• youuinsttaaffccbb
TEST
Moti

Lini çadrat, por përgatituni seriozisht për dimër. Muaji i festave nuk do të jetë siç e prisni

Reshjet do të jenë të pakta. Ditët me shumë shi, për momentin do t’ua lënë vendin ditëve me diell edhe në ditët e fundit të këtij muaji nuk priten të tjera ndryshime. Por temperaturat do të zbresin ndjeshëm, megjithëse në vlerat normale të stinës.

Ky është rezultati i përmbledhur i këtij muaji nga meteorologia Tanja Porja, e cila pasditen e djeshme ishte e ftuar në “Rudina”, në Tv Klan: “Nëntori rezulton rreth 2 gradë me i ngrohtë se një nëntor normal. Presim që këtë javë, deri të mërkurën temperaturat të jenë të ulëta. Pas të enjtes, territori do të jetë në vlerat pozitive” – tha Porja për parashikimin e kësaj jave.

Ndërsa për muajin e fundit të vitit, Porja specifikoi se edhe ai do të jetë rreth 2 gradë më i ngrohtë se vlera normale e muajit: “Për sa i përket muajit dhjetor, nuk presim një ndryshim të madh, por me karakteristika të dhjetorit. Temperaturat do të jenë 1-1.5 gradë më të ngrohta sesa një dhjetor normal por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë temperatura të ulëta, por parashikohet të jetë me deficit në reshje. Për ta kufizuar të gjithë muajin, edhe muaji dhjetor do vijojë të jetë më i ngrohtë normal. Për sa u përket reshjeve, pjesa më e madhe e territorit do të marrë vetëm 60 për qind të reshjeve, pra më i thatë se një dhjetor normal”,- tha Porja.

Ndërkohë, edhe stina e dimrit, parashikohet të jetë më e ngrohtë sesa normalja. Mesatarisht, 1.5 deri në 2 gradë më ngrohtë./class