• youuinsttaaffccbb
TEST
Intervista, Në Kopertinë

Klodiana Shala: Sporti dhe politika… Ja çfarë do të kërkoja unë në Kuvend

Fotot: Endrit Mërtiri / Hair & Make Up: Ujvara Haxhiaj

Klodiana Shala, atletja që na ka bërë sa e sa herë krenarë në gara e kompeticione ndërkombëtare, vjen sot në një intervistë të sinqertë për ‘revistawho.com’, duke ndarë me ne regjimin e një sportisteje model, që megjithëse nuk e ka më të ndaluar nuk e vë në gojë alkoolin. Biondja me sytë e shkruar rrëfen gjithashtu ditën e saj, që sërish i shkon në vrap, sa në një angazhim në një tjetër, sepse Klodi do që t’i bëjë mirë të gjitha dhe deri tani ia ka dalë në çdo përgjegjësi që ka marrë përsipër. Aktualisht është pjesë e Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe gjatë bisedës kemi folur edhe për politikën… Çfarë ligji do të ndryshonte ajo dhe ç’mendon për femrat në politikë? Zbulojeni më poshtë! 

Klodi si po kalon këto kohë?
Nuk po kaloj dhe aq keq. Këtë vit e kam nisur me shumë impenjime. Kam disa projekte të nisura njëkohësisht dhe shpresoj t’i përmbyll me sukses. Ti e di, njeriu është i prirur të kërkojë gjithmonë e më shumë dhe më mirë dhe unë jam njeri kërkues, me vullnet dhe ambicie, këto më kanë bërë të ecja përpara dhe në sport ndaj dhe s’mund të rri në pritje që gjërat të vijnë vetë. Por gjithsesi i jam mirënjohëse familjes dhe atyre pak miqve të ngushtë për ndihmën dhe suportin për gjithçka kam.

A e ndjejnë sportistët të ftohtin njësoj si ne ‘të zakonshmit’?
Ti ma bën këtë pyetje se normalisht sportistët janë trupa më të kalitur se njerëzit, që nuk merren me sport apo aktivitet fizik, por unë për vete e ndjej të ftohtin (qesh).

Si i përballon ti temperaturat e ulëta? Del për vrap?
Nuk bëj asgjë të jashtëzakonshme përveç asaj që bëjne gjithë njerëzit, vishem mirë, mbaj ngrohtë ambientin, përpiqem të ruaj një ekuilibër midis temperaturës së ambientit brenda në shtëpi me temperaturën jashtë, etj. Sa për vrapin, këtu me zure ngushtë. Vrapi është si të thuash pjesë natyrale e qenies sime ndaj dhe ndihem keq në fakt, sepse u bënë ca kohë që nuk kam dalë për vrap dhe nuk ka ditë që nuk e mendoj këtë. Thjesht jam duke u marrë me disa projekte të miat, të cilat më kanë impenjuar jo pak.

Ke gjetur dikë që të të mbajë ngrohtë natën, apo vazhdon je vetëm?
Zakonisht pyetjeve të kësaj natyre, i kam kthyer gjithmonë atë përgjigjen klishe të jetës private, etj, etj. Këtë herë dua të mbetem pak më enigmatike, pse jo, në këtë mënyrë s’do zhgënjehen ata që mendojnë se s’jam singëll dhe as ata që mendojnë se jam (qesh).

Ma trego pak regjimin tënd… Si nis dhe si përfundon një ditë?
Dita nis shpejt pasi zgjohem relativisht herët, pavarësisht orës se kur bie në shtrat, kjo për shkak të regjimit që mbaja dikur dhe janë bërë refleks tashmë këto orare, besoj se zor se ndryshojnë. Më pas shkoj në palestër. Më pëlqen që ditën ta nis nga aty, por sigurisht që ka plot raste që nis me një kapuçino me ndonjë mik a mikeshë timen. Siç e dini jam pjesë e grupit të këshilltarëve bashkiakë të PD dhe bëjmë mbledhje dhe takime sistematike. Ej se s’do i tregoj të gjitha se ç’u pa pastaj (qesh). Ditën e mbyll sërish me palestrën, kam plot miq të cilët frekuentojnë palestrën time që vijnë në oraret e pasdites për shkak të impenjimeve të tjera në pune a familje dhe preferoj t’i ndjek vetë personalisht. Sigurisht kur nuk mundem ua besoj Tonit, instruktorit të ‘Kinetic Fitness’, një djalë shumë i mirë dhe i zoti.

Gatuan vetë, apo preferon restorantet?
Gatuaj shumë vetë, por frekuentoj jo rrallë edhe restorantet, ato pak restorante që i njoh dhe di çfarë produktesh shërbejnë, flas në sensin e cilësisë së produkteve. Nuk shkoj në restorante se përtoj të gatuaj, por për kënaqësinë e të ndenjurit dhe konsumuarit biseda me miq.

A është palestra, puna jote, hapësira që të largon stresin?
Eh, pa diskutim. Palestra është vendi që i largon stresin të gjithë atyre që e frekuentojnë, imagjino mua që më jep dhe sadisfaksionin tjetër, të shoh një gjë timen të realizuar ndaj dhe përpiqem që të përmirësohet dhe të bëhet më e mirë dita ditës. Sigurisht nuk është se palestra ma bën të ardhmen më të sigurtë e me të qetë, por me jep shumë sadisfaksion.

Ke shumë klientë VIP, si ia del me ta? Janë tekanjozë, apo të dëgjojnë?
Po e vërtetë, janë një numër jo i vogël personazhesh publike që frekuentojnë palestrën time. Pjesën me të madhe prej tyre i kam miq. Jo, nuk do të thoja që janë tekanjozë, sigurisht që secili prej tyre ka kërkesat e veta po kjo ndodh me të gjithë njerëzit jo vetëm me ta. Pastaj aty nuk është parukieri, është palestër dhe ata vijnë me një objektiv të caktuar, të dobësohen apo thjesht tonifikohen, ndaj dhe e dinë që përveç atleteve duhet të përveshin edhe mëngët. Plus që më njohin, unë jam tipi që ‘ua zgjas shumë’ (qesh).

A del një atlete për jetë nate?
Normalisht një atlete apo sportiste profesioniste nuk mund të bëjë jetë nate. Sa për mua unë nuk jam më atlete, ndaj nuk është se më pengon gjë në këtë drejtim, por nuk bëj jetë nate. Nuk them se nuk ka raste që nuk dal dhe unë, po kjo nuk është jete natë. Plus që unë nuk pi as alkool dhe, përveçse nuk jam shoqëri e mirë për të tjerët, nuk bëhet jetë nate duke pirë çaj (qesh).

Të flasim pak edhe për profilin tjetër të Klodit, atë të sportistes në politikë. Së fundmi je bërë pjesë e Këshillit Bashkiak, e aspiron ti sallën e Parlamentit?
E vërtetë. Kanë kaluar pak muaj që nga dita e kostituimit të Këshillit Bashkiak ku jam ulur si këshilltare dhe nga grupi ynë, pra i këshilltarëve të djathtë, unë jam e vetmja sportiste ndaj dhe do punoj fort për të qenë një përfaqësuese e denjë dhe një zë i fuqishëm në mbrojtje të çdo çështjeje që lidhet me sportin dhe jo vetëm. Nuk është rastësi që unë ulem në anën e këshilltarëve të djathtë, sepse kjo përkon edhe me bindjet e mia politike ndaj dhe jam e gatshme të sherbej apo jap kontributin tim aty ku do më kërkohet.

Cilën nga politikanet femra pëlqen më shumë?
Nuk parapëlqej të flas për emra të përveçëm. Më pëlqejnë politikanet e zgjuara, të përgatitura, debatueset e forta dhe mbi të gjitha më pëlqejnë politikanet që e kanë merituar apo meritojnë të jenë aty ku janë.

Kemi një Kryetar Kuvendi peshëngritës dhe një Kryeministër basketbollist, kjo tregon që ka prespektivë të mirë edhe për ty. Aspiron t’ua zësh vendin?
(Qesh) Sipas kësaj i bie që po të bëhem edhe unë kryeministre pastaj t’ia fusim të gjithë vrapit (qesh).

Nëse do të ishe pjesë e Kuvendit, çfarë ligji do të propozoje?
Do ta kisha të thjeshtë të thoja që nuk jam deputete dhe kështu t’i shpëtoja pyetjes. Por pavarësisht kësaj, mendoj që sporti shqiptar ka nevojë për një ligj që të sigurojë një kornizë të qartë dhe solide mbështetjeje ligjore dhe institucionale për sportin dhe sportistët. Duhet garantuar një status i respektueshëm për sportistët. Një ligj që garanton financim të sportit dhe sportistëve me arritje cilësore dhe të tillë ka shumë. Por ende nuk ka mbështetje financiare të garantuar dhe respekt për sportistët që sakrifikojnë dhe japin shumë për vendin e tyre. Sporti është model i shëndetshëm i zhvillimit të shoqërisë. Sa më i zhvilluar, aq më e shëndetshme shoqëria.