• youuinsttaaffccbb
TEST
Intervista, Në Kopertinë

Një super mami si Orgesa

orgesa-1

Foto: Geljant Kaleci

Ashtu si bukuritë e natyrës mbushin plot zemrën e njeriut, ashtu do të jetë e mbushur përjetë edhe zemra e Orgesa Zaimit. Bora e ndryshoi atë, e bëri më të ndjeshme, më të dashur, ndërsa Kroni i vogël ia ka shtuar edhe më shumë dashurinë. Këngëtarja-tip, është tashmë nënë e dy fëmijëve të bukur. E kur dukej se zgjimi natën, përgatitja e ushqimit, kombinimi i rrobave apo respektimi i orareve ishin harruar me rritjen e Borës, gatishmëria prej mami u rikthye vrullshëm. Në një rrëfim për “WHO”, Orgesa na tregon se si po e përjeton e gjithë familja, fillimin e jetës së mbretit të tyre, Kron. A është xhelozuar vallë princesha e vogël Borë? E zbulojmë bashkë…

Nga Bora te Kroni, ndjesitë e Orgesës?

Janë akoma ditët e para dhe sytë i kemi tek i vogli, përfshi këtu dhe motrën e tij të madhe. Ndjesitë janë të përziera dhe besoj se do të qartësohen pasi të kalojnë muaji i parë dhe lodhja e fillimit.

Si ishte kjo shtatzëni?

Ishte një shtatzëni shumë më e lehtë se e para, ndoshta sepse ishte hera e dytë dhe eksperienca e fituar herën e parë më ka ndihmuar shumë.

Meqë jemi këtu, thonë që me fëmijën e dytë gjithçka është më e lehtë, sepse nëna tashmë është më me eksperiencë. Është e vërtetë?

Kështu thonë, por përpos eksperiencës, ka dhe më shumë lodhje e përgjegjësi të dyfishtë.

Çfarë reagimesh pati Bora për të voglin?

Ne e përgatitëm Borën gjatë shtatzënisë se do të vijë një pjesëtar tjetër në familje dhe ai do jetë i vogli e do ketë nevojë për shumë përkujdesje, dhe ia dolëm ta bindnim. Ajo është treguar e mrekullueshme dhe shumë e dashur me vëllain e vogël.

Domethënë nuk është xheloze?

Nuk është aspak xheloze deri tani dhe kjo na ka lumturuar shumë ne prindërve të saj. Të shohim më vonë.

A jua bëri ajo atë pyetjen e sikletshme që bëjnë shpesh fëmijët: Nga del bebi?

Nuk na e ka bërë këtë pyetje dhe s’e dimë akoma çfarë mendon, por kur erdhi në spital, pa barkun të ulur dhe bebin jashtë dhe tha: Mami, doli bebi tani nga barku?

Kujt i ngjan Kroni?

Kroni akoma s’dihet me saktësi kujt i ngjan, por besoj se mua më ka marrë më shumë, ose të paktën kështu thonë ata që e shohin, dhe unë lumturohem, sepse Bora i ngjan të atit dhe ai mua, kështu që jemi barazim.

Ç’domethënie ka emri Kron?

Kron është në dialektin gegë: kroi, një burim i shpeshtë i malësive. Por ka edhe kuptim ndërkombëtar, si: kurorë mbreti. Apo nga Antikiteti grek: Kronos – perëndia i kohës.

A është qaraman?

Është pak i lëvizur dhe më lodh disi këto ditë, por do e mësojmë që me të qara nuk arrihen të gjitha.

Çfarë këngësh i këndon?

I këndojmë unë dhe Bora të gjitha vjershat e çerdhes.

Të ndihmon Mentori?

Mentori, shumë i lumtur u krijon të dyve një ambient shumë të mirë dhe mua më lejon që herë pas here të pushoj pak më vete.

Kur do t’i kthehesh punës?
Për punën ka kohë.

 

Qershor 2015

Leave a Reply