• youuinsttaaffccbb
TEST
1, Instant Articles, Lajme, Personazh

Stilistja nga Kosova që veshi yllin e “Victoria’s Secret”: Fustanet e mia për Bebe Rexha dhe Alessandra Ambrosio

Lena Berisha, stilisja e njohur nga Kosova, që prej vitesh e ushtron aktivitetin e saj në Prizren, ka mundur së fundmi të prekë suksese të mëdha. Stilimet e saj u veshën nga personazhe me famë botërore, në evente shumë të rëndësishme. E fundit që u prezantua me veshjen e krijuar nga Lena ishte Alessandra Ambrosio, modelja dhe aktorja e njohur braziliane, e cila u shfaq në ‘amFAR’ me një fustan të zi, të punuar nga stilistja jonë.

Por ky nuk është i vetmi punim i stilistes shqiptare. Lena ka një kohë të gjatë që punon me personazhe të njohur dhe veshjet e saj kanë bërë bujë. Në një prononcim për ‘RevistaWho.com’, Berisha ka treguar disa detaje për bashkëpunimet e saj të deritanishme.

“Pas prezantimit të koleksionit fundit vjeshtë/dimër 2018 që realizuam me Oriola Marashin, më kontaktuan shumë stilistë dhe yje botërorë. Bebe Rexha ishte e para përzgjodhi brandin tim dhe me të kam kontakt të vazhdueshëm edhe për disa projekte të tjera. Ashanti po ashtu, i ka pëlqyer shumë fustanet e mia dhe disa herë është veshur nga unë. Së fundmi, Alessandra Ambrosio u prezantua me krijimin tim, megjithëse kjo ishte hera e dytë që modelja i besoi punës sime. Natyrisht secili dizajner e shikon si një shpërblim të punës, kur yjet, sidomos ata me famë botërore i pëlqejnë dhe veshin krijimet e tyre. Për mua është shpërblimi edhe më i madh duke pasur parasysh vendin ku jetoj”, – u shpreh Lena.

Më tej stilistja e suksesshme ka folur edhe për planet e së ardhmes, por nuk ka dashur të zbulojë shumë, duke rezervuar kështu disa surpriza për publikun.

“Ndihem shumë e lumtur dhe me fat që nga dizajnerët shqiptar unë jam e para që ka arritur të veshë yjet e ‘Hollywood’ dhe në tapete të ndryshëm botërorë. Kjo më motivon të punoj edhe më shumë. Për këtë vit jam duke punuar disa koleksione të reja, të cila do i prezantoj së shpejti dhe janë disa personazhe të tjerë shumë të njohur për të cilët jam duke krijuar, por emrat e tyre do zbulohen gjatë muajve në vijim”, – përfundoi fjalën stilistja.

Siç edhe vetë Berisha pranoi, 2019-a është e mbushur me surpriza dhe emri i saj do vazhdojë të na surprizojë dhe të na krenojë. / revistawho.com