• youuinsttaaffccbb
TEST
Breaking News, Lajme

Mentor Kikia hedh në gjyq Artur Zhejin: Intrigë e ndyrë, s’kam video seksi të ministrave

Mbrëmë në emisionin e Blendi Fevziut “Opinion”, Artur Zheji tha se ekzistojnë dy video në të cilat shfaqen politikanë të lartë shqiptarë në marrëdhënie seksuale. Zheji tha se kishte parë vetëm disa “frame” (foto të shkëputura nga pamjet) të njërës prej videove, që ia kishte dërguar Mentor Kikia. Sot kryeredaktori i Top Channel Kikia, ka reagur duke mohuar gjithçka. Përmes një statusi të gjatë në Facebook ai i quajti fjalët e Zhejit ‘intrigë e ndyrë’, teksa sqaron se nuk disponon asnjë video të tillë. Më poshtë mund të lexoni edhe statusin e tij të plotë.

Një intrigë e ndyrë e Artur Zhejit me video-politikë në “Opinion” nga Mentor Kikia

Mbrëmë në emisionin “Opinion”, analisti Artur Zheji, si të ishte në gjendje të dehur, ndërsa fliste për thashethemnajën e ditëve të fundit mbi ekzistencën e ca videove seksuale me ministra e kryetarë bashkie, deklaroi, pa u menduar gjatë, se ka parë disa frame(sekuenca) dhe disa foto të shkëputura nga një video seksuale që ia kisha dërguar unë, pra Mentor Kikia i Top Channel, siç ai u kujdes ta saktësonte “mbiemrin” tim profesional. Ai foli edhe për pozicionin e atyre që bënin seks madje, qe i kishte pare ne video. Pastaj Zheji foli për një ankand që qenka hapur nga ai që ka videon(që i bie të jem unë në këtë rast) dhe se pazari fillestar qenka 2 milion Euro. Të, cilat sipas tij, një ministër që fiton 5 milion Euro gjatë një mandati, nuk i ka gjë. Nejse, këto kalkulime janë të tijat dhe i di ai, por unë dua të saktësoj publikisht, se deklarata e tij lidhur me foto dhe frame-t e videos që i kam dërguar unë, është një shpifje e ndyrë, pa asnjë bazë dhe tërësisht haluçionante. Unë nuk kam parë e nuk kam patur asnjë fotografi, asnjë fram-e videoje e asnjë vidoe me të tillë përmbajtje. Dhe, nëse do ta kisha, dhe do të mendoja se përbën lajm, nuk do t’ia jepja Zhejit, për ta hedhur në një blog që ai paska hapur për të bërë gazetari tani në pleqëri, por do ta përdorja vetë si gazetar. E theksoj, si gazetar dhe jo si gjobaxhi blogjesh. Unë nuk kam kontaktuar asnjëherë me Zhejin, që prej 16 vjetësh kur ai ishte drejtor në TVA dhe unë redaktor, dhe kërkonte t’ia dërgonin gazetarët tekstet e lajmeve në restorant për ti parë. Unë nuk kam kontaktuar asnjë prej atyre që ai paska punësuar në blogun e tij dhe as e kam hapur ndonjëherë blogun e tij, dhe deklaratën e tij nuk e cilësoj aspak papërgjegjshmëri, as lajthitje dhe pasojë e dehjes, gjendje në të cilën Zheji mendoj se flet shpesh. Por e konsideroj një intrigë të ndyrë, pjesë e centrifugës së llumit që ka përfshirë politikën dhe median online këto kohë, që bën presion mbi individë dhe grupime politike me video, apo alarme për video. Por unë s’jam një nga “ju” Zheji, të siguroj që nuk i përkas atij komuniteti gazetarësh që me artikuj me porosi, me mendime me porosi, apo me sajime e presione edhe video-skandalesh, krijoj salltanete ekonomike. Jetoj minimalisht dhe mjaftueshëm për mua, me çfarë më kanë paguar e më paguajnë punëdhënsit e mi që prej 25 vjetësh në këtë profesion. Unë jam i vetmi gazetar që kam mbajtur qëndrim kundër këtij llumi, kundër paralajmërimeve të përditshme të mediave e blogjeve online, për publikime videosh me sekretare e dashnore, me homo e heteroseksualë. Kam dënuar dhe ironizuar perversitetin shoqëror, politik, publik e mediatik të vdeo-manisë, dhe video-politikën si formën më të degjeneruar të të bërit politikë. Kam ironizuar popullin që nuk pyet se cfarë i bëjnë ministrat duke i zhvatur, por vrapojnë të bëjnë gallatë me video seksi. Dy javë më parë dhe pikërisht dje, ditën që Zheji bëri deklaratën, unë kam postuar në faqen time në facebook(saktësoj nuk drejtoj e disponoj asnjë blog informativ), dy statuse ku ironizoj, dënoj dhe denoncoj pikërisht këtë fenomen të ndyrë e të pështirë, duke theksuar se unë një ministër dua ta denoncoj më parë nëse ka vjedhur apo zhvatur paratë e fondeve publike, dhe jo nëse ai qenka homoseksual apo paska dashnore. Pikërisht në këtë ditë, kur unë shkruaj kundër këtij fenomeni, Zheji zbulon se unë i paskam dërguar videon e seksit të një ministri. Ky sqarim ishte një për opinion publik, për ata që kanë dëgjuar live në Opinion e ata që kanë lexuar të riprodhuar me pas online dhe për ata që më njohin e vlerësojnë profesionalisht. Ndërsa me Zhejin do të përballem në gjyq, ku ai duhet të tregojë fotot dhe fram-et e videos që unë i kam dërguar. Nëse ai nuk i tregon ato dhe ku e si ia kam dërguar unë, do ti kërkoj të më dëmshpërblejë me vlerën fillestare të ankandit që, sipas tij, qenka hapur për videon e plotë të skandalit seksuel. Besoj se nuk e shpëton dot Zhejin as fakti që në versionin online të Opinion, është këputur pjesa(frame-i) ku Zheji shpif ndaj meje.