• youuinsttaaffccbb
TEST
Pikante sot, Vetëm në WHO

NGA REVISTAWHO.COM / Ku janë sot “Flori, Era, Lola, Didi, Xhema, Durimi, Betimi…” personazhet e dashur të “Njerëz dhe Fate”

Kur telenovela “Njerëz dhe Fate” filloi transmetimin e saj në TVSH, “mbërtheu” pas ekranit miliona shqiptarë që prisnin plot ankth e frikë se çfarë do të ndodhte me fatin e personazheve të tyre të preferuar. Kur e nisi këtë serial, regjisori Ylli Pepo, nuk e dinte se ai do të kishte aq sukses, ndaj dhe Ruzhdi Pulaha u ul sërish në tryezën e punës dhe shkroi dhjetë seri të reja. Asokohe u fol në media se “Njerëz dhe Fate” nuk do të kishte vetëm 20 seri, por edhe dy episode të tjerë, që deri tani duket se kanë mbetur ëndërr në sirtar… Po ku janë sot aktorët dhe personazhet tuaj të preferuar: Flori, Era, Lola, Durimi, Betimi, Xhema, Didi, Bosi, etj… Le t’i shohim bashkë në materialin e përgatitur nga revistawho.com:

Robert Ndrenika

Të kesh pjesë të kastit një prej emrave më të mëdhenj të kinematografisë shqiptare, atëherë gjysmën e suksesit e ke të garantuar. Kështu ndodhi edhe me Robert Ndrenikën, i cili ishte pjesë e padisktuar e suksesit të kësaj telenovele. Ai interpretonte rolin e një ish-regjisori të vjetër të Kinostudios, “Durim Guri”, që ishte baba i tre fëmijëve, Lola, Era dhe Flori. Pas këtij seriali ai është ngjitur në skenë me të tjerë personazhe në teatër e kinematografi, por në fillim të vitit 2015-të Ndrenika iu nënshtrua një operacioni në zemër, që fatmirësisht doli me sukses. Së fundmi Ndrenika u përfshi në një debat me ministren Kumbaro për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Pavlina Mani

“Drita” është roli i Pavlina Manit në telenovelën më të famshme shqiptare. Mani dhe Ndrenika ndërtuan çiftin ideal të aktorëve duke interpretuar me aq thjeshtësi dhe origjinalitet bashkëshortët intelektualë, që patën shumë probleme me fëmijët e tyre. Aktorja Pavlina Mani jeton aktualisht në Amerikë dhe dy vjet më parë u rikthyen në Tiranë sëbashku me bashkëshortin e saj, regjisorin dhe aktorin e famshëm të viteve ’70, Pirro Mani. Çifti dha një konferencë për shtyp në ambientet e Teatrit Komëbtar, në tempullin ku kanë kaluar një pjesë të mirë të karrierës së tyre.

 

Arben Derhemi

Ai ka interpretuar edhe në moshë të re (ka luajtur një rol në episodik në filmin “Një vajzë dhe një djalë”), por publiku shqiptar e njeh më së shumti me rolin e Florit, djalin çapkën në telenovelën “Njerëz dhe Fate”. Derhemi duket se u fut menjëherë nën lëkurën e djemëve “problematikë” dhe të shkathët shqiptarë, duke e sjellë shumë pranë realitetit personazhin e tij. Për aktorin Derhemi rrjedha e aktrimit ka vijuar normalisht në kinematografi e teatër, madje ai ka eksperimentuar duke sjellë në skenë edhe monodramën “Johan Padan dhe Amerikat”. Aktualisht është i martuar me gazetaren Iva Korumi dhe janë prindër të një vajze me emrin, Darlina.

Eni Jani

E kush nuk e mban mend Erën, gjimnazisten e shkëlqyer e cila kishte shumë ëndrra për jetën. Aktorja Eni Jani pas këtij personazhi, u bë sigurisht më e famshme dhe më e njohur për publikun shqiptar. Duket sikur karriera e Janit pas kësaj telenovele u përqëndrua më shumë në teatër ku ka interpretuar në vepra të famshme “Vdekja e një mbretëreshe”, “10 vjet martesë”,” Me dyer të mbyllura”, etj. Ajo ka sjellë gjithashtu si regjisore disa vepra në skenën e Teatrit. Jani është martuar me aktorin Genc Fuga dhe janë prindër të dy fëmijëve. Ajo ka qenë për dy sezone regjisore dhe ideatore e programit të mëngjesit në “TVSH”.

Valbona Imami

Lola, vajza e madhe e familjes Guri, interpretohej në këtë telenovelë nga aktorja Valbona Imami. Imami është larguar prej kohësh nga Shqipëria pasi është martuar me ekonomistin e huaj, Evan Scott Thomas, doktor në ekonomi. Ajo aktualisht ndodhet në Nigeri.

Arta Muçaj

Në fillimet e karrierës së saj ajo ka interpretuar rolin e Rozarias në shfaqjen “Gënjeshtarja”, më pas në rolin e Lusit te “Vdekja e Dantonit”, ndërsa Kiço Londo i ofroi një rol në “Kujdes, kafshon”, ku aktorja luajti përkrah aktorëve të njohur Ndriçim Xhepa dhe Yllka Mujo. Por aktorja kosovare, Arta Muçaj u bë e njohur në Shqipëri nëpërmjet rolit të “Didit” në këtë telenovelë. Në vitet 2000 veç rolit në serial ajo u përfol edhe për historinë e dashurisë me rrokerin e famshëm, Bojken Lako, që për aktoren ka qenë një lidhje perfekte, që përfundoi pa shkak. Aktorja jeton tashmë në kontinentin e largët australian, ku pas divorcit  nga bashkëshorti vijon karrierën si aktore atje.

Gëzim Rudi

Pas rolit të Fredit në komendinë “Pallati 176” (roli i tij i parë në teatër), një tjetër personazh që e bëri të njohur aktorin Gëzim Rudi, ishte dhe Jari ose bosi në telenovelën “Njerëz dhe Fate”. Në këtë serial njohëm një tjetër anë të Gëzim Rudit, atë të një biznesmeni ‘gangster’ dhe të korruptuar. Vite më pas ai ka interpretuar në filmin e Xhuvanit “Lindje, Perëndim, Lindje” dhe në fillim të këtij viti është ngjitur në skenën e “TK” në veprën “Mallkimi i fukarenjve”.

Alfred Trebicka

Aktori, regjisori dhe skenaristi i njohur shqiptar ka qenë gjithashtu pjesë e këtij seriali të famshëm shqiptar. “Daja Betimi” interpretonte rolin e prokurorit të ashpër dhe të drejtë që luftonte për drejtësinë. Trebicka njihet dhe për natyrën e tij kritike ndaj teatrit, por edhe fenomeneve të shoqërisë shqiptare. Ai është i martuar prej më shumë se 25 vitesh me aktoren, Violeta Trebicka dhe janë prindër të një vajzë me emrin, Keit. Sakaq ai vijon punën si pedagog në Universitetin e Arteve.

Mehdi Malkaj

E kemi parë shpesh me rolet e tij komike, por te “Njerëz dhe Fate” njohëm një tjetër dimension të aktorit të njohur tepelenas, Mehdi Malkaj. Ai interpretonte rolin e Xhemës, një burri të alkoolizuar, i cili kishte humbur bashkëshorten dhe nusja e djalit e kishte përzënë nga shtëpia. Rolin e trishtë të Xhemës, jemi të bindur që e kanë përjetuar shumë brezat e moshës së tretë, që ndoshta ndihen të braktisur nga familja e tyre. Aktualisht Mehdi Malkaj është aktor në Teatrin Kombëtar.

Natasha Sela

“Bedria”, pastruesja e zonjës Xhuli, pronares së butikut dhe Jarit, bosit të mafias, ka qenë një tjetër personazh shumë i famshëm asokohe. Nën interpretimin e Natasha Selës, “Bedria” solli në shtëpitë e shqiptarëve thashethemet e një pastrueseje dhe shpirtin e saj human, ndonëse e varfër, për të ndihmuar të tjerët.

Marjeta Ljarja

Aktorja pogradecare, Marjeta Ljarja ishte një tjetër emër i madh i kinematografisë shqiptare, e cila iu bashkua kastit të “Njerëz dhe Fate” në seritë e dyta. Ajo interpretonte rolin e “hallë Dritës”, motrës së Durimit, e cila u kthye nga Greqia për t’i qëndruar më afër familjes Guri, kur problemet e tyre filluan të bëheshin çdo ditë e më të rënda. Marjeta Ljarja zëvendësoi Pavlina Manin, e cila u largua për në Shtetet e Bashkuara. Ajo është aktivizuar me shumë fushata humanitare, që kanë pasur në fokus fëmijët dhe gratë.

Gentian Zenelaj

Nuk e dimë nëse e mbani mend, por pjesë e kastit të “Njerëz dhe Fate” ka qenë edhe aktori Gentian Zenelaj. Ai interpretonte rolin e Tonit të dashurit të Erës, të cilët të dy donin të studionin jashtë shtetit. Sot Genti është moderator i porgramit “Stop” dhe është baba i dy fëmijëve.

Dritan Boriçi

Një tjetër protagonist që ka spikatur ka qenë edhe aktori i njohur Dritan Boriçi, i cili vinte në këtë serial në rolin e Rugenit, të dashurit poet të Lolës, që bëri të gjithë vajzat e asaj kohe ‘të dashuroheshin’ pas romantikut që thurte vargje për partneren. Më vonë Boriçi është bërë protagonist në disa shfaqje dhe telefilma të tjerë, ku ka pasur sërish role të rëndësishme.

 

/ revistawho.com