• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Intervista, Në Kopertinë, Vetëm në WHO

NË KOPERTINË / Dhjetori i ëmbël i Vilma Mashës: Lajmi se do të bëhesha nënë erdhi në një ditë të bekuar!

Nga revistawho.com / Fotot: Anjeza Dyrmishi / Hair & Make Up: Sallon Lela

Vilma Masha nuk mund t’i presë më e lumtur se kaq këto ditësh festash, të parat që do t’i jetojë si nënë. Moderatorja simpatike e programeve sportive, rrëfen për herë të parë në RevistaWho.Com të gjitha përjetimet e shtatzënisë. Ndonëse kjo kopertinë ishte planifikuar të prezantohej përpara se e vogla të vinte në jetë, ju do të keni mundësinë që të zbuloni mes rreshtave edhe disa pikëpyetje për të cilat vetë Vilma i mori përgjigjet pas lindjes së vajzës. Nga vjen emri Sea dhe kur e mori vesh lajmin se do bëhej nënë? Sa kilogramë shtoi gjatë shtatzënisë dhe çfarë i thanë kolegët e “Super Sport” gjatë kësaj periudhe? Këto dhe të tjera përgjigje, Vilma i jep ekskluzivisht për ne, në një rrëfim plot emocione, të cilin ne të “Who” kishim kohë që e prisnim!

Vilma, cilat janë përjetimet e këtyre ditëve?

Të veçanta, një lum emocionesh, të përziera, për këtë eksperiencë të re, që mezi pres ta provoj.

Pse e fshehe muajt e parë shtatzëninë?

Sepse dëshiroja që këtë lajm ta mbaja për vete për disa kohë. Nuk di ndoshta nga egoizmi apo ndonjë supersticion. Ndërsa më pas nuk dëshiroja ta ktheja në qëllim në vetvete ekspozimin, sepse është diçka e bukur për mua, por aq sa dhe për shumë vajza të tjera që e kanë provuar mëmësinë, të famshme ose jo. Sigurisht që për të ruajtur ketë “sekret” më ndihmoi dhe fiziku, duke mos dhëë shumë shenja shtatzënie (buzëqesh).

Kujt ia the në fillim, sapo e mësove?

Isha me bashkëshortin atë të shtunë, më kujtohet që ishin Pashkët Katolike dhe lajmi m’u duk sikur erdhi në një ditë të bekuar. Ua thamë menjëherë prindërve, e më pas me rradhë vëllezërve, e miqve te ngushtë.

Çfarë tha partneri yt, kur e mësoi?

Ishte po aq i gëzuar sa dhe unë. Shumë mirë tha, ne po e prisnim një lajm kaq të bukur.

Po prindërit si reaguan kur e mësuan?

Sigurisht që ata u gëzuan shumë, për ne në radhë të parë e më tej dhe për veten e tyre, që do të bëheshin sërish gjyshër.

Thonë se shtatzënia i ndryshon zonjat, çfarë ka ndryshuar tek ty?

Unë nuk e shoh veten shumë të ndryshuar, por kolegët e Super Sportit më thonë goca të ka bërë më të mirë, me të qetë (qesh).

Ka ndryshuar mendimi i parë dhe i fundit i ditës?

Po sigurisht që mendimi i parë dhe i fundit ka të bëjë me bebin. I pavetëdijshëm, vjen natyrshëm. Mendoj si do të jetë bebi, si do i ketë sytë, flokët, buzët, kujt do i ngjajë.

E ëndërroje këtë moment, që e vogël?

Të them të drejtën jo që e vogël, pasi kam qënë fëmijë që kam shijuar çdo etapë, jo nga ato vajza që mezi prisnim të rriteshin. E kam ëndërruar kur gjeta partnerin ideal. Kur je fëmijë ti kuron vëllain apo motrën me naivitetin  e moshës, sikur je ti prindi, derisa të provosh vërtet këtë ndjesi.

Si i perjetove ndryshimet e trupit?

I përjetova shumë mirë, pasi nuk mora shumë kilogram. Minimumin e mundshëm, 8 kilogramë nga pesha që isha, peshë ideale, që nuk besoja se do ta kisha, pasi njoh dhe vajza të tjera elegante që shtatzënia i ka ndryshuar. Por jam e lumtur qe isha për 9 muaj në formë, gjë që më lejoi të bëja dhe punën në televizon pa u shqetësuar për peshën.

Ke pasur neps?

Jo. Çuditërisht kam ngrënë normalisht, të njëjtat gjëra, që nga mishi, peshku, bulmeti, perimet dhe frutat. Kam konsumuar në shtëpi dhe jo fastfood. Nuk kam pasur neps për ëmbëlsira, por që mendoja se do më ndodhte natyrshëm.

Kur e zbulove gjininë?

Herët, që në javën e 10-të. Më kishte thënë doktori që unë e shoh vajzë, e nëpërmjet analizës së gjakut, ashtu rezultoi.

I ke bërë blerjet për të voglën?

Po kam blerjet bazike. Body-t, tutinat, çorapet, dorezat e vogla, ndonjë lodër me muzikë, apo dhe veshjet e dimrit. Por dhe aksesorët e tjerë që duhen për një bebe të porsalindur.

E ke arreduar dhomën e saj?

Pak a shumë po, por në fillim do qëndrojë me ne në dhomë.

Ke qepur vetë ndonjë gjë?

(Qesh) Jo. E kam lënë qëndisjen në klasë të katërt fillore kur e kishim lëndë në shkollë. Sot ka kaq gjëra të bukura, e vetëm nëse je e pasionuar pas qëndisjes mund të bësh diçka vetë.

Po lexon libra për mëmësinë gjatë kësaj periudhe?

Libra jo, por kam shkarkuar disa aplikacione në telefon, që më japin shumë informacion, rreth javës që jam, bebit, si është ai, si jam unë, çfarë ndryshimesh sjell nga java në javë. Plus më tej jam futur nëpër forume kur kisha paqartësi apo diçka që nuk shkonte. Kam lexuar shumë, çdo ditë.

Si do ta quani vajzën tuaj të parë?

Vajza do të quhet Sea, që do të thotë det, ujë, tjetër dimension, i pastër, i rrjedhshëm. Plus emër që nuk mund të shkurtohet, pasi ne e kemi zakon që i shkurtojmë emrat. Emrin e pamë te dy, na pëlqeu dhe bashkëshorti insistoi më shumë. Lexuam dhe emra të tjerë por mbetëm te Sea.

Si e përfytyron?

Kjo është pyetja që i bëj vetes në fakt, si do të jetë. Se di bionde apo brune. Njëfarë kurioziteti e kam hequr nga eko, megjithatë besoj se është tjetër gjë kur të lindi.

Kujt do doje t’i ngjante?

Fizikisht do të doja të merrte tiparet më të bukura tonat, ndërsa si individ anët më të mira dhe më të forta të karakterit.

Çfarë dëshiron të marrë prej teje dhe çfarë prej bashkëshortit tënd?

Formën e syve nga bashkëshorti dhe ngjyrën nga unë. Formën e fytyrës timen, buzët nga ai. Edhe flokët nga unë (buzëqesh).

* Deri këtu intervista është realizuar përpara ardhjes në jetë të vajzës. Më pas me lindjen e Sea, i bëmë edhe disa pyetje të tjera Vilmës, mbi emocionet e para.

Tani që vajzën e ke në duar, çfarë ndjen?

Se si më duket që jam bërë me bebe. Kam frikë ta mbaj, është kaq e brishtë, e butë, e ëmbël në të njëjtën kohë. Ndonjëherë më duket sikur ma sollen dhuratë, e jo sikur isha une që e mbajta për 9 muaj në bark.

Cilat janë emocionet?

Emocion i rrallë, i papërshkrueshëm. Ndjesi e pa provuar më parë. Më vjen të qaj, të qesh, një miks që as vetë nuk e kuptoj. / revistawho.com