• youuinsttaaffccbb
TEST
3, Breaking News, Instant Articles, Lajme, Një koktejl me...

Një koktejl me Armina Mevlanin: E shoh veten mami shpejt, 2020-ta më është dukur si “Black Mirror”…

Nga Xhuljana Lakuta

Koktejlin e të dielës mbrëma do ta shijojmë me një nga vajzat më moderne të ‘showbiz-it’ shqiptar. Armina Mevlani ka treguar herë pas here se si e ka kaluar periudhën e pandemisë, megjithatë sot vjen në një rrëfim më të detajuar rreth planeve që ‘Covid-19’ i prishi dhe dasmës së shumëpërfolur…

A do ta veshë fustanin e bardhë Mevlani verën e ardhshme? Sa shpejt e sheh veten mami për herë të parë? Këto detaje i zbulojmë bashkë teksa kthejmë kujtimet pas nga hera e parë kur Armina ka shijuar një ‘Sex On The Beach’….

Prej vitesh në një raport sentimental të konsoliduar, ndihesh gati për t’i çuar gjërat në një tjetër stad?

Unë kam shumë kohë që ndihem gati sepse tashmë kam shumë vite në lidhjen time dhe si bashkëjetesa që ne kemi prej vitesh, edhe martesa nuk është se do përbëjë ndonjë ndryshim në mënyrën se si ne ndihemi për njëri-tjetrin. Thjesht kemi pritur një moment që të ishte i duhuri për ta bërë këtë hap, por asgjë më shumë.

 

Sa afër apo larg e sheh veten si mami Armina?

Nuk e shoh shumë larg sepse unë vitin tjetër bëj 30 vjeç, e shoh shpejt, dua që patjetër të kënaq veten, partnerin, familjarët dhe të kem një dhuratë nga zoti siç është një fëmijë. Por kam pritur për shkak sepse të dy kemi qenë të angazhuar, por dhe kemi dashur të shijojmë këtë pjesën e të qenurit vetëm me njëri-tjetrin dhe ndihem me fat që edhe Shkëlzeni në këtë pikë më ka kuptuar sepse unë jam lidhur në një moshë relativisht shumë të re me të, më ka kuptuar që unë të ndihem gati dhe kjo periudhë po afron.

 

Nëse do e përmblidhje me dy fjalë 2020-ën deri tani, cilat do ishin?

Nëse do përmblidhja me dy fjalën 2020-ën, do thoja ‘Black mirror’ (pasqyrë e zezë) (qesh). Ata që e kanë parë filmin e kuptojnë sepse ‘Black Mirror’ trajton tematika në forma shumë të çuditshme dhe absurde në ‘Netflix’ dhe 2020 më ka kujtuar vetëm atë sepse ka qenë surreal si vit. Nëse do ma trgonin vite më parë nuk do ta besoja, për më tepër duke menduar që shkenca dhe mjekësia kanë avancuar të dyja shumë që të lihet bota, le të themi të rrënoset nga ky virus, është pak shumë e çuditshme që po ndodh në 2020-ën. Megjithatë ka qenë edhe një vit ndërgjegjësues mund të them sepse na ka bërë të kuptojmë shumë gjëra që ne më përpara nuk i kemi vlerësuar dhe kanë pasur shumë vlerë siç është shëndeti dhe të kaluarit kohë me të afërmit dhe me shokët tanë sepse tani ruhemi nga çdo gjë.

 

Si je përpjekur të mbrohesh nga virusi gjatë kësaj periudhe?

Jam përpjekur të mbrohem ndonëse shumë njerëz të cilët unë njoh e kanë kaluar virusin. Miq, familjarë…është shumë e tmerrshme dhe e frikshme. Jam munduar të bëj vitamina venoze, të cilat shkojnë direkt në gjak dhe më kanë rritur sistemin imunitar, pra marrja e vitaminave është numri një. Ushtrohem me sport, mundohem të dal sa më shumë në diell dhe mbaj maskën gjithë kohës vënë kur jam në ambiente me njerëz, mundohem të kem sa më shumë kujdes.

 

A ishte e vështirë për ty periudha e karantinimit?

Periudha e karantinimit ka qenë periudha më e lehtë për mua sepse le të themi e kam shfrytëzuar për mirë. Kam parë filma të cilat nuk i shikoja sepse udhëtoja dhe punoja shumë. Nuk kisha kohë të merresha me veten dhe më ka ndihmuar që të formoj trupin sepse unë çdo ditë të karantinës kam bërë palestër rregullisht, kam dalë për vrap, kam mësuar të bëj gatime të reja dhe më ka shërbyer si një formë pushimi me veten që vërtetë, vërtetë e paskam pasur të nevojshme dhe mendoj që shumë njerëz ashtu si dhe unë e kanë pasur të nevojshme.

Nuk ka qenë karantina në vetvete ajo që më ka bërë të ndihem keq, është situatë e përgjithshme që më jep ankth, që mund të më sëmuren njerëzit e dashur, që mund të sëmurem vetë. Domethënë është frika e shëndetit, vetëm kjo. Nuk me bezdis dhe nëse do më duhej ta bëja karantinën prapë, do ta bëja pa problem.

 

Çfarë mendimi specifikisht ndryshoi periudha e vetizolimit tek ti?

Siç e thashë më sipër më bëri të kuptoj se sa e rëndëishme është të kalosh kohë me prindërit, me familjarët, me miqtë e tu, me të dashurit e tu. Sa e rëndësishme dhe e bukur është ngrohtësia e shtëpisë, se sa bukur është të mblidhesh në shtëpi dhe të bësh gjërat që ke për të bërë. Nuk e di, por më duket sikur këtë vit natyra i tha të gjithëve ‘pushoni’ dhe merreni këtë kohë për t’u ndërgjegjësuar. Më ka kujtuar vitet ’90 disi kur familjarët mblidheshin më shpesh dhe ishin më të organizuar dhe bënin gjëra që ne sot kemi harruar t’i bëjmë ndaj për mua është luks kjo kohë që e kemi shfrytëzuar në këtë formë. Por sigurisht është dhe mbetet shqetësimi se kur do jetë momenti që ky virus të largohet dhe kur do jetë momenti që të fillojmë avash avash t’i kthehemi rutinës.

 

Armina dehet më shumë kur udhëton me shoqet apo kur udhëton me Shkëlzenin?

(Qesh) Nuk ka rëndësi fare, sepse varet në cilin moment je. Nuk mund të them që jam një njeri që nuk e konsumoj alkoolin, sigurisht nuk e konsumoj rregulisht, por (qesh) nuk e di…Jam dehur me të dy, kështuqë nuk mundem t’i ndaj dot.

 

Vera 2020 i ka sjellë mendime më të shpeshta Arminës për çfarë?

Mund të them që mendimet e shpeshta kanë shkuar për shëndetin, për përkudjesjen, për plane që mbetën pa u realizuar dhe kur mund të realizohen. Mendimet e shpeshta kanë shkuar për njerëzit që humbin familjarët e tyre. Nuk më ka interesuar fare pjesa e pushimeve, sepse dua thjesht që kjo periudhë të kalojë dhe sigurisht që mendimet kanë shkuar dhe për gjendjen ekonomike se si do të jetë pas kësaj periudhe. Këto janë gjërat që kam menduar më shumë dhe që kanë qenë gjatë gjithë kohës në mendimet e mia dhe besoj ashtu sikundër edhe shumë vetave të tjerë në botë.

 

Një ‘Sex on the beach’ e bën Arminën të mendojë për çfarë apo kë?

Atëherë ‘Sex on the beach’ nuk më bën të mendoj për seksin (qesh). Më bën të mendoj për koktejlin sepse ky koktejl më kujton momente shumë të bukura kur në 2009-ën, pasi mbaruam maturën shkuam në Barcelonë me shokët dhe shoqet për pushime dhe provova për herë të parë ‘Sex on the beach’ dhe u dashurova me këtë koktejl. Tani sa herë e pi, nostalgjia më çon mbrapsht kur isha 18-vjeç dhe bëra pushimet e para me shoqërinë dhe më jep një gjendje lumturie. Kështuqë kjo është arsyeja pse më pëlqen si koktejl.

 

Midis një jave pushimesh ne jugun e Shqipërisë dhe 2 ditëve në Milano apo Paris për javën e modës, cilën zgjedh Armina?

Të them të drejtën zgjedh jugun e Shqipërisë, sepse jugun i Shqipërisë e lidh direkt me pushimin, detin, dhe me diellin, ndërsa Milano dhe Paris lidhen me punë. Se sado java e modës është e bukur, është e ngarkuar për mua dhe sikundër edhe në Milano unë shpesh shkoj për takime punë. Absolutisht që kanë të bukurën e vetë, por si deti dhe për më tepër si deti jonë nuk mundem dot që t’i krahasoj. Kështuqë është pak e vështirë, sepse Milano dhe Paris janë urbane, java e modës, gjithçka e shpejtë, kurse deti është pushim, relax. Kështuqë zgjedh detin.

 

Për çfarë të vjen më shumë keq që nuk munde ta shijosh këtë vit?

Këtë vit mund të them që të ndejturit me miqtë më shumë, të ndenjurit me famljen time sepse mundohemi që të ruhemi kush është më i ekspozuar ndaj virusit, mundohem të takoj sa më pak familjarët. Me shoqërinë nuk kaloj dot aq shumë kohë, sepse një ditë mund të jem unë personi që mund të jem ekspozuar më shumë, një moment tjetër mund të jenë ata dhe për këtë arsye jemi shumë të kujdesshëm në takimet që bëjmë dhe më mungon shumë që të rri me miqtë e mi afër dhe të shkojmë në një festë apo te festojmë siç kemi bërë çdo herë. Kjo është gjëja që më mungon më shumë dhe sigurisht më kanë munguar shumë udhëtimet. Edhe pse janë për punë, isha mësuar që çdo muaj le të themi lëvizja për punë, për takime dhe këto takime më mbetën pezull. Gjithçka që ngrita deri tani le të themi mbeti e ngrirë deri në një moment të dytë për projektet e mia të ardhshme.

 

Nëse gjërat do të shkojnë mirë, çfarë do bëjë Armina verën e ardhshme që nuk e bëri dot këtë vit?

Shpresoj që gjërat të shkojnë mirë sepse unë këtë verë kisha shumë projekte sikundër dhe që e kam pranuar, mund të kishte dhe një dasmë të mundshme dhe nuk është se isha organizuar për këtë pjesë. E kishim folur dhe menduar, por nuk e kisha organizuar, ç’është e vërteta dhe nuk është se e kam anulluar. Është në planet e afërme, nëqoftëse gjithçka shkon mirë, patjetër që do ndodhi, por unë nuk kam pasur asnjëherë nxitim për t’u martuar dhe për të bërë dasmë. Dasma do bëhet sigurisht, por nuk e kam pasur pjesë që duhet bërë patjetër.

Përsa i përket planeve të tjera, kanë qenë plane të pjesës së karrierës që më mbetën pezull dhe shpresoj që mund t’i realizoj vitin tjetër sepse lidhen me pjesën e udhëtimit dhe nëse nuk udhëton nuk i organizoj dhe nuk i bëj dot planet të cilat kisha, por kisha disa projekte tepër interesante që shpresoj shumë që të paktën verën tjetër të bëhen. Dhe shpresoj dhe që për njerëzit e tjerë, se siç më janë anulluar mua mund t’i jenë anulluar dhe shumë njerëzve, shpresoj që dhe për njerëzit e tjerë të lirohen gjërat dhe të fillojnë të gjithë të kthehen në normalitetin e tyre.

 

Si është vera ideale për ty?

Vera ideale për mua është diell, det, njerëz të dashur, festë, koktejle, të qesh, të këndoj, të udhëtoj, të eksploroj sa më shumë vende, sa më shumë plazhe. Kjo është vera ime idelae dhe të jem e rrethuar me dashuri.