• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Gjerat që nuk i dini për mua..., Në Kopertinë, Vetëm në WHO, Who Serial

20 gjërat që nuk i dini për Inis Gjonin: Ngjis tetë kate në këmbë për të qenë në formë, kam refuzuar 10 oferta për në televizion…

 Nga Eraldo Rexho / Fotot: Elvi Kote / Hair & Make Up: Elona Balaj / Veshjet: BSB Tirana / Vendndodhja: Iluminatum Residence

Inis Gjoni është një nga njerëzit e veçantë të këtij vendi, një nga njerëzit që ia dua më shumë këtij qyteti. Dhe unë, megjithëse duket ndryshe, nuk i dua kaq shumë të gjithë të famshmit e këtij vendi. Si të gjithë frymorët e tjerë, bëj edhe unë diferencimet e mia, të cilat sigurisht përpiqem t’i zbuloj sa më pak publikisht, por tek Inisi këtë herë u dorëzova, edhe sepse zbulova një cilësi që nuk ia njihja: ajo është shumë e durueshme. Kjo kopertinë për “revistawho.com” është bërë një vit më parë, ndoshta edhe më herët, por ndonjëherë kur vjen puna tek mikeshat e dashura – i japim vetes të drejtë të shkelim premtimet, afatet, gjithçka. Intervista që u bë për kopertinën, nuk rrinte më me aktualitetin, kështu që i kërkova Inisit të më listonte 20 gjërat që njerëzit nuk i dinë për të dhe ajo ka bërë një rrëfim shumë interesant në vetën e parë, që nuk duhet ta humbisni.

  1. Prej vitesh, harroj çdo ditëlindje të familjes, përfshirë edhe timen. E vetmja që bën përjashtim, është ditëlindja e Coco Antonel, dita më e bukur e jetës sime.
  2. Nuk bëj palestër, por një herë në ditë, i ngjis shkallët në këmbë deri në shtëpi. Dhe unë e kam shtëpinë në katin e tetë.
  3. Kur më pëlqejnë një palë këpucë blej tre palë në të njëjtin model dhe ngjyrë. T’i kem, se nuk i dihet (qesh).
  4. Nëse nuk do isha marrë me art, do vdisja të bëhesha arkeologe ose shkencëtare. Më pëlqejnë shumë zbulimet.
  5. Ka vite që nuk shoh asnjë program ose film në televizion, përjashto rastet kur marr ndonjë porosi nga miqtë dhe familjarët. E vetmja gjë që më merr vëmendjen nga ekrani janë kukullat e Coco-së dhe dokumentarët. Këto të fundit, mund t’i shoh për orë të tëra dhe të mos mërzitem.
  6. Jam një gjumashe e pandreqshme… Do jepja gjithçka që të flija gjumë në mëngjes, por që prej lindjes së Coco kam kohë që nuk e di se ç’do të thotë të flesh gjumë deri në orën 10. Maksimumi që kam arritur, ka qenë 9-ta (qesh).
  7. Deri përpara se të bëhesha nënë dija të gatuaja vetëm vezë.
  8. Për flokët e mi kujdesem vetëm unë, edhe në parkueri, apo dalje televizive, flokët i kuroj vetë.
  9. Kam thyer këmbën kur kam qenë 5 vjeçe dhe doktori në spital ka thënë “sa të drejta i paska këmbët, nëse edhe këmba që ka thyer do të bëhet kaq e drejtë sa këmba tjetër, atëherë këtë vajzë bëheni balerinë”. Atëherë askush nuk e dinte që unë do merresha me balet.
  10. Kam shumë histori nga jeta si balerinë; më ka ndodhur që më ka dalë këpuca gjatë kërcimit, që partneri ka këputur mish duke më ngritur në padjeshkë, e të tjera si këto.
  11. Kur mbarova shfaqjen e parë si regjisore, isha aq shumë e emocionuar sa nuk i njihja njerëzit që takoja.
  12. Ka qenë një rast kur drejtoja Festivalin e Këngës, sëbashku me mikun tim Gaz Gjoka, që harrova pjesën time të tekstit dhe nisa të flisja ‘përçart’ për të dalë nga situata. Nuk e mbaj mend çfarë kam thënë, por këngëtari e kuptoi që ishte radha e tij (qesh).
  13. Besoj se kam qenë ndër të parat vajza në Tiranë që kam drejtuar një automjet, në vitin 96. Unë dhe Rudina Magjistari, kemi qenë ndër të parat.
  14. Çmenduria më e madhe që kam bërë në timon, kam kaluar Llogaranë, natën dhe me mjegull. Zoti ka qenë me mua atë natë.
  15. Kam refuzuar mbi 10 oferta për të qenë në ekran vitet e fundit, nuk e di ç’më ka gjetur, por besoj se dashuria për teatrin po më mban larg televizionit.
  16. Me Ingritin nuk zgjat asnjëherë inati. Grindemi tani dhe pas 60 sekondash jemi sërish duke folur.
  17. Unë nuk pi kurrë pije me gaz, nuk pi kurrë kafe, jetoj shumë mirë me ujë dhe qumësht.
  18. Nuk lexoj asnjëherë gazeta, me përjashtim të rasteve kur më njoftojnë që kam dalë unë.
  19. E urrej jokorrektesën.
  20. Si për fund po ju zbuloj që aktualisht po punoj për një shfaqje të re teatrale. / revistawho.com