• youuinsttaaffccbb
TEST
KolonaVirusi

#KolonaVirusi / Krishtlindje në mars dhe borë në male

 

Nga Ajn

Para se të shkruaja këto radhë po shihja filmin “T’u mbijetosh Krishtlindjeve”. Ben Affleck merr me qira një familje për të kaluar me ta Krishtlindjen. E bukura e filmave të festave është fundi i lumtur dhe energjia pozitive që lënë pas. Por për një çast, ndërsa flokët e borës shkriheshin në fytyrën e Ben Affleck para perdes sime të bardhë, m’u bë se ishte kohë festash dhe në ditën e 13 të karantinës harrova që isha në shtëpi sepse nuk mundem të dal.
Harrova Covid-in, muajin tjetër madje edhe paraditen e sotme kur pashë në tv të moshuar që i ndiqte kryeministri për t’i çuar në shpi; harrova debatin maratonë të parlamentit të Kosovës mbledhur për të rrëzuar qeverinë që si në filmin tim, duket se jetojnë në kohë tjetër; harrova se portokallet tani kushtojnë sa një avokado; harrova se ka qindra familje që nuk përballojnë dot as njërën as tjetrën; harrova numrat e shtuar të të infektuarve, historitë e trishta të atyre që e humbën, harrova edhe frikën për jetët e atyre që dua; harrova se mund të na duhet të rrimë mbyllur edhe më shumë se 13 ditë të tjera dhe për një çast ndjeva shpirtin e festave. Me borën që ka zbardhur Dajtin dhe të ftohtin që na shtyn të rrimë brenda u desh vetëm një film, një realitet i paqenë për të më kujtuar se ishim mirë kur ishim keq dhe se shpesh është familja thelbi nga rrotullohet jeta jonë. Nuk na duhet ta marrim me qira, së paku shumë fatlumë prej nesh jo. Mund t’ia dalim pa portokalle, edhe pa avokado, madje edhe pa kafe ekspres. Për sa kohë kemi njëri-tjetrin mund t’ia dalim, ndaj duhet të ruajmë njëri-tjetrin. Sepse ata që do mbijetojnë do të kenë nevojë për dashuri. Po, tani na duhet një mrekulli Krishtlindjesh!/revistawho.com