• youuinsttaaffccbb
TEST
3, Breaking News, Instant Articles, Lajme, Një koktejl me...

Një koktejl me Nevina Shtyllën: Sezoni i ri televiziv me ndryshime, do të jetë një vit i ngarkuar me…

Nga Xhuljana Lakuta

Koktejlin e radhës do ta shijojmë me një nga vajzat më të ëmbla të ekranit, e cila duket se tashmë i ka bërë zgjedhjet e duhura edhe përsa i përket sezonit të ri televiz.

Si po e shijon Nevina Shtylla verën 2020 duke u përshtatur njëherazi me masat mbrojtëse të ‘Covid-19’? A dehet shpesh ajo dhe a e ka zemrën plot? Këto dhe shumë detaje të tjera i zbulojmë teksa shijojmë një ‘San Francisco’…

Si po e kalon verën e këtij viti?

Ky vit, më e pakta mund të them që ka qenë i çuditshem për të gjithë ndaj dhe pushimet verore mezi i kam pritur. Kemi patur një sezon të gjatë televiziv, por kam mundur të marr disa fundjava pushim, e kur e përfunduam mora pak ditë më shumë për t’u qetësuar. Pushimet në Shqipëri këtë vit kanë bërë që të jem më pranë familjes dhe shoqërisë. Jam rikthyer pak në kujtimet e fëmijërisë dhe kuptova që vërtetë më kishte mar malli për disa vende që më herët i frekuentoja shpesh me të afërmit e mi. Njëkohësisht kam vizituar dhe kam njohur vende dhe destinacione të reja që më kanë pëlqyer shumë. Mund ta quaj një verë ndryshe dhe të bukur.

Çfarë pi zakonisht në verë Nevina? Cila është pija që të shoqëron kudo?

Ka disa pije që preferoj, por së fundi, në vazhdimësi të zbulimeve të reja për mua ka qenë nje kokteijl i quajtur “San Francisko”. E kam konsumuar shpesh gjatë kësaj vere.

Si ka qenë ky vit për ty dhe njerëzit e tu më të dashur?

Për fat nuk kemi patur shqetësime të tjera veç një rëndese emocionale, duke nisur nga tërmetet dhe më pas nga pandemia. Kam përshtypjen se të gjithë po mundohemi të bëjmë më të mirën në situatën në të cilën ndodhemi dhe sadopak të ndihmojmë ata që kane pasoja më të rënda dhe ndodhen në vështirësi. Për mua ka qenë tej mase e vështirë të përballem me këto ngjarje, ndërkohë që detyra më kërkonte të isha në ekran. Në nëntor duhet të ishim në një transmetim ‘live’, ndërkohë që kërkimi për njerëzit e mbetur nën rrënoja vazhdonte. Kishim dhe persona të njohur që ua dëgjonim emrat në lidhjet ‘live’ me gazetarët në terren dhe duhet të kapërdije emocionin sepse misioni jonë ishte të përçonim një mesazh shprese dhe jo të binim dhe vetë preh e dëshpërimit.

Faza e parë e pandemisë në Shqipëri ka qenë e vështirë në një tjetër drejtim. Përpos frikës personale më shumë i trembesha shëndetit të prindërve të mi. Kam qenë e detyruar si kurrë më parë në jetë të mos i shoh e mos i takoj për dy muaj rresht. Në ditët që duhet të shkoja në punë kaloja përpara shtëpisë së tyre dhe mezi i rezistoja dëshirës për të ndaluar. Edhe pse po mësohemi me kushtëzimet e situatës, prapë duhet treguar shumë kujdes.

Cila është eksperienca më e bukur qe ke shijuar këtë verë?

Një gjë e them me bindje, që për bukuri natyrore vendi ynë s’ka të krahasuar. Gjëja e parë që doja të bëja sapo të mbaronte karantina pas takimit me mamin dhe babin ishte të shkoja në plazh dhe ashtu bëra. Ishte java e parë që u lejua levizja mes qyteteve  dhe une e disa mikeshat e mia shkuam në Sarandë. Njëkohësisht për të realizuar disa xhirime për një projekt timin të ri. Në plazh në atë kohë nuk ekzistonin shezllone e as ‘beachbaret’, ndaj na u duk vetja sikur ishim në një ishull të shkretë. Tjetër kujtim i bukur nga kjo verë do më mbetet një fundjave në Vlorë kur vizituam Karaburunin, kishte gjire të bukura dhe uji ishte kristal.

A dehesh shpesh dhe nese të duhet të dehesh në një fest miqsh, deri në ç’pikë guxon?

Nuk jam person që më pëlqen të humbas vetëkontrollin, e aq më pak me njerëz që nuk i njoh mirë. Më pëlqen pija, por nuk e teproj. Di të bëj qejf, të kënaqem e të shijoj festat edhe pa u dehur.

Ke qenë pjesë e disa formatave të ndryshme brenda shtëpisë mediatike ‘Top Channel’, cili është i preferuari yt?

Pa diskutim “E Diell”. Jo vetëm për shkak të suksesit që ka patur, por edhe prej frymës së grupit që kemi. Jemi një staf i konsoliduar, pa komplekse inferioriteti që mund të shkaktojë xhelozi ose konflikte të kota. Secili ka hapësirën e vetë, njeh vendin që i takon dhe bën shumë mirë punën që ka në ngarkim. E njohim mirë njëri-tjetrin dhe e mbështesim dhe në ekran. Është një formulë e re kjo që ka sjellë Ed Manushi producenti, por që ka funksionuar më së miri dhe do të vazhdojë me një vit të tretë edhe më të sukseshëm.

Cilat janë planet që ke për sezonin e ardhshëm televizv? Ku do ta shohim Nevinën?

Ka qenë shumë e vështirë të vendos se si do të vi në këtë sezon të ri, por jam e bindur se në fund kam bërë zgjedhjen e duhur. Do të ketë ndryshime, por nuk do doja t’i zbuloja tani. Mund të them vetëm se do jetë një vit më i ngarkuar se më parë me përgjegjësi të reja.

Krah kujt partnereje televizive ndihesh më komode?

Nëse flasim për meshkujt, krah Edit nuk di në ka njeri që nuk ndihet komod. Për më tepër kur e njeh arrin të kuptohesh shumë lehtë. Edhe momentet e sikletshme, të vështira që mund të ndodhin në skenë superohen shpejtë, pa keqkuptime, ndoshta dhe me humor. Ndërsa nga femrat më komode nga ato që kam patur partnere, jam ndjerë me Fjoralbën.

Cili është kujtimi më i çmendur që ke nga vera?

Kujtimet më të bukura krijohen ndonjëherë atëherë kur nuk e pret aspak. Mund të veçoj pushimet e para 5 viteve në Korfuz me një grup shoqërie. E vendosëm në moment dhe për punë dy-tre ditësh u nisëm. Ishte fundi i gushtit dhe kishim vetëm 4 ditë kohë para se t’i riktheheshim punës. Kujtoj që çdo natë kemi bërë vetëm 2 orë gjumë dhe ato 4 ditë na janë dukur si 40. Kemi parë aq shumë vende të bukura, kemi festuar dhe kemi shfrytëzuar çdo sekondë në maksimum. Kam një album me foto nga këto pushime që e kalon numrin 3000.

Si je përpjekur të ruhesh nga virusi këtë verë?

Jam munduar të ruaj distancën, të shmang kontaktet fizike dhe mbi të gjitha të ruaj personat më të mëdhenj në moshë. Ndoshta unë mund të mos shfaq asnjë simptomë nëse infektohem, por mund ta përçoj. Jam e ndërgjegjshme për këtë rrezik edhe pse në shoqërinë shqiptare është e vështirë të ruhesh. Sado e kujdesshme të tregohem unë, shoh shumë të rinj sidomos që as e vrasin mendjen fare për veten. Për të tjerët aq më pak.

A ndodh të flirtojnë shpesh në verë duke të pasur përballë në një ‘beach bar’ dhe si reagon ti?

Nuk është diçka që më ndodh shpesh. Edhe përse është bërë viti i 7-të që unë jam pjesë e televizionit si moderatore, ende më bën përshtypje kur më flasin në rrugë. Mundohem të tregohem sa më e thjeshtë dhe t’ua bëj qejfin të gjithëve, duke i përshëndetur apo duke bërë ndonjë foto. Por që të flirtojë dikush nuk më ka ndodhur. Ndoshta stepen duke më pari si personazh të njohur ose jam unë që nuk i vë re. Zakonisht flirtimi nis aty ku vëmendja tërhiqet nga të dy palët.

Cili është koktjeli që mendon se të përshtatet/përfaqëson më shumë Nevinën?

Në një verë të zakonshme do të ishte Mojito, por këtë verë vendin e meriton San Francisco.

A je duke përjetuar një histori dashurie? Zemra e Nevinës është plot apo…?

Zemra ime është gjithnjë plot. Kam një familje që për mua është kuptimi i çdo dite, pa ta s’do bëja dot. Kam shoqëri tek e cila besoj dhe gjej suport gjithnjë. Është dhe ai lloji i dashurisë pak më ndryshe nga këto, por që për momentin nuk ia ndjej mungesën./revistawho.com