Një ndër markat e mia më të preferuara në fushën e modës është Balmain, me luksin dhe elegancën që tejçon në veshjet e veta. Kam adhuruar gjithmonë çdo sfilatë të tyre dhe veshjet i njoh shumë mirë. Kombinimet fantastike të Oliver Rousteing, sidomos në sfilatën e shkuar, veshjet e së cilës ndodhen tani në dyqane dhe na kujtojnë vitet `40 të jazz-it, janë plot thekë dhe dominim ngjyrash. Këtë vit, në sfilatë dominonin modelet ekstravagante, por në ngjyra më të pastra dhe kryesisht nude, e bardhë apo kafe e hapur si për sezonin veror. Unë përzgjodha të vishja një T-shirt Balmain që është ndër të preferuarat e mia, kombinuar me një fund me lëkurë origjinale, larat e të cilit shkojnë më së miri me T-shirt-in që kam veshur dhe për ta bërë sa më “classy”, përzgjodha një palë So-Kate të zeza. Rripi është gjithashtu Balmain, por për ta thyer kam vendosur të mbaj çantën time të preferuar Tom Ford e cila është mjaft praktike, sidomos për sfilata, pasi në të mund të fusësh gati çdo gjë. Sigurisht, në këtë veshje s’mund të mungonin syzet e mia të preferuara për javë mode Celine, pasi janë mjaftueshëm të errëta dhe byzylyku si aksesor i Saint Laurent.