• youuinsttaaffccbb
TEST
KolonaVirusi

#KolonaVirusi / Biondi, i gjati dhe kush nuk ka bukë le të hajë biskota

Nga Ajn

Dita 24 e izolimit. 377 të infektuar në Shqipëri dhe 22 viktima. Kryeministri i Britanisë së Madhe, një ditë pasi mbretëresha tha se do ia dalim, u shtrua në spital me ‘Covid-19’ dhe u vu në terapi intensive. Që t’ia dalë sigurisht. Kur kjo flamë pat nisur, kryeministri Boris Johnson qe shprehur se ‘duhet të përgatitemi për të humbur njerëzit tanë të dashur’. Ja që ne s’jemi përgatitur as për atë të jetë në spital. Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë duket të jetë mirë me shëndet. Si për të na bindur ai del ‘live’ të paktën 3-5 herë në ditë, herë në mediat sociale e herë në ato tradicionale. Në një prej daljeve tha se nga Shqipëria as nuk hyn e as nuk del njeri, duke nënkuptuar se ata që kanë mbetur në tokën asnjëanëse mes Greqisë e Shqipërisë mund të vdesin aty që të mos vdesim ne këtu. Njëra palë duhet të vdesë për hir të jetës. Zaten, edhe ne që jemi këtu do fillojmë të vdesim për bukë për aq sa propaganda nuk hahet, por ky është muhabet tjetër. Siç thoshte një princeshë mbi bizele që mund të ketë qenë Maria Antoneta, kush nuk ka bukë le të hajë biskota. Për ata që si unë nuk i honepsin dot ushqimet nëpër qese, me brumë e sheqer si biskotat, nuk ka lajme të mira në pikëpamjen e ushqimeve që ruhen.

Më anën tjetër, unë jam mbyllur në shtëpi si Oso Kuka dhe kur ky qeder të ketë kryer punë, në paça shpëtuar duhet të vijë kryeministri me tërë qeverinë të bëjnë serenatë poshtë ballkonit që të dal. Përndryshe, më ka zënë një rehati që s’di ç’të mollois. Fle deri kur nuk më flihet më, shoh filma derisa lodhem, lexoj derisa më mërzitet libri dhe e rinis proçesin nga fillimi. Luftrat moderne janë si këto lojërat ‘online’, luhen lehtë. Tani që do marr dhe këtë pagën e luftës, do nis të kursej për pushimet e vitit tjetër./revistawho.com