• youuinsttaaffccbb
TEST
Modë

Laerta & Andi, blogger-ët e vegjël të modës

 

Dy vogëlushët kanë mijëra ndjekës në profilet e tyre në “Instagram”

[metaslider id=1333]

Nga Suada Daci 

Kryeqytetet e modës (Parisi, Milano) nisën në fund të muajit shtator Javën e Modës dhe të gjithë fashionistët nga e gjithë bota ishin aty, për të ndjekur trendet e reja që vinin nga stilistë të ndryshëm. Ne që s’ishim të pranishëm, u njohëm me koleksionet e pasarelave dhe të “streetstyle”-ve nëpërmjet rrjeteve sociale. Por, teksa kërkon të dish më shumë rreth tendencave të fundit, ngjyrave dhe stileve, të duhet të hapësh shumë faqe e, ndër të tjera na ra në sy edhe diçka interesante. Dy profile shumë të lezetshme, që kanë për protagonistë dy vogëlushë, të veshur me shumë shije dhe stil, që janë shqiptarë (nuk dallojnë fare nga fashionistët e huaj) dhe veshjet e të cilëve kanë frymëzuar shumë njerëz, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe jashtë vendit.

Laerta, 3-vjeçarja nga Durrësi e cila njihet në “Instagram” si “fashion_laerta”, është vogëlushja që ka 16 mijë ndjekës në këtë rrjet social. Një tjetër fashionist simpatik që tërhoqi vëmendjen tonë është Andi, djali 2-vjeçar nga Kosova (jeton në Suedi) i cili ka 11 mijë ndjekës. Profilet e dy vogëlushëve administrohen nga nënat e tyre, që siç na tregojnë, e kanë pasion modën dhe të veshurit bukur, por në të njëjtën kohë thonë se duan të jenë frymëzim për fëmijët e tjerë dhe nënat e tyre. Vogëlushët, edhe pse nuk njihen me njëri-tjetrin, duket se kanë shumë të përbashkëta. Të dy kanë në gardërobën e tyre firma si “Zara”, “Pull&Bear”, “H&M”, “Lindex”, “Kappahl”, sepse sipas tyre, “Fashion is about style, not about brand” (Moda është stil, jo firmë). Sigurisht që këto veshje kushtojnë, por kjo nuk ka rëndësi për prindërit që kanë vendosur të investojnë për “look”-un e tyre. Megjithatë Laerta, siç na tregon nëna e saj Ardita, është bërë “Brand Ambassador” e disa brandeve me qendër në Britani dhe Kanada, të cilat kujdesen për imazhin e saj duke dërguar veshje të reja çdo javë. Laerta si zonjushë e vogël, shpesh frymëzohet edhe nga femrat tona të ekranit që janë cilësuar si ikona mode dhe stili. Shpeshherë ajo inspirohet nga veshjet e Jonida Maliqit, Aurela Hoxhës, Luana Vjollcës e shumë fashionisteve të tjera. E kundërta ndodh me Andin. Mamaja e tij na thotë se nuk bazohet askund për ta veshur vogëlushin, por thjesht nga vendi ku ai do të shkojë. “Nuk mund t’i vendos kravatë kur do ta nxjerr të luajë në park; dua që ai të jetë komod dhe me stil, kjo është ajo që preferoj për pamjen e tij”, – thotë ajo.

Fashionistët simpatikë janë të kërkuar edhe nga revistat e ndryshme të modës. Laerta ka qenë pjesë e revistës “Mama Girl” në Japoni si dhe blogut të famshëm “Fashion Kids” në Amerikë. Edhe prishtinaliu dy-vjeçar ka pasur ofertë për të dalë në të njëjtën revistë, por nëna e tij vendosi ta mbante larg mediave, duke u mjaftuar vetëm me ndjekësit e shumtë në “Instagram”.

Nëse në një të ardhme këta dy fëmijë do të zgjidhnin të ishin modelë, nënat e tyre nuk do të thoshin “Jo”, por kjo mbetet në dorë të Laertës dhe Andit. Me shumë mundësi ata do të vazhdojnë ta ruajnë këtë stil të mrekullueshëm, dhe pse jo, t’i shihnim në pasarelat apo “streetstyle”-t e ndryshme të botës.

Leave a Reply