• youuinsttaaffccbb
TEST
Breaking News, Lajme

Më i rrezikshmi! R.Kelly shpallet fajtor për trafikim dhe abuzim seksual të grave e fëmijëve

Fajtor për nëntë akuza për abuzim seksual dhe trafikim. Ky është vendimi që gjykata në Brooklyn ka dhënë për këngëtarin e famshëm R.Kelly.

Sipas verdiktit të gjykatës, Kelly ka shfrytëzuar statusin e tij si superstar duke drejtuar një skemë për abuzimin seksual të grave dhe fëmijëve përgjatë dy dekadave.

Njëmbëdhjetë akuzues, nëntë gra dhe dy burra dhanë dëshmitë e tyre gjatë procesit gjyqësor për të përshkruar poshtërimin dhe dhunën seksuale të pësuar nga këngëtari i famshëm,

Pas dy ditësh diskutimi, juria e shpalli yllin amerikan fajtor për të nëntë akuzat me të cilat përballej.

Gjatë gjykimit, prokurorët detajuan se si menaxherët e tij, rojet e sigurisë dhe anëtarët e tjerë të rrethit punuan për ta ndihmuar atë në ndërmarrjen e tij kriminale.

Një grua dëshmoi se Kelly e burgosi, e drogoi dhe e përdhunoi. Pas vendimit ajo tha se ishte fshehur nga Kelly për shkak të kërcënimeve të bëra ndaj saj, që kur ajo doli në publik me akuzat e saj.

“Tani unë jam gati të filloj të jetoj jetën time pa frikë dhe të nisë procesin e shërimit,” shtoi gruaja, e identifikuar në gjykatë si Sonja.

Këngëtari 54-vjeç, u përball me akuzat për shantazhe, përfshirë 14 akte të fshehta të shfrytëzimit seksual të një fëmije, rrëmbim, ryshfet dhe akuza për trafikim seksual.

Gloria Allred, një avokate që përfaqësoi disa prej viktimave, u tha gazetarëve: “Unë e ushtroj profesionin e avokatit prej 47 vitesh. Gjatë kësaj kohe, kam ndjekur shumë predatorë seksualë që kanë kryer krime kundër grave dhe fëmijëve. Nga të gjithë predatorët që kam ndjekur, Kelly është më i rrezikshmi”, tha ajo.

Vendimi vjen 13 vjet pasi Kelly u lirua nga akuzat për pornografi të fëmijëve pas një gjyqi të bërë në shtetin e Illinois.

Shumë nga akuzat e dëgjuara në gjyq u publikuan për herë të parë në dokumentarin e vitit 2019 “Surviving R Kelly”.

Viktimat ndonjëherë zgjidheshin nga auditori i tij i koncerteve, ose josheshin të bashkoheshin me të pasi u ofrohej ndihmë në karrierën e tyre të re muzikore pas takimeve të rastësishme me këngëtarin.

Por pasi iu bashkuan rrethit të tij, ata zbuluan se iu nënshtroheshin rregullave të rrepta dhe ndëshkoheshin në mënyrë agresive nëse shkelnin atë që ekipi i tij e kishte quajtur “Rregullat e Robit”.

Me këtë vendim, këngëtari i famshëm mund ta kalojë gjithë jetën e tij pas hekurave./revistawho.com