• youuinsttaaffccbb
TEST
Instant Articles, Lajme

Kremtoni ‘Ditën e Verës’? Këto janë ritualet që duhet të ndiqni

Dita e Verës është një festë pagane që është festuar për shumë breza me radhë. Historia e saj i ka fillesat në lashtësi, kur të parët tanë festonin ardhjen e verës duke nderuar perënditë. Tashmë, në ditët moderne nuancat e saj kanë ndryshuar disi, por traditat që ndiqen nga ata që e besojnë dhe festojnë janë të njëjta. Simboli i saj është gatimi i ballokumeve, ndërsa qyteti ku festa merr ngjyrimet më të bukura është Elbasani.

Sipas studiuesit dhe muzikologut të njohur Thanas Meksi Dita e Verës ka katër faza:

Faza e parë është faza përgatitore qe nis me grumbullimin e zahireve që janë të nevojshme për Ditën e Verës. Faza e dytë është nata e Verës që nis me 13 mars me zjarrin, faza e tretë mëngjesi i Ditës së Verës që nis me 14 mars dhe në fund pikniku që merr jetë në mesditën e 14 marsit.

Në vigjilje të natës se Ditës së Verës, porta zbukurohet me lule dhe lastarë të gjelbër, te cilët simbolizojnë futjen e mirësisë dhe natyrës. Gjatë kësaj nate të afërmit, por edhe shokë e miq të ardhur nga viset e tjera, këndojnë këngë te vjetra te shoqëruar me kuzhinën me nam të Elbasanit. Disa nga gjellët, qe nuk i gjen ne vend tjetër, janë tava me pistil, tava e kosit, kabunia, çomleku, gjeli i detit etj. Gjate kësaj nate fillon të ndahet edhe hiseja e nesërme për njerëzit më të afërm. Elbasanasit zgjohen herët me 14 mars dhe me një përkushtim të veçantë hapin derën që të futet e mira dhe të dalë e liga.

Sytë lahen me lulet e verës, me manushaqe dhe me karakafte (lloj luleje) dhe me pas pihet ujë në “bukën e derrit”, që është një zhardhok që gjendet nën tokë në zonat me pyje dhe gjelbërim. Uji në “bukën e derrit” simbolizon një vit të shëndetshëm dhe të begatë. Gjithashtu, një zakon tjetër që ruhet në këtë ditë, është zierja e vezëve natën e datës 13, dhe larja e syve me ujin e vezëve të ziera në mëngjesin e ditës së verës.

Veç kësaj, ditën e verës, lidhet në dorë një “verore” që është si byzylyk i formuar prej një fijeje të kuqe dhe një fijeje të bardhë. Verorja hiqet kur sheh dallëndyshen e parë dhe hidhet në ferra që dallëndyshja ta marrë për të bërë fole. Të gjitha këto janë rite që kryhen për të kremtuar ardhjen e pranverës, çeljen e luleve, rikthimin e dallëndysheve e gjallërimin e jetës.

Mëngjesi i 14 marsit nis me vizitat tek te afërmit, ku djali me i vogël i familjes nxiton të dërgojë hisen e ndarë. Pikniku nis në orën 10:00, por vitet e fundit aktivitetet për rastin e festës nisin një orë më parë. / revistawho.com