• youuinsttaaffccbb
TEST
Kryesore

#KolonaVirusi / Nevoja për art si dritare mbijetese

Nga Ajn

Dita e 16. Kemi më shumë se 200 të infektuar. Shohim ende vetëm tunelin dhe jo dritën. Tani jemi në atë pikë të tunelit që nuk shohim dritën as nga kemi hyrë. Pra jemi në errësirë. Asgjë nuk pipëtin rreth nesh pos frikës. Sytë i kemi të gjithë nga mjekët për të shpëtuar dhe nga arti për të mbijetuar. Shohim filma, lexojmë libra, bëjmë vizita virtuale në muze, galeri, ndjekim online operat dhe teatrot. Dhe tani mbase është koha të pyesim veten se sa kemi paguar për këtë ditë? Buxhetet minimale në mjekësi e arte na kanë sjellë në këtë situatë që jemi. Kemi harxhuar shumë për t’u dukur bukur, për t’u shfaqur bukur por kemi lënë pas dore shëndetin trupor e shpirtëror. Mjekët i kemi lënë me paga qesharake ndaj disa ikën, disa qëndruan dhe pranuan para nën dorë. Spitalet i kemi lyer nga jashtë dhe qendrat tona të kërkimit shkencor thjesht nuk ekzistojnë. Ndërtuam burgje por nuk bëmë asgjë për të ndaluar njerëzit të shkojnë në burgje. Artistët i kemi lënë me mundësitë minimale të jetesës ndaj morën hov tallavatë dhe fama e atyre që s’kanë ç’të japin.
Sot kur kemi nevojë për artin e kurimit të trupit dhe mendjes jemi në një pikë fatale.
P.S. Në hyrjen e një pallati një dezinfektues qe instaluar dje që të pastronin duart të gjithë. Sot ishte zhdukur. Nëse ka diçka që na ka mësuar kjo sëmundje është se, nëse sëmuret fqinji, pas tij e kemi radhën ne. E mira e përbashkët është e detyrueshme të jetë e përbashkët, përndryshe nuk mund të jetë e askujt. Sepse nëse sëmuret tjetri rrezikon dhe ti. Që të shpëtosh ti duhet të ruash edhe tjetrin. Na duhet edhe pak filozofi mes arteve që t’ia dalim.