• youuinsttaaffccbb
TEST
Në Kopertinë, Who VIP

Megi Luka, Hirushja shqiptare e “Miss Universe”

Fotot: Endrit Mërtiri / Hair: Sallon “New Look Tina” / Make Up: Linda Guri – “Make Up Forever” / Veshjet: “Bonvita”

Dikur, kur ishte ende fëmijë, ndodhte shpesh që Megi Luka ta kyçte familjen në shtëpi e mandej t’ua hidhte çelësin nga dritarja, mes të qeshurave të saj e frikës së tyre. Sot, 19 vjeçe, ata krenohen me bukuroshen e cila mban kurorën e “Miss Universe”, pasi fillimisht u bë e njohur si modele.

image
Nëse e shihni, tek ajo do të gjeni Hirushen… E ëmbël, e qeshur, e bukur dhe e thjeshtë. Por përkundër të qenët një princeshë me kurorë, ajo ruan ende të paprekur thjeshtësinë. U njoha me të gjatë kohës kur bëheshin provat për Miss Universe, në zyrat e producentit të spektaklit, Eduart Deda. Prej herës së parë që e takova më ra në sy edukata, por përtej kësaj, edhe fakti që ishte një vajzë me këmbë në tokë. Ajo nuk është nga ato vajzat e bukura që dëshirojnë thjesht “paqen në botë”. Motoja e saj është: “Jetoje jetën si të të vijë, bëj atë çka të bën të lumtur”. Nuk kënaqet me pak, lufton për atë që do, por jo e udhëhequr nga një ego e sëmurë.
Nuk e di si do të vijnë te ju fotografitë që realizuam, se ç’ndjesi do t’ju përcjellin, por ne u rrekëm të shpalosnim më të bukurën e saj përmes tyre.

image
Ishte mëngjesi i një të shtune me shi, kur Megi erdhi në sallonin e sapo hapur të “Make Up Forever”, për të bërë grimin me Lindën. Dukej shumë e stresuar. Të nesërmen nisej për në Las Vegas, ndaj shërbimin fotografik e kemi organizuar dhe realizuar në kohë rekord. Ditën e fundit në Shqipëri ajo e kaloi me ne, dhe ndërsa vrapohej për të fiksuar këto imazhe, mendja e saj i kushtohej sa shërbimit fotografik, aq edhe valixhes që ende nuk ish bërë gati, stresit të udhëtimit e emocioneve se, andej do të takonte edhe Fadil Berishën. Dihet që fotografi i njohur shqiptaro-amerikan, ka qenë kumbar i suksesit të shumë vajzave të bukura shqiptare përtej oqeanit. Në rastin e Megit, me gjasë suksesi nuk do të vonojë, pasi vihet re qartazi ngjashmëria e saj me supermodelen Irina Shayak, krahasim të cilin vetë 19-vjeçarja e shijon shumë kur ia përmendim.

image
Por, shpesh bukuria nuk mjafton dhe Megi e ka të qartë këtë. “Nëse nuk ia dal jashtë vendit, do ta lë modelimin. Në Shqipëri nuk merrem me të, sepse është një profesion pa të ardhme. Do të vazhdoj shkollën dhe do të aftësohem për një degë tjetër”, na përgjigjet prerazi gjatë atyre pak minutave të lira që kemi në dispozicion gjatë shërbimit fotografik. Hirushja shqiptare e “Miss Universe” udhëtoi për të konkurruar në një garë më të madhe dhe shpreson të kthehet prej andej me një kurorë tjetër. Ne urojmë që 20 dhjetori, dita e konkursit, të jetë dita me fat për Hirushen tonë, të lindur fare pranë Kalasë së Krujës.