• youuinsttaaffccbb
TEST
2, KolonaVirusi

#KolonaVirusi / Virusi që pamë në lajme!

Nga Ajn*

U bënë 11 ditë e netë në karantinë. Ose 800 faqe librash, 11 filma dhe një gropë e thellë në divan. Mua më duken shekuj. Më ngjan e pabesueshme që së paku tri vitet e fundit kam punuar 12-14 orë në ditë dhe në shtëpi vetëm kam fjetur. 

Kanë ndërruar kaq shumë rregullat e jetesës sa çdo ditë mësojmë se një gjë tjetër na është e ndaluar. Pothuaj as e mbaj mend si nisi.

Ah po, nisi diku nga 20 e ca shkurti me një tufë mjekësh që flisnin me siguri për një virus që e kishin parë në lajme. Me aq siguri flisnin sa e krahasuan me një grip që kalon me çaj. Kapakun çajnikut, si gjithnjë ia vuri kryeministri i vendit që e cilësoi epideminë – infodemi. 

Të shqetësuarit dhe të kujdesshmit dukeshin të çmendur dhe mjeku Prifti (Edvin*) që dilte kundër të gjithëve e përshkruante paraprakisht atë që po ndodh sot, e panë me dyshim siç Priftin që flet për Zotin pa e parë. Dy javët që në Itali përhapej virusi dhe ne i trembeshim akuzës ‘PO PËRHAPNI PANIK’ mësuam disi si lahen duart, me metoda të ndryshme që na sugjeroheshin #mëngjesdrekëdarkë. Sakaq, virusi përhapej në tërë Italinë, avionë, anije e makina transportonin qindra e mijëra udhëtarë mes dy vendeve. Ne vijuam të jetojmë mes punës, #LARJESSËDUARVE dhe jetës sociale. U harbuam si në ditët e fundit të lirisë. Takuam miq e të afërm që vinin nga Italia dhe më 8 mars dolëm shesheve e bareve për të shenjuar 8 marsin. Rreth orës 12 të natës, pak para se të mbyllja telefonin, lexova se konfirmohet rasti i parë me covid-19. 

M’u ndërmend Kina në karantinë dhe atë natë kam fjetur në orën 3 të mëngjesit. Në punë më përshëndetën me “Nuk të takoj. E more vesh për koronavirusin?”.

U mbyllën shkollat e universitetet, teatrot, muzetë, galeritë. Mësuam se çajniku nuk hynte në punë. Në vend të tij “izolim, #rrininëshpi, gjobë”. Të mërkurën humba njërën punë dhe m’u anullua një projekt. Të enjten u hoqën autobusat. Të premten u ndaluan makinat dhe humba punën që bëj prej kur kam mësuar të punoj. Nga e shtuna e deri sot, janë mbyllur kufijtë, kompanitë dhe dyert e shtëpive tona. Virusin që pamë në televizor mjekët që na këshilluan çaj po e luftojnë përditë ndërsa na thonë se “#ËSHTËLUFTËERREZIKSHME”. / revistawho.com

*Në këtë rast, pseudonimi është frymëzuar nga pseudonimi i Alisa Rosenbaun, autores së “Revoltës së Atlasit”, nëse e shohim atë që po ndodh sot si një revoltë nga e cila duhet t’i rijapim kuptim jetës.