• youuinsttaaffccbb
TEST
2, Dieta VIP, Instant Articles, Kryesore, Lajme, Vetëm në WHO

Intoleranca ushqimore e Odeta Banushaj, zbulojmë bashkë sekretin e bloggeres për një trup në formë

Që prej gati një dekade, blogjet u bënë tejet popullorë dhe u kthyen gati-gati në një mani kolektive. Në mars të vitit 2019, sipas vlerësimeve botërore rezultoi se çdo ditë publikohen 4.4 milion postime në blog. Tematikat që ato trajtojnë janë të ndryshme: ‘fashion’, teknologji, ushqim, udhëtime, jetesa e përditshme. Ka blogere që shkruajnë në blogje vetëm për tema specifike dhe ka nga ata që ndajnë gjithçka të përditshmërisë me ndjekësit e vet besnikë.

E tillë është edhe Odetchie, blogerja simpatike e zgjedhur këtë muaj në rubrikën “Regjimi ushqimor me një VIP në klinikën Fithealth”. Bjondina me sy të zi filloi blogun fillimisht për të ndarë pasionin e saj për modën e udhëtimet dhe më pas temat u shpalosën fletë-fletë teksa ndjekësit i kërkonin të publikonte më shumë nga përditshmëria e saj, produktet që përdorte për fytyrën, ‘make-up’ apo atë ç’ka hante gjatë ditës për të qëndruar në formë. E kështu Odetchie vendosi të ndante me të gjithë ndjekësit në muajin mars fillimin e regjimit ketogjenik (28 day challenge) e frymëzuar nga të tjerë blogerë të huaj.

Filloi këtë regjim jo për të humbur peshë, por për të rregulluar mënyrën e të ngrënit dhe për të bërë një ‘detox’ nga sheqeri me tepri që konsumonte çdo ditë. Por Odeta përtej atyre informacioneve pafund që kishte lexuar në ‘Google’, donte dhe mendimin e një mjeku specialist e për këtë u drejtua në klinikën ‘Fithealth’ ku u konsultua me Dr.Albana Dakën për arsyet pro dhe kundër të ndjekjes së këtij regjimi për një kohë të gjatë.

Me peripeci e vështirësi, Odeta ja doli ta çonte deri në fund sfidën 28 ditore të Keto Diet, sepse ajo është një vajzë luftarake e fitimtare në çdo sfidë që i vendos vetes. Por duke qenë se regjimi ketogjenik nuk mund të mbahet pafundësisht për një sërë arsyesh dhe duke dashur të vazhdonte në rrugën e mirë që kishte nisur drejt ushqyerjes të shëndetshme e të pastër, Odetchie vendosi të vinte sërish në klinikën ‘Fithealth’ për të kryer testin e intolerancës ushqimore e për të marrë tanimë një regjim ushqimor të personalizuar sipas nevojave të organizmit të saj.

Rezultatet e testit treguan se Odetchie ishte intolerante ndaj kakaos, laktozës dhe domates. Pavarësisht vështirësive të hasura në fillim për të përjashtuar këto ushqime intolerante nga regjimi, tani, 3 javë pas kryerjes së testit Odeta është përshtatur shumë mirë me regjimin e ri ushqimor dhe ka filluar të përjetojë ndryshimet pozitive në organizmin e saj, të cilat i ndan me ndjekësit çdo ditë.

Të jetosh një jetë të shëndetshme duket e mundimshme shpeshherë: ushqimi, aktiviteti fizik dhe lumturia e brendshme! Por të pasurit e këshillave në dispozicion nga blogere si Odetchie, e cila ndan çdo dite historinë e saj personale, pa diskutim shërben si inspirim në rrugën drejt mirëqenies! /revistawho.com