• youuinsttaaffccbb
TEST
Breaking News, Instant Articles, Lajme

Më krenare se asnjëherë tjetër, Zefina Hasani zbulon projektin e veçantë të vëllait të saj

Autorja e njohur e programeve, Zefina Hasani ka vendosur si rrallëherë që në postimin e fundit të tregojë mbi lidhjen e ngushtë me të vëllain e saj, por dhe projektin për të cilin është ndjerë më krenare se asnjëherë tjetër. Hasani ka treguar se si vëllai i saj ka arritur të krijojë një audiodramë me një kast aktorësh në periudhën më të vështirë, atë të karantinës. Zefina nuk ka mohuar se fillimisht ka qenë mjaft skeptike rreth produktivitetit të projektit për shkak të kushteve të vështira në të cilat do të realizohej, megjithatë tanimë që audiodrama ishte finalizuar ajo është ndjerē mjaft krenare, emocione që i ka zbuluar duke shkruar këto fjalë:
“Babai im, i vëllait tim
Duke klikuar nëpër instagram, mu rishfaq në story të gazetës “Si”, episodi i 6-të, i fundit për sezonin e parë, i audiodramës “Babai im”. E kisha dëgjuar kushedi sa herë por s’ndenjta dot pa bërë swipe up dhe kështu ngeca duke e dëgjuar përsëri. Pastaj kalova në podcast e i mora me rradhë seritë 5, 4, 3, 2 e 1.
S’di pse pata nevojë me iu rikthy, siç ndodh me librat që don me i rilexu pas njëfarë kohe, prej asaj herës së parë kur të kanë pëlqyer shumë. E në herën e parë, kjo audiodramë jo vetëm që më ka pëlqyer por më ka përpirë të tërën.
Isha dëgjuesja e parë, sigurisht pas Drinit (vëllait tim) që kishte punuar regjinë e gjithë këtij projekti dhe Julit, djalit me të cilin realizuan gjithçka në studio. Por duke qenë se ata ishin stafi 😂 😂 mua më pëlqen ta quaj veten dëgjuesja e parë.
Si e tillë, ndjeja përgjegjësinë e dhënies së gjykimit të parë. Si gazetare s’do të nguroja ta bëja, siç e kam bërë gjithë jetën time këtë punë, por si gazetarja, motra e regjisorit e kisha shumë të vështirë. Jo sepse s’do t’ja thosha dot atij të vërtetën në sy, nëse s’do të më pëlqente por sepse kisha frikë se e implikuar nga gjithë ngjarjet e vështirësitë e realizimit të një projekti të tillë, s’do të mund të isha dot profesionale, e ftohtë për të dhënë mendimin e saktë.
Qëlloi të ishim në izolim prej Covidit, kur Drini nisi në punojë me këtë projekt. Të them të drejtën në fillim unë e kisha të vështira ta kuptoja se si do të bëhej e sesi do të funksiononte. E ngatërroja me radiodramën, që e njihja si koncept e ndjeshmëri që nga fëmijëria ime. Por në fakt do të ishte krejt tjetër gjë, një format audio, podcast, që do të publikohej online në gazetë…
Për Drinin pak rëndësi kishte në ato ditët e para të procesit, nëse quhej radiodramë apo audiodramë. Pavarsisht se ku do të trasmetohej, ai u përqëndrua tek ajo që kishte marrë përsipër të bënte, regjinë në formatin audio, mbi materialin që i besuan nga gazeta “Si”.
Ishte sprovë për të ndaj ndaj ish në merak. Ishte krejt ndryshe nga çdo regji teatri që kish realizuar më parë. Do të duhej ta bënte në kohët kur ndjehej i çoroditur si e gjithë bota nga virusi i panjohur, kur s’do mund të takonte dot askënd e kur pjesën më të madhe të procesit do të duhej ta bënte përmes telefonit. Por tha “Po” dhe i hyri punës me kokë.
E ndiqja me sy, e kur ai ma kërkonte diskutoja gjatë me të, duke ia fshehur merakun se ndoshta s’do t’ia dilte dot, për njëmijë e një arsye.
Shqetësohesha kur dëgjoja zërat e aktorëve. Disa prej tyre arritën të shkonin në studio, shumë të tjerë i regjistruan pjesët në shtëpi e i dërguan me Whatsapp. Ashtu të shkëputur nga njëri- tjetri, dialogët herë- herë dukeshin të ftohtë, të ngurtë, të palidhur e sa herë i dëgjonim, shihja Drinin të bëhej helm. E mundonte pamundësia e punës në tryezë, për të krijuar bisedat me një frymë, e në të njëjtën atmosferë.
Pastaj qetësohesha kur më tregonte kolonat muzikore, efektet e pikat e thyerjeve emocionale, që nisën të ma bënin më të qartë gjënë që po gatuante në kompjuter, humbur për orë të tëra pas kufjeve. Përpiqej të gjente elementet regjisoriale me të cilat do të lidhte gjithë audiodramën.
Qeshja ndërsa i përgjoja pas derës së dhomës kur ai përpiqej t’i merrte mamit zërin për një personazh grua episodik, ç’ka ajo pas dy- tre dublash e bëri siç duhej, ndryshe nga unë që mu desh të përpiqesha shumë më gjatë për një frazë shumë më të shkurtër se e saj 😂.
Kënaqesha pse ishim të përfshirë familjarisht për këtë projekt që na e hoqi mendjen nga sikleti i virusit duke na futur një tjetër siklet, derisa audiodrama të përfundonte.
Kur dëgjova versionin final (pasi Drini kishte përpunuar mbi s’mbaj me mend sa versione ) i thashë: Fakti që më emocionoi edhe mua që e kam mësuar përmendësh këtë histori më bën të besoj se do t’ju pëlqejë dhe kujdo që do ta dëgjojë për here të parë.
Para atij e mbajta veten por kur e dëgjova edhe një herë tjetër në shtëpinë time, u kapërdiva disa herë gjatë monologëve të Elonës (personazhit kryesor) kur flet për kujtimet me babain që s’jeton më. Më mbërtheu dhimbja që ajo ndan me vëllain pas humbjes së prindërve, ndjesi që unë dhe Drini i kemi provuar me të vërtetë vite më parë, kur humbën babin tonë.
U përlota keq në momentin kur ai në rolin e Andit, (sepse veç regjisë ka interpretuar dhe si aktor) qan e ulëret për babain e humbur e për krizën e mardhënies që kishte pasur me të. Ishte aq origjinal sa….
E kapur mat nga gjithë këto emocione, unë s’mund të isha më gjykuesja e ftohtë. Për mua “Babai im” ishte perfekte, kaq. Gjykimi i saktë pritej nga të tjerët, pasi produkti doli nga kompjuteri i Drinit.
Kam pyetur e më kanë thënë se të dhënat janë të mira. Njerëzit po orientohen me këtë format të ri. E ndjej se do të vijë shpejt dita kur do të bëhet rutinë shijimi i audiodramave, që mund ta kesh me vetë në celular a laptop, për ta dëgjuar sa herë të duash.
Unë e bëra pak ditë më parë, e dëgjova për të disatën herë. E bëra që më në fund të ndjehesha e zhveshur nga emocionet e motrës e të gjykoja krejt ftohtë se po, është një audiodramë që ja vlen të dëgjohet. Ka histori shumë intriguese. Ka lojë aktorësh shumë të mirë. Ka muzikë që të rrënqeth po aq sa dhe të gëzon. Ka karaktere të cilat të përballin me të mirën e të keqen, me dinjitetin dhe imoralitetin, me dobësitë e forcën që mund të ketë njeriu brenda vetës. Ka pasionin dhe energjinë e artistëve të rinj, që janë të etur e në nevojë për ide e projekte të reja, që u japin mundësi të reja. Ka një trajektore që s’dihet se ku do ta ketë fundin. Fillimin ama ja dijmë, tek www.gazetasi.al”./revistawho.com