesh “Gëzuar” Bieta?

Kur pijmë ndonjë gotë verë me Albanin në shtëpi, i gëzohemi gjithë çfarë kemi arritur në jetë. E kemi para syve dhe të pranishëm me zhurmat nëpër shtëpi. Kur jemi me shoqërinë bëjmë lojëra dollish dhe festojmë për arritjet e vogla të përditshme në gjithë sa tregojmë nga hallet e përditshme. Por shprehja që më shoqëron thuajse gjithmonë, kur jam me gotën e verës në dorë është: Gëzuar Alban Dudushi, love you!

Një ‘vodka sour & passion fruit’ i sjell Bietës në kokë mendime për kë, apo çfarë?

Më kujton muajt e verës me Albanin…ndoshta vitet 2010-2015, kur e kemi jetuar lidhjen tonë 24/24 orë, aq sa nuk kam asnjë peng apo pishman sot që jam më e tërhequr nga jeta shoqërore apo qoftë edhe jeta e natës prej angazhimeve familjare. Çdo etapë e marrëdhënies ka bukuritë e saj, e rëndësishme është t’i shijosh. ‘Vodka sour & passion fruit’, e preferuara prej kohësh duke qenë se vjen majoshe dhe nuk të vel, duket se e përmbledh në kuptimin e saj edhe marrëdhënien tonë: pasion dhe pak e thartë, që mos të të mërzitet…/revistawho.com