• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Intervista, Në Kopertinë, Vetëm në WHO

NË KOPERTINË / Genta Ismajli rrëfen një vit dashuri me Ustën: Nga trëndafili prej letre, tek komunikimi me ‘google translate’ e karantina (PJESA 1)

Nga Eraldo Rexho / Fotot: Geljant Kaleci / Video: Arbër Shehu / Hair & Make Up: Suela Çangu / Veshjet: Joni Peçi (kostumet); Geraldina Sposa (fustanet) / Bizhuteritë: By Best Albania – Swarovski

Historia që nisi me një trëndafil prej letre, vijon ta emocionojë edhe sot njësoj Genta Ismajlin. 1 vit pas takimit të parë, Genta dhe Usta shfaqen ekskluzivisht në kopertinën e ‘revistaWHO.com’ për të rrëfyer gjithçka nuk dimë mbi raportin e tyre.

Një telefonatë e Soni Malajt më jep lajmin se Genta është në Tiranë dhe kaq më mjaftoi për të nisur punën për historinë e kopertinës që ju tashmë po lexoni. E kemi lënë të takohemi në kryeqytet, por përgatitjet për klipin e saj të fundit “Ça me bo” (që tashmë është publikuar) na e bëjnë pak të vështirë organizimin. Më në fund ja tek jemi, në hollin e “Prestige Hotel & Resort”, jo në Tiranë, por në Malin e Robit, ku Genta dhe Usta janë zhvendosur për disa ditë pushimi përpara xhirimeve.

Një skuadër me njerëz, rroba, bizhuteri e kamera mbërrin dy ditë më vonë në suitën presidenciale të “Prestige”. Bashkë me ne është edhe Anisa, përkthyesja e gjermanishtes që do të na asistojë në intervistën me Ustën (PJESA 2), që do ta lexoni nesër. I rritur në Turqi me një biznes të ngritur në Zvicër, Usta vetëm së fundmi, i kushtëzuar nga historia e dashurisë me Gentën, ka nisur të mësojë anglisht, pasi deri më tani, gjithçka e ka zgjidhur me dy gjuhët që zotëron.

Një film për Adem Jasharin dhe Kosovën, bëri që turku simpatik të mbërrinte në Prishtinë dhe një mik i përbashkët e uli në tryezë me yllin shqiptar… për të cilën Usta nuk dinte asgjë. Po si ka qenë komunikimi përmes ‘google translate’, çfarë ka ndodhur pas takimit të parë, ç’rol ka pasur nëna e Gentës në gjithë këtë histori dhe kur do të vijë dasma… Genta Ismajli i rrëfen të gjitha ekskluzivisht në “revistaWHO.com”.  

Kur nisi kjo histori për Gentën?

Ka plot një vit që po jetoj një histori të bukur dashurie dhe jam shumë e lumtur.

Si filloi?

Ishim për një darkë me miq të përbashkët në një restorant në Kosovë. Aty u pamë dhe komunikuam për herë të parë…

Çfarë ndodhi tjetër atë natë?

Duhet të jemi parë me njëri-tjetrin për 10-15 minuta, më pas ai nisi të bëjë një trëndafil me letër, me pecetë. U çua në këmbë dhe ma dhuroi në mes të një tavoline mbushur plot me miq të njohur dhe të panjohur dhe unë e pranova. Po atë natë Usta kishte ditëlindjen dhe në momentin kur erdhi torta më kërkoi të ulesha pranë tij, ‘dua të të jap një copë tortë’ ma bëri me shenja. Aty nisëm të bisedonim, më dha numrin e telefonit dhe filluam të komunikonim me mesazhe.

Ai po e bën edhe tani një lule…

Po, e bën gjithë kohës. Është si një simbol për dashurinë tonë.

Çfarë e kishte sjellë atë në Kosovë?

E solli puna e tij. Kishte për të bërë një film për Kosovën, për Adem Jasharin. Ne kishim mik të përbashkët producentin e filmit dhe unë isha me të, Ustës i duhej të takohej për punën dhe kështu filloi.

Për sa kohë folët para se të takoheshit më pas?

Mua më pëlqeu energjia atë mbrëmje kështu që vendosa që të njëjtët njerëz t’i ftoja për darkë sërish të nesërmen. Kur hyra në restorant ditën tjetër, Usta më kishte blerë lule natyrale dhe m’i kishte lënë në pjatë. Të gjithë më thonin këto lule janë për ty, ky është vendi yt dhe unë e kuptova që ato lule ishin prej tij. Pastaj kemi nisur sërish të flasim, pyetja e parë që më bëri atë ditë ishte nëse kisha apo jo të dashur. Edhe pse nuk kuptoheshim mirë, pas as ai s’dinte anglisht dhe as unë turqisht, i thashë jo. Ai e keqkuptoi, mendoi se kisha dhe ia sqarova pastaj me gjeste. Prej asaj dite kemi nisur të komunikojmë me google translate.

Sa i vështirë ka qenë ky komunikimi kështu?

Nuk ka qenë fare i vështirë. Asnjëherë nuk na kishte ndodhur, as mua, as atij, të flisnim me dikë me google translate. Tani kemi mësuar pak nga gjuhët e njëri-tjetrit dhe komunikimi është bërë më i thjeshtë. I kam mësuar dhe pak shqip.

A keni folur për martesën? Do të kemi një dasmë së shpejti?

E bisedojmë shpesh pjesën e martesës. Do kisha deshirë të realizohej në datën 25 shtator, ditëlindjen e tij, pasi në atë datë nisi gjithçka. Megjithatë unë ende po pres propozimin e Ustës, ndoshta vitin e ardhshëm kemi dasmë.

A je njohur me familjen e tij?

Familjen e ka në Marash, afër Stambollit, nuk e ka në Zvicër. Nuk i kam takuar akoma ‘live’, por përmes videove kemi biseduar dhe jemi njohur. Ndërsa familja ime me Ustën është takuar, mami im flet edhe turqisht dhe ishte një përkthyese në fillimet e mia me Ustën. Mami im ka qenë arsyeja që jemi lidhur edhe më shumë.

A është ai suportues ndaj karrierës tënde muzikore, i ka dëgjuar këngët e tua dhe çfarë mendimi ka?

Super suportues. Ditën që më ka takuar për herë të parë nuk e ka ditur që jam këngëtare. Kur e mësoi më pyeti “ç’ne që s’je mendjemadhe ti, qenke e famshme”. Madje më tha: “Po ta kisha ditur që ishe këngëtare, nuk do e kisha guximin të ta jepja lulen. Thjesht biseda që ke bërë solli që të pëlqeja si njeri, “m’u duke shumë natyrale dhe shumë e mirë. Nuk kishe shumë makiazh, ishe veshur shumë normal dhe kjo gjë më ka pëlqyer tek ti”, – më tha më vonë. Mund të them që i pëlqen të gjitha këngët e mia, këtë të fundit e pëlqen më shumë, ndoshta edhe ngaqë e ka ndjekur vetë nga fillimi. Jam munduar t’ia shpjegoj të gjithë karrierën time, si kam filluar, që nga kënga “Dridhem” e deri tek e fundit. Akoma nuk e ka përjetuar famën time, nuk më ka parë ende në një koncert.

Pse e bëre ti këtë tërheqjen nga muzika?

Ka dy vite që nuk kam realizuar këngë, për t’i dhënë më shumë kohë vetes pas vitesh pa pushuar asnjë moment. Nuk kam ndërmend të shkëputem nga muzika, edhe gjatë kohës që kam pushuar publikisht kam punuar për materiale të reja. Njerëzit më pyesin “Genta pse e ke lënë muzikën?”. Nuk e kam lënë asnjëherë, nuk mund ta lë, sepse muzika për mua është frymëmarrje.

Shumë kolege të tuat kanë sjellë bashkëpunime me këngëtarë më të rinj për t’iu përshtatur gjeneratave, pse nuk e ke bërë?

Sepse kam dashur gjithnjë që suksesin ta bëj unë dhe kur e arrij bashkëpunimet janë të mirëseardhura. Nuk dua që të vi në skenë me forcën e dikujt tjetër dhe me mundin e dikujt tjetër. Dua vetë ta bëj. Gjithmonë e kam bërë vetë.

Me karrierën tënde çfarë do të ndodhë? Ti do t’i kthesh sytë pak më shumë nga Turqia tani, sepse ke pasur disa bashkëpunime, por nuk e di çfarë do ndodhi në vijim?

Po punoj aktualisht për disa projekte me artistë ndërkombëtarë, të rinj, të talentuar. Nuk ka një vend të cilit do t’i kushtohem më shumë. Do vazhdoj të prodhoj muzikë për Shqiptarinë dhe më gjerë.

Si i keni kaluar këto kohët e pandemisë?

Kohët e pandemisë, i kam kaluar super mirë. Po e mendoja nëse do të kisha qenë singëll gjatë pandemisë, si gjatë 10 viteve të shkuara, do isha çmendur. Falë Zotit kam pasur Ustën dhe gjithçka ka shkuar shumë mirë. Kemi bërë shumë qejf bashkë, kemi gatuar, kemi dalë…

Keni dalë? Pse ku u izoluat ju?

Në Zvicër, atje ishte e lejuar të dilje duke respektuar rregullat. Kemi dalë për piknik thuajse përditë, në një vend ku nuk kishte fare njerëz. Shëtisnim me makinë në vende të ndryshme.

Çfarë mendon Usta për Shqipërinë? Për Kosovën?

I duket komplet si vendi ku është rritur këtu, mentaliteti është njësoj, arkitektura si është i ndërtuar qyteti, është njësoj, i pëlqen shumë..

E mendoni ju të zhvendoseni në Shqipëri ose Kosovë pas martese? Apo Zvicra është sërish fituese…

Besoj se do të jetë, ose Zvicra ose Stambolli, nuk i dihet. Por sidoqoftë do vazhdojmë të vijmë shumë shpesh në Shqipëri dhe Kosovë, sepse këtu është jeta ime. /revistaWHO.com