• youuinsttaaffccbb
TEST
Pa kategori

Ndërgjegjësohuni! Çlironi mendjen! Mbroni jetën!

SFIDAT E VETIZOLIMIT: Në kërkim të lirisë dhe vetëndërgjegjësimit qytetar.

NGA EMANUELA XHELILAJ – SOCIOLOGE
Është fakt: planeti ynë është në luftë me një armik të padukshëm, por dukshëm të rrezikshëm. Duket se, për herë të parë në historinë e njerëzimit bota e zhvilluar po përballet me humbje te mëdha në jetë njerëzish dhe padyshim me kosto afatgjata që përfshijnë recension të përgjithshëm ekonomik, kolaps në sistemin e shëndetësisë si dhe ndryshime social-psikologjike pothuaj në të gjithë shoqërinë.
Tashmë është e qartë, se kufizimi i kontaktit fizik është mënyra më e mirë për të zvogëluar përhapjen e koronavirusit. Si rrjedhojë vetizolimi konsiderohet jo thjesht nevojë, por domosdoshmëri në luftën për mbrojtjen e jetës sonë dhe të të tjerëve rreth nesh. Periudha të zgjatura në situata kur asgjë nuk ndryshon, mund t’i shtyjë njerëzit të mbyllen në vetvete. Për ata që nuk janë mësuar me një introspeksion të tillë, përvoja mund t’i çojë në emocione negative dhe në raste ekstreme në mjegullim arsyetimi në të kuptuarit e kufijve midis asaj që po ndodh në mendjen e vet dhe asaj që po ndodh realisht.
Pjesë e kulturës së shoqërisë sonë janë elementë që kanë të bëjnë me pabindjen apo mungesën e vetëndërgjegjësimit qytetar, kur bëhet fjalë për emergjenca të kësaj përmase. Bashkëngjitur kësaj edhe pasojat psikologjike të izolimit në shtëpi, panorama merr nuanca akoma më dramatike. Në oraret e lejuara gjen rrugë plot me njerëz për shëtitje, tregje të mbipopulluara, madje edhe të moshuar që luajnë domino. Dëgjoj njerëz të thonë “më mirë të më vrasë koronavirusi sesa muret e shtëpisë”, “më merret fryma në shtëpi, një shëtitje s’prish punë”, “s’mund të ma privojë askush lirinë”. Këto lloj sjellje ekcentrike dëshmojnë edhe një herë qëndrimin e shoqërisë sonë kundrejt mbrojtjes së jetës, papërgjegjshmërinë gati “kriminale” përballë vlerësimit dhe respektit që duhet të kemi së paku si qytetar kundrejt njeri-tjetrit.
Kujtohuni, nëse jeni duke kërkuar lirinë jashtë mureve të shtëpisë, gaboheni! Liria e vërtetë gjendet në mendjen tuaj. Ata njerëz që ndihen të mbërthyer, të burgosur sepse janë izoluar fizikisht në shtëpi, në të vërtetë janë të burgosur edhe jashtë atyre mureve. Mendohuni, sesa të varur e të burgosur jeni nga rutina e përditshmërisë, të burgosur nga paragjykimi dhe mentalitetet e vjetëruara, të burgosur nga paaftësia e përshtatjes  në një situatë ndryshe, të burgosur nga mungesa e ndjenjave altruiste e njerëzore.
Për të çliruar me të vërtetë vetveten nga gjithçka që ju bllokon, në mënyrë që të jetoni një gjendje individuale lirie, punoni me mendjen tuaj. Është i vetmi mjedis mbi të cilin mund të kemi kontroll të plotë. Sapo t’i lejoni vetes “të pastroni” ambjentin tuaj të mendjes do të ndiheni të lirë në shumë mënyra të reja dhe ekspansive. Më e rëndësishmja, të kuptuarit e lirisë së vërtetë në mendje dhe në shpirt duhet të brendësohet jo vetëm drejt vetvetes, por edhe si një e drejtë për të tjerët. Mos harroni, liria e vërtetë kërkon përgjegjësi. Thelbi i vërtetë i termit mund të përkthehet në një përpjekje për të trajtuar si veten edhe tjetrin me një ndjenjë dinjiteti dhe respekti, e cila meritohet nga të gjithë.
Ndërgjegjësohuni! Çlironi mendjen! Mbroni jetën!/revistawho.com