• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Në Kopertinë, Vetëm në WHO

“Bella Mafia” / 6 modelet e njohura ndajnë me “Who” sekretet e fizikut të tyre

Fotografia: Endrit Mërtiri / Hair & Make Up: Suela Çangu / Styling: Miranda Dupi / Veshjet: Reiman

Në një treg si Shqipëria, me pak ose aspak mundësi për t’u zhvilluar në modeling, disa vajza të reja kanë zgjedhur të mos dorëzohen… Në fakt nën udhëheqjen e një fotografi si Endrit Mërtiri, që ka mundur t’u sigurojë kontrata shumë të mira jashtë kufijve disave prej tyre, askush nuk do të hiqte dorë. Sepse ai e gjen çelësin për të nxjerrë më të mirën prej secilës. Dhe për këtë mjafton të shihni se si u shndërruan në imazhe të rëndësishme brenda pak kohësh Megi Luka dhe Alessia Noka. Të njëjtën rrugë duket se kanë marrë edhe vajzat e tjera… Me një përjashtim, pjesë e këtij seti për kopertinën e ‘revistawho.com‘ është edhe Anada Nikollari, përfaqësuese e Shqipërisë në “Supermodel Of The World”, mikeshë e ngushtë e fotografit, që është tërhequr disi nga modelingu por vijon të ruajë edhe sot të njëjta linja. Pikërisht për këtë kemi folur këtë herë! Modelet bukuroshe kanë ndarë me ne regjimin e tyre ushqimor, që është i ndryshëm nga njëra tek tjetra…

Anada Nikollari

Mëngjesin mundohem ta shijoj në maksimum. Një ditë ha ‘cornflakes’ me qumësht dhe tjetrën vezë, djath, bukë integrale dhe ‘smoothie’ me qumësht. Ndërsa dreka për mua është vakti më i rëndësishëm pas një paraditeje të lodhshme. Mundohem të ushqehem ndryshe në çdo ditë që t’i marr të gjitha vitaminat. Sallatrat e ndryshme, mishi, suprat apo perime ose zarzavate të ndryshme janë pjesë e dietës time. Darka është me e thjeshtë, pasi zakonisht konsumoj kos apo disa kokrra bajame. Ndonjë ditë në javë konsumoj dhe pasta, pasi janë ushqimi im i preferuar dhe nuk bëj dot pa to.

Alessia Noka

Për mua thelbi i trupit të mirë është të qëndroj e hidratuar. Konsumoj ujë dhe lëngje për të larguar toksinat dhe mundohem të ha shëndetshëm. Që do të thotë, konsumoj mishin e bardhë, peshkun, perimet, etj, por nuk lë të kalojë asnjë vakt. Gjithashtu mundohem të ndjek orare fikse për të ngrënë. Regjimi i rregullt më ka ndihmuar që të ruaj peshën ideale, gjithashtu përpiqem të fle mjaftueshëm gjumë.

Bernarda Islamaj

Mëngjesi për mua nis me ujë dhe limon. Sapo zgjohem konsumoj fillimisht këtë përzierje dhe më pas ha tërshërë dhe kos. Ndonjëherë konsumoj edhe banane. Në drekë ha perime, rizoto me fileto pule dhe sallatë ose gjellë pa yndyrë. Ndërsa mes vakteve pi shumë ujë dhe herë pas here ha fruta. Ndërsa darka për mua është vetëm një gotë kos.

Arnisa Muçmeraj

Unë kam zgjedhur të jetoj si vegjetariane. Konsumoj vetëm produkte organike dhe mundohem të marr të gjitha vlerat ushqyese që mungojnë nga mishi prej produkteve të tjera, si veza. Ka qenë e vështirë të mësohesha në fillimet e mia me këtë zgjedhje, por e doja shumë dhe nuk jam penduar fare. Të jesh vegjetariane nuk do të thotë të konsumosh vetëm perime, unë konsumoj gjithçka të shëndetshme që nuk dëmton kafshët dhe kjo reflektohet në fizikun tim.

Megi Luka

Më së shumti linjat e mia i dedikohen genit, por me kalimin e viteve dhe për shkak të profesionit përpiqem ta mbaj nën kontroll mënyrën si ushqehem. Unë ha pothuajse çdo gjë me orare të caktuara dhe me racione të vogla. Nuk abuzoj kurrë me pica apo të tilla produkte. Në mëngjes ha drithëra me qumësht, ndërsa në drekë gjithmonë kosumoj një vakt të plotë ku përfshihet mishi apo perimet. Ndërsa në darkë ha vetëm fruta.

Melisa Toska

Fiziku im është rezultat i stërvitjes së vazhdueshme. Nuk e mohoj dot që dua të ha çdo gjë dhe dashuroj karbohidratet. Sigurisht ato nuk janë pjesë thelbësore në dietën time, por herë pas here e marr veten me të mira në këtë formë. Unë gatuaj çdo gjë me vaj ulliri. Konsumoj shumë ujë dhe në çdo sallatë përfshi frutat e thata, bajame, arra, lajthi, etj. Gjatë një javë konsumoj dy herë peshk, 2 herë pulë, 1 herë mish të kuq. Ha fasule, thjerrëza, bizele dhe çdo gjellë tjetër përsa kohë nuk përmban yndyrë. Bukë nuk ha pothuajse fare dhe perimet apo frutat janë pjesë e çdo vakti.

CLOSE
CLOSE