• youuinsttaaffccbb
TEST
Jetë, Këshilla, Shëndet

KUJDES/ Këshillat e dermatologes: Lexoni etiketat, ja çfarë nuk duhet të përmbajë make up-i juaj

Nga Dr. Migena Gega – dermatologe

Make up-i (fondatina) është pjesë e rutinës së përditshme të femrave, duke i bërë ato të ndihen mirë e me vetëbesim, sidomos kur lëkura paraqitet edhe me problematika të ndryshme si : akne, skuqje, njolla apo kapilarë në lëkurë.
Ka shumë formulime të ndryshme make up-it, prandaj kërkohet pak kujdes në përzgjedhjen e tij sipas tipit të lëkurës.

Lëkura me akne (puçrra)

Njerëzit kanë nisur të fshehin problematikat e lëkurës së tyre prej shekujsh. Në kohërat e hershme përdoreshin format yll dhe hënë për të maskuar shenjat ne fytyrë, ndërsa në ditët e sotme ne përdorim make up-in, por aplikimi i shumë shtresave të tij nuk është gjithnjë gjëja e duhur. Skuqja dhe rrjepja që shoqëron mjekimin e akneve, mund ta bëjnë make up-in të duket më keq.
Bëni kujdes që make up-i i duhur për një lëkurë me akne të jetë jo i yndyrshëm, oil-free, të lexojë patjetër `non comedogenic` apo `non acnegenic`, që nuk ka tendencën të bllokojë poret dhe jo alergjik (hypoallergenic).
Lexoni përbërësit, i pari duhet të jetë uji. Produktet me bazë minerale përmbajnë titanium dioxide dhe oksid zinku, të cilat thithin yndyrën e tepërt pa irrituar lëkurën dhe pa shkaktuar akne. Një tjetër ingredient për të cilin duhet të kërkojmë është dimethicone, i cili zbeh skuqjen duke lëmuar edhe lëkurën me problem.
E rëndësishme është të zgjidhni një ngjyrë që përshtatet me tonalitetin e lëkurës suaj. Pasi ta përhapni në të gjithë fytyrën, lejojeni atë të thahet disa minuta përpara se të aplikoni pjesën tjetër të tualetit. Mund ta përhapni make up-in me dorë ose me sfungjer të posaçëm, i cili duhet të lahet para dhe pas përdorimit.
Nëse vini re që lëkura juaj po skuqet, kruhet apo enjtet pas aplikimit të një sasie të vogël make up-i, ndërpriteni atë menjëherë. Disa përbërës kozmetikë shkaktojnë një reaksion alergjik të njohur si dermatit kontakti.

Lëkura mature
Produktet shumë të trasha apo viskoze tentojnë të futen në rrudhat e fytyrës tek lëkurat mature, kështu që është mirë të përzgjidhni një make up të lehtë të formës së lëngshme ose një produkt hidratues dhe me ngjyrë.
Lëkura e thatë
Për lëkurën tuaj do te ishte ideal një make up me veti hidratuese, mbulues i lehtë, në formë kremoze.
Lëkura e yndyrshme
Për të mbuluar shkëlqimin e fytyrës që paraqet lëkura e yndyrshme, është mirë të përdoret një make up me veti mbuluese mesatare -të plotë, i formës ‘mat(oil-free)’. Kur përdorni make up-in përdorni një sfungjer, pasi kur përdorni gishtat tuaj mund të transferoni yndyrën nga duart tek fytyra.
Lëkura normale
Nëse bëni pjesë tek njerëzit me fat, me lekurë normale pa probleme, është në zgjedhjen tuaj nëse vendosni apo jo make up. Testoni paraprakisht nëse ju duhet i lëngshëm apo mat, duke përshatur njëkohësisht dhe ngjyrën me tonalitetin e fytyrës suaj.

Këshilla për të gjithë llojet e lëkurave:
1. Filloni me aplikimin e fondatinës përreth hundës, pasi është zona që skuqet më tepër.
2. Shmangni zonën poshtë syve, vendi ku vendoset korrektori.
3. Nëse përdorni gishtat, bëni shtypje të vogla me gishtërinj për një dukje sa më natyrale.
4. Nëse përdorni sfungjerin, rrotullojeni dhe shtypeni mbi lëkurë gjatë lyerjes, që të keni dukje më natyrale.

INGEDIENTËT QË DUHET TË SHMANGEN NË PRODUKTET E MAKE UP-IT 
• Sodium lauryl sulphate, produkt i cili mund të shkaktojë irritim të lëkurës, dëmtim në sy dhe akne.
• Fragranca (fragrance), kur shkruhet tek lista e përbërësve, kompanitë jo domosdoshmërisht listojnë të gjithë përbërësit kimik që gjenden në të. Disa nga këto lënde kimike shkaktojnë alergjitë e fuqishme. Nuk është gjithnjë e nevojshme që fondatina juaj të vijë erë e mirë, pasi këtë mund ta bëjë fare mirë parfumi juaj.
• Parabenet, nëse ka ingredient të cilit duhet t’i rrimë larg është parabeni. Ato janë përbërës shumë të dëmshëm të cilat imitojnë estrogjenin, prandaj zgjidhni me kujdes një produkt paraben free.
• DMDM hydantoin
• Diazolidinyl urea
• Imidazolidinyl urea
• Methenamine
• Quaternium-15
• Sodium hyroxymethylglycinate
• Bronopol / revistawho.com