Gjatë 24 orëve të fundit, për fat të keq dy qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen, pavarësisht asistencës së madhe të mjekëve dhe trajtimit mjekësor.
Dy humbjet e jetës kanë qenë të papritura. Një 76 vjeçar nga Tirana, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, pasi ishte përmirësuar pas 15 ditësh trajtim, ka pësuar tromboemboli pulmorare.
Dhe një 54 vjeçar në gjendje të rëndë, me insuficencë renale, ka ndërruar jetë në urgjencën e spitalit.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 402 testime për të dyshuar të prekur me Covid19, nga të cilat janë konfirmuar 77 raste pozitive.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: Tirana 28 raste, Shkodra 13 raste, Durrësi dhe Korça me nga 5 raste; nga 4 raste Delvina dhe Berati; nga 3 raste në Fier, Kurbin dhe Pukë; nga 2 raste në Elbasan dhe Kamëz; nga 1 rast përkatësisht në Krujë, Tropojë, Librazhd, Gjirokastër, Sarandë.
Në vendin tonë aktualisht janë 920 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.